Ndërlidhjet

Problemet në dialogun për të pagjeturit


Qeveria e Kosovës i ka kërkuar Zyrës Civile Ndërkombëtare në Kosovë dhe bashkësisë ndërkombëtare në përgjithësi, t’i bëjnë presion Qeverisë së Serbisë për pjesëmarrje, siç thuhet, aktive në dialogun dhe shkëmibimin e informatave për personat e pagjetur që nga periudha e pasluftës në Kosovë.

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Ramë Manaj, tha se dialogu, i cili, kohë më parë, kishte fillluar në mes të grupeve punuese për persona të pagjetur të Kosovës dhe Serbisë nuk ka qenë i frytshëm sa është pritur, marrë parasysh mungesën e angazhimit të Qeverisë së Serbisë.

“Ne presim, jo vetëm nga Zyra Civile Ndërkombëtare, por nga faktori ndërkombëtar, që të bëjë trysninë më të madhe te Qeveria serbe për të përcjellë informacionet për numrin më të madh të individëve, për të cilët ende nuk dihet”, tha Manaj, deklaratë kjo e cila nuk deshi të komentohej nga përfaqësues të Zyrës Civile Ndërkombëtare në Kosovë.

Ky mekanizëm, ditë më parë, ritheksoi mbështetjen për dialogun Prishtinë-Beograd mbi çështjen e personave të pagjetur në Kosovë, duke inkurajuar bashkëpunimin e të gjitha palëve në këtë proces. Mirëpo, sipas numrit dy të Qeverisë së Kosovës, Ramë Manajt, ky bashkëpunim është i pamundur për shkak të interesit të ulët të palës serbe.

“Nuk ka gatishmëri nga pala serbe për hapje të dosjeve për të përcjellë informacione dhe për të ndriçuar fatin e afro 1900 të pagjeturve, sa është numri i të pagjeturve deri më tani, nëse hiqet pjesa e rreth 400 mbetjeve mortore që gjenden në Morgun e Prishtinës”, u shpreh Manaj.

Sipas shifrave zyrtare, deri më tani nga Serbia janë kthyer mbi 40 nga rreth 400 trupa, të cilat aktualisht gjenden të paidentifikuara në Morgun e Prishtinës. Ndërkohë, në tërësi mësohet se nga Beogradi janë kryer 18 transferime, ku janë marrë më pak se 900 mbetje mortore.

Kryesuesi i Komisonit serb për të pagjetur, Velko Odalloviq, mohon që pala serbe të mos ketë interesimin e duhur në këtë drejtim.

“Jam thellësisht i bindur se duhet dhe ka bashkëpunim korrekt me grupin punues, të cilin e udhëheq nga ana kosovare zoti Pajazit Nushi. Ajo që deri më tash nuk është arritur, është se institucionet tjera, që përcjellin punën tonë dhe të cilat duhet të japin përkrahje të plotë, të cilat duhet të na japin më shumë informata, nuk janë në nivel të detyrës”.

“Ne konsiderojmë se bashkëpunimi ynë duhet të përkrahet nga përfaqësuesit e bashkësisë ndërkombëtare dhe të institucioneve në Prishtinë dhe Beograd”,
tha Odalloviq dhe shtoi se Qeveria dhe institucionet e Serbisë janë të ghatshme që me Prishtinën t’i ndajnë të gjitha informatat mbi vazrrezat e mundshme në territorin e Serbisë.

Ndërkohë, angazhimet e institucioneve vendore në lidhje me zbardhjen e fatit të personave të pagjetur kanë qenë në qendër të kritikave të organizatave dhe shoqatave të ndryshme. Kështu, shoqata “Thirrjet e Nënave” zhvilloi sot një protestë si shenjë pakënaqësie në lidhje me punën që institucionet relevante kanë bërë në këtë drejtim.
XS
SM
MD
LG