Ndërlidhjet

Probleme me tenderë


Agjencia Kosovare Kundër Korrupsionit u bën thirrje të gjitha institucioneve të Kosovës t’i vërtetojnë fillimisht dokumentacionet e ofertuesve gjatë procedurave të tenderimit. Falsifikimi i dokumentacioneve të tilla, sipas këtij mekanizmi, i shkakton humbje të konsiderueshme buxhetit të Kosovës, por edhe kompanive, të cilat vlerësohet të jenë serioze e transparente në këtë proces.


Falsifikimi i dokumentacionit të operatorëve ekonomikë gjatë pjesëmarrjes në procedurat e tenderimit dëmton me miliona euro buxhetin e Kosovës.

Përgjegjësia për këtë është sikurse e institucioneve të Kosovës, që pranojnë e nuk verifikojnë dokumentacionet në fjalë, ashtu edhe e kompanive të caktuara që aplikojnë në tenderë të ndryshëm.

Kështu thonë përfaqësues të Agjencisë Kosovare Kundër Korrupsionit, të cilët pohojnë se informatat e marra për raste të tilla ua kanë përcjellë tanimë prokurorive kompetente për procedim të mëtutjeshëm.

Drejtori i Agjencisë Kosovare Kundër Korrupsionit, Hasan Preteni, thotë se rastet më të shpeshta të falsifikimit të dokumentacionit kanë të bëjnë me pagimin e tatimeve.

Hasan Preteni
“Kemi të bëjmë me operatorë, të cilët nuk i kryejnë obligimet ndaj shtetit, kurse, në anën tjetër, nga shteti kërkojnë që të marrin ndonjë detyrë apo punë tjetër”.

“Përgjegjësia është e dyanshme. Përgjegjësia duhet të jetë edhe e atyre që nuk i verifikojnë këto dokumentacione, por operatorët e pranojnë si të tillë, por edhe tek operatorët që konkurrojnë me dokumentacione false”,
thotë Preteni.

Agjencia Kosovare Kundër Korrupsionit u bën thirrje të gjitha institucioneve të Kosovës që realizojnë procedurat e tenderimit, t’i drejtohen Administratës Tatimore të Kosovës për të vërtetuar validitetin e dokumentacionit të dorëzuar nga kompanitë dhe ndërmarrjet e ndryshme.

Drejtori i përgjithshëm i ATK-së, Behxhet Haliti, pohon se verifikimi i dokumentacioneve të ofertuesve nuk kërkon shumë kohë, por thekson se numri i kërkesave të institucioneve kosovare për verifikime të tilla është i vogël.

“Deri më tash, në bazë të informacioneve që kam dhe nga zyrtarë që operojnë, kjo informatë kthyese për institucionet ka qenë shumë e shpejtë, por s’ka pasur numër të madh të kërkesave”, thekson ai, për të shtuar se procedura e verifikimit të dokumentacionit për një kompani ofertuese mund të kryhet brenda ditës.

Përfaqësues të Qeverisë së Kosovës thonë se ekziston bashkëpunimi i nevojshëm ndërmjet institucioneve përkatëse dhe se të gjitha rastet ku ka dyshim për shkelje ligjore duhet të procedohen, për t’u shqyrtuar më tutje sipas disiplinave të parapara ligjore.

Zëdhënësi i ekzekutivit kosovar, Memli Krasniqi, thekson se do të merren parasysh vërejtjet e Agjencisë Kosovare Kundër Korrupsionit.

“Normalisht se institucionet kanë bashkëpunim ndërmjet vete duke u bazuar në rregullore, ligje apo memorandume ekzistuese, por nëse vërehet se ekziston ndonjë vakuum, i cili mundëson ndonjë keqpërdorim ose formë të keqpërdorimit, atëherë ato do të shqyrtohen dhe do të bëhen përmirësimet e duhura”, shprehet Krasniqi.

Përveç falsifikimit të dokumentacionit për shkak të mospagimit të tatimeve, ofertues të ndryshëm, sipas Pretenit, bëjnë dhe falsifikime të tjera në procedurat e tenderimit.

“Njëra nga këto dukuri është kur kompanitë, për të marrë tenderë me vlera shumë të larta, paraqesin se kanë të punësuar në kompanitë e tyre edhe inxhinierë dhe ekspertë shumë të lartë, me të cilët zotohen se janë të gatshëm të kryejnë këtë punë”.

“Në anën tjetër del që kanë konkurruar me dokumentacion fals, sepse në firmat apo kompanitë e tyre nuk kanë fare të punësuar njerëz me ato profile, me të cilat konkurrojnë”,
thotë Preteni.

Agjencia Kosovare Kundër Korrupsionit po ashtu tërhoqi vërejtjen se falsifikimi i dokumentacionit nga kompanitë e ndryshme gjatë procedurave të tenderimit, ngulfat konkurrencën e lirë, ndërsa mundëson rrjedhjen e parave të shtetit të Kosovës në, siç thuhet, xhepat privatë.
XS
SM
MD
LG