Ndërlidhjet

Sfidat para vitit të ri shkollor


Nesër, në të gjitha shkollat fillore dhe të mesme në Kosovë do të fillojë viti i ri shkollor 2009/2010. Zyrtarë në Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë pohojnë se kanë bërë të gjitha përgatitjet e duhura, ndërkaq sindikalistët e arsimit nuk shprehen të kënaqur me këto përgatitje. Sindikalistët kërkojnë prapë rritje të pagave të arsimtarëve.


Rreth 500 mijë nxënës dhe 30 mijë mësimdhënës në mbarë Kosovën nesër do të fillojnë procesin mësimor. Ndërkaq, mbi 36 mijë fëmijë për herë të parë do të ulen në bankat shkollore. Kështu bën të ditur zëvendësministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Agim Hyseni, duke shtuar se kjo ministri tashmë ka bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme për një fillim të mbarë të vitit të ri shkollor 2009/2010.

Hyseni thekson se mësimi në këtë vit do të fillojë në 20 objekte të reja mësimore, ndërsa Ministria e Arsimit, thotë ai, ka shpërndarë tekste falas për nxënësit nga klasa e parë deri në të nëntën.

“Do të shpërndahen të gjitha kompletet e librave me tekstet themelore dhe tekstet ndihmëse për të gjithë 320 mijë nxënësit e shkollave fillore, nga cikli i parë deri në klasën e pestë dhe nga e mesmja e ulët deri në klasën e nëntë, si dhe për vitin e parë në Komunën e Preshevës, Bujanocit dhe të Medvegjës”, shpjegon Hyseni.

Ndërtimi i objekteve shkollore mundëson përmirësimin e kushteve mësimore, por për të krijuar kushte për një mësim cilësor duhet të stimulohen mësimdhënësit, në mënyrë që ata të bëjnë punën e tyre vetëm në sistemin e arsimit dhe mos të mendojnë për punë dytësore. Kështu thotë Ali Shabani, kryetar i Sindikatës së Arsimit, Shkencës dhe Kulturës.

Ai pohon se në qershor të këtij viti, SBASHK-u ka kërkuar nga qeveria realizimin e katër kërkesave, njëra prej të cilave është edhe rritja e pagave të arsimtarëve.

Me vetë faktin se tani hartohet buxheti për vitin tjetër, ne kemi kërkuar që pikërisht në hartimin e buxhetit, ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë të kërkojë pozicionim të ri të buxhetit për pjesën që i takon atij. Pretendojmë që më së largu janari duhet të jetë muaji kur duhet të ndryshohen pagat”, shprehet Shabani.

Ndërkaq, zyrtarë në Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë thonë se mundësitë për rritjen e pagave gjatë këtij viti janë të vogla, por, megjithatë, Agim Hyseni premton se gjatë këtij mandati qeverisës do të ketë rritje të dytë të pagave, pasi një gjë të tillë, siç thotë ai, e ka premtuar edhe vetë kryeministri i Kosovës. Në bazë të Kushtetutës së Kosovës, mandati i qeverisë aktuale përfundon në fund të vitit 2011.

“Është premtuar nga kryeministri se brenda mandatit të tij do të ketë rritje substanciale për të gjithë punonjësit e arsimit. Do të thotë, brenda kësaj periudhe, në momentin kur të stabilizohet gjendja edhe në shëndetësi, edhe në sfera të tjera”, thotë Hyseni.

Por, Ali Shabani nuk e konsideron zgjidhje të duhur këtë, pasi, sipas tij, mësimdhënësit nuk janë të gatshëm të presin edhe dy vjet të tjerë.

“Kemi kërkuar kur qeveria ka mundësi t’i bëjë ato, do të thotë në një kohë, por jo në një kohë infinit, siç pretendon qeveria që ‘rritja e pagave do të bëhet gjatë mandatit tonë’. Mund të ndodhë që të jetë muaji i fundit i mandatit të tyre dhe kësaj i vjen era politikë”.

“Arsimtarët nuk janë të gatshëm të presin edhe dy vjet të tjerë që të bëhet edhe një lëvizje tjetër e pagave, ngase prioritet i kësaj qeverie që udhëheq vendin ishte arsimi dhe fillimisht propaganda ishte që paga të rritet qind për qind”,
shprehet Shabani.

Ndryshe, edhe vitin e kaluar, sindikalistët e arsimit patën paralajmëruar grevë në fillim të vitit të ri shkollor, nëse nuk rriten pagat e tyre. Pas kësaj, Qeveria e Kosovës pati marrë vendim për ngritjen e pagave deri në 47 për qind, varësisht nga shkalla profesionale e tyre.
XS
SM
MD
LG