EULEX-i dhe Qeveria e Serbisë kanë nënshkruar protokollin e shumëpërfolur për bashkëpunim policor. Menjëherë pas, kanë reaguar presidenti dhe kryeministri i Kosovës duke ritheksuar pozicionin e Prishtinës zyrtare se Republika e Kosovës nuk është palë në aranzhimet teknike midis EULEX-it dhe Ministrisë së Brendshme të Republikës së Serbisë për bashkëpunim në fushën e policisë.
Sidoqoftë, me gjithë kundërshtimin e Prishtinës, nënshkrimi i marrëveshjes teknike midis EULEX-it dhe Serbisë është konfirmuar nga zëdhënësi i misionit të BE-së, Kristof Lamfalusi.
“Po, e kemi nënshkruar këtë marrëveshje, këtë protokoll. Marrëveshja është nënshkruar në nivel teknik, siç kemi thënë edhe më herët, përkatësisht nga ana e kreut të komponentës së policisë së EULEX-it, Rainer Kuehn”, tha Lamfalusi.
Ai nuk ka dashur të bëjë komente tjera në lidhje me kundërshtimet e Prishtinës.
Menjëherë pas nënshkrimit, presidenti Fatmir Sejdiu dhe kryeministri Hashim Thaçi, përmes një deklarate të përbashkët konfirmojnë se Prishtina nuk është e përfshirë në këtë marrëveshje.
Në deklaratë thuhet se ftesa e Republikës së Kosovës për vendosjen e misionit evropian për rend dhe ligj, kishte për qëllim ndihmën që ky mision duhet të japë për institucionet e Kosovës në këto dy fusha.
“Me këtë rast ritheksojmë përkushtimin e palëkundur të institucioneve dhe të popullit të Republikës së Kosovës për bashkëpunim të ngushtë me praninë evropiane në Kosovë dhe me institucionet e Bashkimit Evropian në drejtim të konsolidimit të mëtejmë të shtetësisë dhe sovranitetit të Republikës së Kosovës, e në veçanti për të forcuar perspektivën evropiane të Republikës së Kosovës”, thuhet në deklaratën e liderëve kosovarë.
Institucionet e Kosovës, vijon deklarata, në asnjë mënyrë nuk do ta zbehin përkushtimin e Kosovës për të luftuar krimin e organizuar dhe në këtë kuadër të gjitha format e krimit tejkufitar.
“Theksojmë, po ashtu, se aranzhime të tilla nuk kanë dhe nuk mund të kenë asnjë ndikim në pavarësinë, sovranitetin dhe integritetin territorial të Republikës së Kosovës”, thonë Sejdiu e Thaçi përmes kësaj deklarate.
Përderisa kundërshtimet e Prishtinës ndaj këtij protokolli tashmë janë shprehur hapur, EULEX-i konfirmon angazhimet edhe për dy marrëveshje tjera me Serbinë
“Është shumë herët të flitet për drafte që janë ende në diskutim e sipër dhe se ende nuk jemi në atë fazë kur mund ta konfirmojmë nënshkrimin e këtyre dy protokolleve tjera në fushat e doganave dhe gjyqësisë”, tha Lamfalusi.
Marrëveshjet e EULEX-it dhe Serbisë janë përkrahur nga Bashkimi Evropian dhe vendet e Kuintit.