Ndërlidhjet

Politizimi i kthimit të të zhvendosurve


Të zhvendosurit nga Kosova po shërbejnë si mjete për arritjen e qëllimeve politike, sikurse nga Beogradi zyrtar, ashtu dhe nga mekanizmat ndërkombëtarë që veprojnë në Kosovë, vlerësojnë organizatat për mbrojtjen e lirive dhe të drejtave të njeriut në Kosovë dhe përfaqësues të serbëve kosovarë. Konkludim i përbashkët i këtyre palëve është se i gjithë dëmi i këtij politizimi do të bie mbi personat e zhvendosur.


Organizatat për mbrojtjen e të drejtave të njeriut në Prishtinë thonë se procesi i kthimit të të zhvendosurve në Kosovë është politizuar dhe se kjo gjë, në periudhë afatgjate, do të sjellë pasoja të mëdha në aspektin e të drejtave të njeriut.

Drejtori ekzekutiv i Këshillit për Mbrojtjen e Lirive dhe të Drejtave të Njeriut në Kosovë, Bexhet Shala, thotë se që nga paslufta është vërejtur ndikimi i politikës në procesin e kthimit të të zhvendosurve.

Ai thekson se personat e zhvendosur nga Kosova jashtë vendit apo edhe nga vendbanimet e tyre brenda Kosovës po përdoren për arritjen e qëllimeve politike sikurse nga Beogradi zyrtar, ashtu dhe nga mekanizmat ndërkombëtarë që veprojnë në Kosovë.

“Beogradi manipulon për qëllime politike; bashkësia ndërkombëtare gjithashtu manipulon për qëllime politike, ngase në një anë i vardiset Beogradit, duke i bërë lëshime përmes personave të zhvendosur dhe, në anën tjetër, u bën presion institucioneve të Kosovës për të pranuar disa kushte, të cilat në rrethana normale nuk do të duhej të pranoheshin”, tha Shala.

Kthimi i banorëve shqiptarë nëpër shtëpitë e tyre në veri të qytetit të Mitrovicës kishte nxitur së fundi reagime të ashpra të serbëve të kësaj pjese, të cilët, përmes protestave, kundërshtonin një gjë të tillë.

Sipas KMLDNJ-së, ngjarjet në veri që lidhen me kthimin e të zhvendosurve shqiptarë dëshmojnë për, siç thuhet, ndikimin e thellë të politikës në këtë proces.

Kreu i kësaj organizate thotë se ndonëse institucionet kosovare kanë bërë përpjekje për kthimin e personave të zhvendosur, ka ndodhur një, siç e përshkruan ai, homogjenizim etnik në këtë proces. Shala thotë se u është dhënë përparësi të zhvendosurve serbë, ndërsa janë lënë anash të zhvendosurit e komuniteteve të tjera, siç janë boshnjakët apo romët.

“Në emër të sigurisë, po shkelen të drejtat elementare të njeriut. Po shkelet e drejta për kthim, po shkelet e drejta e posedimit të pronës... Po qe se vazhdohet në këtë mënyrë, jo që do të ruhet kjo gjendje e sigurisë, por do t’i kontribuohet përshkallëzimit të situatës, e cila mund të shpërthejë”, theksoi ai.

Edhe përfaqësuesit e serbëve të Kosovës pohojnë se për shkak të, siç thuhet, politizimit të procesit të kthimit në tërësi, janë dëmtuar interesat e personave të zhvendosur.

Përfaqësuesja e Këshillit Nacional Serb, Rada Trajkoviq, mendon se Beogradi nuk ka qenë aktiv në kuptimin e bashkëpunimit për kthimin e serbëve, madje as serbët që jetojnë në Kosovë. Ajo thotë se dallimet në vija etnike në procesin e kthimit dëmtojnë sidomos qytetarët e pjesës veriore të Kosovës.

“Mendoj se veriu i Kosovës duhet të jetë i hapur për lëvizje të lirë, ashtu sikurse edhe pjesët tjera të Kosovës. Do të thotë, lëvizja e lirë e qytetarëve duhet të jetë e garantuar për të gjithë njerëzit, pavarësisht përkatësisë kombëtare dhe pa marrë parasysh se e kanë ose jo të drejtën pronësore”,
tha Trajkoviq, duke theksuar nevojën për bashkëpunim në mes të gjitha palëve në këtë proces.

Komisariati i Lartë për Refugjatë i Kombeve të Bashkuara vlerëson se rreth 200 mijë refugjatë gjenden në vendet fqinje të Kosovës, shifër kjo e cila është hedhur poshtë nga Ministria për Kthim dhe Komunitete e Kosovës.

Në anën tjetër, sipas të dhënave të organizatave të ndryshme, brenda Kosovës gjenden rreth 15-20 mijë të zhvendosur dhe refugjatë.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG