Ndërlidhjet

Si do të zbatohet protokolli në terren?


Pamje nga Prishtina
Pamje nga Prishtina

Mënyrat e zbatimit të protokollit për policinë ndërmjet misionit të BE-së për forcimin e sundimit të ligjit dhe Serbisë, do të përcaktohen në ditët e ardhshme, thonë përfaqësues të EULEX-it. Analistët për çështje politike, në Prishtinë, nuk e hedhin poshtë mundësinë që gjatë zbatimit të protokolleve të tilla, të përfshihen edhe institucionet e Republikës së Kosovës.


Pas nënshkrimit të protokollit për bashkëpunim policor ndërmjet EULEX-it dhe Qeverisë së Serbisë, përfaqësues të EULEX-it thonë se është ende herët të flitet për mënyrat se si do të zbatohet marrëveshja në fjalë në terren.

Zëdhënësi i EULEX-it, Kristof Lamfalusi, thotë se hollësitë për zbatimin e kësaj marrëveshje duhet të precizohen në të ardhmen.

“Është shumë herët, sepse protokolli ka për qëllim vënien e kanaleve (të kontakteve), ndërmjet EULEX-it dhe policisë serbe mbi krimin kufitar dhe shkëmbimin e informatave”.

“Kështu që, të gjitha detajet e zbatimit duhet të organizohen dhe të diskutohen”,
shprehet Lamfalussy.

Përfaqësues të Bashkësisë Ndërkombëtare në Kosovë kishin paralajmëruar se pas nënshkrimit të protokollit për polici, gjasat janë të mëdha që të nënshkruhen protokolle të ngjashme edhe për dogana dhe gjyqësi.

Zbatimi i marrëveshjeve të tilla, sipas analistit Valon Murati, nuk do t’i përjashtojë medoemos institucionet e Kosovës.

“Ndonëse në opinionin publik është krijuar përshtypja e një refuzimi të fuqishëm të institucioneve të Kosovës ndaj këtyre protokolleve, në të vërtetë mendoj se, nëse nënshkruhen këto protokolle dhe ka shumë gjasa që ato të nënshkruhen, në terren do të ndodhë një zbatim praktik i tyre edhe me ndihmën e institucioneve të Kosovës, pa u bërë bujë e madhe për pjesën që i takon Qeverisë së Kosovës”,
thotë Murati.

Ai shton se, as EULEX-i nuk do të pengohet nga Prishtina zyrtare gjatë zbatimit të marrëveshjeve të tilla në territorin e Kosovës.

Sipas Muratit, zbatimi i protokollit për polici me Serbinë dhe protokolleve eventuale për dogana e gjyqësi, do të përqendrohet në pjesën veriore të Kosovës, për të rikthyer sundimin e ligjit atje.

Sidoqoftë, ai thotë se është e vështirë të bëhen prognoza për mënyrën e operimit të EULEX-it dhe institucioneve të Serbisë bazuar në të tilla marrëveshje.

“Përmes këtij protokolli, EULEX-i do të mundohet ta shtrijë pushtetin e tij në veri, t’i kontrollojë kufijtë, t’i kontrollojë doganat, të ketë më shumë akces në gjyqësi e polici në veri të Kosovës”.

“Kjo është ajo që EULEX-i e thotë herë hapur, herë indirekt për përfitimin që do të ketë Kosova. Por, çka do të përfitojë në realitet, është vështirë të prognozohet”,
thekson Murati.

Analistët vendorë dhe ata ndërkombëtarë kishin tërhequr vërejtjen se zbatimi në praktikë i protokollit për polici dhe atyre që mund të pasojnë për dogana e gjyqësi, do të mund të bëhej në përputhje me planin 6-pikësh të OKB-së për rikonfigurimin e pranisë civile ndërkombëtare në Kosovë.

Kjo gjë ishte hedhur poshtë sikurse nga përfaqësuesit evropianë, ashtu edhe nga Prishtina zyrtare, e cila e cilëson këtë plan si të vdekur.
XS
SM
MD
LG