Forca e Sigurisë së Kosovës është e armatosur lehtë dhe nuk do të ketë armë të rënda, siç janë tanket, artileria e rëndë apo kapacitete sulmuese ajrore.
Ky është një nga përkufizimet e obligimeve të FSK-së, që del nga Ligji për këtë forcë, të miratuar në muajin mars të këtij viti në Kuvendin e Kosovës.
Mirëpo, 1800 pjesëtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës, aktualisht, nuk posedojnë fare armë.
Kapacitetet fillestare operacionale të Forcës së Sigurisë së Kosovës, për arritjen e të cilave njoftoi ditë më parë NATO-ja, do të përqendrohen në mënjanimin e mjeteve shpërthyese, zjarrfikje, operim me materie të rrezikshme edhe kërkim-shpëtim, me përkrahje nga kapacitetet e logjistikës, ato medicinale dhe të sigurisë.
Përfaqësues të Ministrisë së Forcës së Sigurisë së Kosovës, ndonëse nuk mund të japin afate të caktuara kohore, thonë se armatimi i kësaj force do të bëhet në vazhdim të procesit.
Këtë e shpjegon zyrtari për informim në Ministrinë e FSK-së, Ibrahim Shala.
“Tash kemi procesin e armatosjes. Është në fazën e tenderimit blerja e armëve për FSK-në, pastaj ushtrimet e natyrave të tjera, që janë ndoshta më specifike”, shprehet Shala, duke bërë të ditur se, mbështetja e deritashme nga shtete të ndryshme për FSK-në, ka qenë e natyrës financiare, por jo dhe në furnizim me armatim.
Ai shpreh bindjen se deklarimi i NATO-s për arritjen e kapaciteteve fillestare operacionale të FSK-së ka ardhur si rezultat i punës, siç e cilëson ai, intensive të pjesëtarëve të FSK-së dhe KFOR-it.
Mirëpo, eksperti për çështje ushtarake, Ramadan Qehaja, ka një mendim krejt tjetër. Ai e quan të vonuar procesin e fillimit të operimeve të FSK-së dhe thotë se fushat, në të cilat do të përqendrohen aktivitetet e kësaj force, u ngjajnë përgjegjësive të ish-Trupave Mbrojtëse të Kosovës.
“Ne nuk mund ta quajmë operacionale Forcën e Sigurisë së Kosovës, kur ajo nuk është formuar në tërësi. Dhe, e dyta, ajo nuk është e armatosur sipas planit të Ahtisarit me armatim të lehtë”, thekson Qehaja.
Themelimi i Forcës së Sigurisë së Kosovës në fillim të këtij viti ishte përcjellë me një varg kritikash të Beogradit zyrtar ndaj mekanizmave ndërkombëtarë, përgjegjës për këtë proces.
Mirëpo, Qehaja mendon se pavarësisht hezitimeve që NATO-a mund të ketë, për shkak të këtyre kritikave, FSK-ja duhet të aftësohet sa më parë edhe në aspektin e sigurisë.
“Ne, qe dhjetë vjet jemi duke kryer detyra të gatishmërisë emergjente dhe njëherë e përgjithmonë duhet të fillojmë të kryejmë detyra ushtarake, që duhet t’i kryejë çdo ushtri e çdo shteti”.
“Edhe me numër të limituar, siç e kemi tash, pse nuk është shkuar me ato detyra, siç thuhet edhe në Ligjin për këtë forcë, që nuk mund t’i kryejë policia?! Kjo nënkupton detyra edhe të karakterit ushtarak”, vlerëson ai.
Sipas planit të Ahtisarit, mbi të cilin rrjedhimisht është mbështetur dhe Ligji për FSK-në, Forca e Sigurisë së Kosovës është e paraparë të ketë 2500 pjesëtarë aktivë dhe 800 rezervë.
Qëllim i ardhshëm i FSK-së, siç thuhet, do të jetë arritja e kapacitetit të plotë operacional.
Ndërkaq, ndryshimi në lidhje me armatimin e kësaj force do të përcaktohet nga prania ushtarake ndërkombëtare në bashkërendim me Përfaqësuesin Civil Ndërkombëtar.