Misioni i Bashkimit Evropian për forcimin e sundimit të ligjit në Kosovë pritet që në fillim të muajit të ardhshëm të fillojë konsultat me Qeverinë e Serbisë në lidhje me implementimin e protokollit për bashkëpunim policor, të nënshkruar më 11 shtator, bëjnë të ditur zyrtarë të EULEX-it.
Ndonëse protokolli për bashkëpunim policor ndërmjet EULEX-it dhe Qeverisë serbe pritej të hynte në fuqi 8 ditë pas nënshkrimit, përfaqësues të këtij misioni thonë se deri më tani nuk ka pasur shkëmbim informatash midis dy palëve. Zëdhënësi i EULEX-it, Kristof Lamfalusi, shpjegon:
Ajo që planifikon Policia e EULEX-it është të zhvillojë një takim, në fillim të tetorit, me homologët e saj në Serbi për t’u marrë vesh për rrugët se si do të implementohet kjo marrëveshje teknike.
“Protokolli për bashkëpunim policor me Beogradin tanimë është aktiv meqë është nënshkruar nga të dyja palët, por nuk është përdorur deri më tani. Nuk ka pasur shkëmbim informatash që kur është nënshkruar protokolli. Ajo që planifikon Policia e EULEX-it është të zhvillojë një takim, në fillim të tetorit, me homologët e saj në Serbi për t’u marrë vesh për rrugët se si do të implementohet kjo marrëveshje teknike”, thotë Lamfalusi.
Protokolli për policinë ndërmjet EULEX-it dhe shtetit serb ishte kundërshtuar ashpër nga Prishtina zyrtare. Udhëheqësit e Kosovës madje e cilësuan si të mbyllur debatin mbi këtë çështje.
Kryetari i Komisionit për punë të brendshme dhe siguri në Kuvendin e Kosovës, Rrustem Mustafa, i quan të parëndësishme kontaktet për bashkëpunim policor EULEX-Serbi, përderisa është i njohur qëndrimi shtetëror i Kosovës ndaj këtij protokolli. Ai thekson se, në këto rrethana, implementimi i protokollit në fjalë nuk do të përfshijë autoritetet kosovare të sigurisë.
Mekanizmat e vendit tonë, presidenti e kryeministri i kanë thënë ‘Jo’ protokollit dhe si i tillë ai nuk mund të hyjë në zbatim dhe është jashtë mekanizmave institucionalë të Kosovës.
“Ne e kemi thënë edhe më parë dhe e shohim të parealizueshëm protokollin derisa të bëhet marrëveshja me Policinë e Kosovës, derisa protokolli të diskutohet dhe të merret një qëndrim politik pozitiv për të. Mekanizmat e vendit tonë, presidenti e kryeministri i kanë thënë ‘Jo’ protokollit dhe si i tillë ai nuk mund të hyjë në zbatim dhe është jashtë mekanizmave institucionalë të Kosovës. Institucionet e vendit nuk kanë të bëjnë asgjë me protokollin”, shprehet Mustafa.
Këtë e hedh poshtë Lamfalusi, i cili thotë se shkëmbimi i informatave në mes të Policisë serbe, asaj të EULEX-it dhe Policisë së Kosovës mund të ndodhë vetëm me miratimin e të gjitha palëve.
“Ajo për të cilën është marrë vendim, është që informatat të cilat ne do t’i ndajmë ose do t’ia dërgojmë Policisë së Serbisë do të ndodhin vetëm me miratimin e Policisë së Kosovës. Kjo ndodh edhe anasjelltas në këtë mënyrë. Nëse kemi informata nga Policia serbe, Policia e EULEX-it do t’i ndajë ato me Policinë e Kosovës”, thekson ai.
Pas nënshkrimit të protokollit për bashkëpunim policor ndërmjet EULEX-it dhe Serbisë, autoritetet ndërkombëtare kishin paralajëmruar edhe nënshkrimin e protokolleve të ngjashme për dogana e gjyqësi, me të cilat, siç thuhet, synohet të kthehet kontroll në këta sektorë në pjesën veriore të Kosovës.
Një pjesë e politikanëve serbë në veri të Kosovës, ndërkohë, e cilësuan protokollin si të papranueshëm, duke besuar se ai vendos kufirin ndarës në mes të Serbisë dhe Kosovës. Mirëpo, kryetari i Lëvizjes së Ripërtëritjes Serbe për Kosovën, Rangjell Nojkiq, thotë se çështjet policore nuk duhet politizuar.
Mendoj se do të jenë shpejt të dukshme (rezultatet) nëse marrëveshja do të zbatohet në tërësi dhe nëse ajo do të përfshijë jo vetëm fushën e sigurisë, por edhe doganat...
“Ata që duan luftimin (shkatërrimin) e kriminalitetit, mendoj se politizimin e problemit duhet lënë anash dhe se për rezultatet dhe efektet duhet biseduar vetëm pasi që ato të jenë të dukshme. Mendoj se do të jenë shpejt të dukshme (rezultatet) nëse marrëveshja do të zbatohet në tërësi dhe nëse ajo do të përfshijë jo vetëm fushën e sigurisë, por edhe doganat dhe vendosjen e kontrollit dhe rendit në hyrje - daljet e mallërave nga Kosova dhe në Kosovë”, thotë Nojkiq.