Ndërlidhjet

Server: Prishtina ka të drejtë të jetë e shqetësuar


Daniel Server
Daniel Server

“Institucionet e Kosovës kanë të drejtë të jenë të shqetësuara për aranzhimet e BE-së me Beogradin”, thotë për Radion Evropa e Lirë, Daniel Server, nga Instituti amerikan për paqe me seli në Uashington. Sipas tij, pasi ka shpallur pavarësinë, Kosova duhet të mësojë të sillet si e pavarur.

RADIO EVROPA E LIRË
Një Komitet i Bashkimit Evropian e ka mbështetur misionin EULEX në Kosovë, për të nënshkruar “aranzhime teknike” me Serbinë për bashkëpunim policor. Institucionet e Kosovës janë fuqishëm kundër këtyre aranzhimeve. Si e shihni ju këtë situatë?

DANIEL SERVER
Mendoj se institucionet në Prishtinë kanë të drejtë të jenë të shqetësuara për aranzhimet e Bashkimit Evropian me Beogradin. Më duket se Prishtina, pasi e ka shpallur pavarësinë, duhet të mësojë të sillet si e pavarur.

RADIO EVROPA E LIRË
Pra, ju mendoini se është i drejtë kundërshtimi nga institucionet e Kosovës?

DANIEL SERVER
Mendoj se ato duhet të shikojnë në çdo aranzhim të këtij lloji me qëndrimin për mbrojtjen e asaj, që ato e shohin si sovranitet të tyre, ashtu sikur që Beogradi e shikon çdo aranzhim të këtij lloji, në përpjekje për ta mbrojtur pretendimin e tij në sovranitet.

RADIO EVROPA E LIRË
Si e shpjegoni një lëvizje të këtillë të EULEX-it?

DANIEL SERVER
Bashkimi Evropian nuk është unik në njohjen e Kosovës. Për aq kohë sa BE-ja nuk është unike në njohjen e sovranitetit dhe pavarësisë së Kosovës, duhet të pritni që do të sillet në atë mënyrë, e cila ndoshta autoriteteve në Prishtinë nuk do t’u pëlqejë.

RADIO EVROPA E LIRË
Por, 22 prej 27 vendeve të BE-së e kanë njohur Kosovën...

DANIEL SERVER
Por, rregullat e bashkësisë janë rregulla që bazohen në konsensus, jo në shumicë. Në këtë aspekt, mund ta shikoni çështjen rreth emrit të Maqedonisë. Vetëm Greqia është problem. Kjo është pjesë e punës së BE-së.

RADIO EVROPA E LIRË
Gjatë javëve të fundit, në veri ka pasur tensione, pasi serbët lokalë nuk kanë lejuar rindërtimin e shtëpive të shqiptarëve. Disa zëra thonë se kjo ka ndodhur pasi atje nuk ekziston jo vetëm autoriteti i institucioneve të Kosovës, por edhe i misioneve ndërkombëtare e veçanërisht i EULEX-it. Nga pikëpamja juaj, kush duhet të fajësohet për këtë situatë?

DANIEL SERVER
Mendoj se nuk ka autoritet të instutucioneve ndërkombëtare në veri dhe veriu kontrollohet nga Beogradi. Prandaj, lejimi apo moslejimi i rindërtimit të shtëpive është për shkak të Beogradit dhe kjo situatë fatkeqe është lejuar që të vazhdojë.

RADIO EVROPA E LIRË
A mendoni se edhe më tutje do të vazhdojë kjo situatë?

DANIEL SERVER
Mendoj se kjo situatë do të vazhdojë për aq kohë sa Beogradi të jetë i përkushtuar për ta mbajtur një pjesë të Kosovës dhe ky përkushtim më duket shumë i fuqishëm.

RADIO EVROPA E LIRË
Por, po ashtu, bashkësia ndërkombëtare thotë se është e vendosur që Kosovën ta mbajë të plotë...

DANIEL SERVER
Komunitetin ndërkombëtar do ta përshkruaja si të vendosur në përpjekje për shmangien e një ndarjeje formale të Kosovës. Por, nuk kam parë vendosmëri të fuqishme në përpjekje për të evituar ndarjen de facto të Kosovës.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Server, deri tash, Kosovën e pavarur e kanë njohur 62 shtete. Sipas jush, a është ky numër i lartë apo i vogël?

DANIEL SERVER
Nuk është numër i keq, por nuk është i mjafuteshëm. Duhet të shkojë në më tepër se 100. Mendoj se gjërat do të duken krejtësisht ndryshe me më tepër se 100 njohje. Kjo mund të arrihet me diplomaci. Duhet të zhvillohen negociata me çdo vend.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG