Ndërlidhjet

Ombudspersoni kërkon mbështetje


Pamje nga Prishtina
Pamje nga Prishtina

Ombudspersoni i Kosovës dhe misioni i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim Evropian u kanë kërkuar institucioneve kosovare që ta marrin më seriozisht punën e këtij mekanizmi, ndërsa u kanë bërë thirrje qytetarëve të të gjitha komuniteteve t’i adresojnë problemet e tyre në zyrën e Ombudspersonit. Në lidhje me këtë, Ombudspersoni dhe OSBE-ja lansuan fushatën mediale për të drejtat e njeriut.

Ombudspersoni në Kosovë dhe misioni i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim Evropian në vend, u kanë kërkuar institucioneve të Kosovës të marrin parasysh punën e Ombudspersonit, ngase, siç thuhet, vetëm atëherë ai do të mund të realizojë qëllimin për mbrojtjen e të drejtave të njeriut.

Në një konferencë për media, ku u lansua fushata mediale për të drejtat e njeriut, ombudspersoni i Kosovës, Sami Kurteshi, tha se do të jetë më këmbëngulës që të merret parasysh rëndësia e institucionit që ai udhëheq.

Ai theksoi se ankesat e qytetarëve të Kosovës për punën dhe trajtimin e tyre nga institucionet kosovare nuk do të hasin në vesh të shurdhër, ndërsa u zotua se do t’i përdorë të gjitha mjetet e mundshme që të zgjidhen rastet e inicuara nga zyra e Ombudspersonit.

“Ne premtojmë se do të jemi këmbëngulës që Kuvendi i Kosovës, që institucionet e Kosovës t’i kushtojnë kujdes të veçantë institucionit të popullit, jo vetëm me sigurimin e buxhetit financiar, por edhe me sigurimin e pozitës së një institucioni që merret me mbrojtjen e të drejtave të njeriut”,
tha Kurteshi.

Përfaqësues të OSBE-së, mision i cili ka ndihmuar themelimin e institucionit të Ombudspersonit në Kosovë që nga viti 2000, ndonëse e vlerësuan pozitiv zhvillimin e deritashëm të këtij mekanizmi, thanë se ky institucion duhet të jetë më i zëshëm ndaj institucioneve shtetërore.

Mirëpo, mbështetja e Qeverisë dhe institucioneve të tjera vendimmarrëse, sipas drejtorit të Departamentit për të Drejta të Njeriut dhe Komunitete, në OSBE, Christopher Decker, është parakusht për suksesin e Ombudspersonit.

“Nëse autoritetet nuk e marrin seriozisht Avokatin e popullit, atëherë ata nuk e marrin seriozisht as popullin. Shpresoj që Qeveria nuk do të ngurrojë t’i ofrojë mbështetje zotit Kurteshi, jo vetëm për të siguruar kontinuitetin e këtij institucioni, por gjithashtu të ndihmojë atë në implementimin e vendimeve të tij”
, tha ai.

Përfundimi i strukturës udhëheqëse të Ombudsperosnit, sipas Deckerit, është obligimi i radhës që duhet ta përmbushë Kuvendi i Kosovës.

“Hapi i ardhshëm në këtë proces është mjaft i rëndësishëm. Parlamenti tani, me të vërtetë, duhet të emërojë zëvendësombudspersonin, i cili do t’i ndihmonte zotit Kurteshi në punën e tij të rëndësishme”.

“Varet tani nga Kuvendi që të zgjedhë zëvendësin nga, së paku, tri komunitete në Kosovë. Është një rol i rëndësishëm i Kuvendit, i cili duhet ta përfundojë detyrën e tij”
, theksoi Decker.

Përveç kërkesave drejtuar institucioneve shtetërore, ombudspersoni Sami Kurteshi, u bëri thirrje edhe qytetarëve të Kosovës t’i adresojnë problemet e tyre në këtë institucion.

Ai pohoi se në radhët e qytetarëve serbë të veriut të vendit ka ende ngurrime për t’iu drejtuar zyrës së Avokatit të popullit.

“Ne kemi, vazhdimisht, ankesa të qytetarëve serbë. Krejt sinqerisht në pjesën veriore të Kosovës ka më pak-kjo nuk do të thotë se ka më pak probleme, por ka probleme të një natyre tjetër. Përndryshe, në pjesët e tjera të Kosovës ka vazhdimisht vizita, kërkesa dhe ankesa të qytetarëve serbë”
, shtoi ai.

Ombudspersoni i parë në Kosovë, i emëruar në vitin 2000 në këtë post, ishte polaku Marek Novitzky, ndërsa Sami Kurteshi është zgjedhur ombudspersoni i parë i shtetit të Kosovës këtë vit.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG