Vera Ulijançenko, shefja e kabinetit të presidentit Jushçenko, denoncoi “tonin agresiv” të letrës së Medvedevit. Ajo tha se lidershipi rus është “peng i komplekseve të vjetra imperialiste”.
Zëvendësministri rus i Punëve të Jashtme, Grigori Karasin, ishte i shpejtë në kundër-reagim, duke thënë se letra reflektonte “shqetësimet” e Moskës për përkeqësimin e raporteve. Ai akuzoi Ulijançenkon për “keqinterpretim të qëllimshëm” të mesazhit të Medvedevit.
Letra e Medvedevit përmbante një sërë ankesash kundër Jushçenkos, përfshirë edhe pretendimin se Kievi i kishte ofruar armë Gjeorgjisë gjatë luftës së shkurtër me Rusinë, në gushtin e vitit të kaluar. Po ashtu akuzoi Ukrainën se po “shtrembëronte” historinë, duke insistuar se Uria e Madhe e viteve 1930 ishte një akt gjenocidi kundër ukrainasve.
Në një video-incizim nga rezidenca e tij në Soçi, presidenti shpjegoi se nuk do të dërgojë ambasador të ri në Kiev derisa të arrijnë “kohë të reja”.
“Jam i sigurt se kohë të reja do të vijnë. Por, në situatën aktuale, kam vendosur që të mos dërgoj ambasadorin tonë në Ukrainë. Ai do të fillojë punën më vonë. Jam i sigurt se lidhjet e shumëfishta mes Rusisë dhe Ukrainës do të kthehen, madje në një nivel më kualitativ, në një nivel të partneritetit strategjik. Këto kohë nuk janë larg. Shpresoj se udhëheqja e re e Ukrainës do të jetë e gatshme për këtë”, tha Medvedev.
Mesazhi jo i mprehtë i Medvedevit vjen pak pas vizitës kundërthënëse dhjetëditëshe në Ukrainë të patriarkut ortodoks rus, Kiril - një vizitë që u përcoll me protesta nga nacionalistët e Ukrainës dhe ankesa se vizita ishte pjesë e përpjekjeve ruse që të ushtrojnë trysni ndaj Ukrainës.
Po ashtu, letra vjen para zgjedhjeve të 17 janarit, ku anketat tregojnë se Jushçenko mbështetet me vetëm 4 për qind, kryeministrja Julia Timoshenko me 10 për qind dhe lideri i Partisë së Rajoneve, Viktor Janukoviq, me 20 për qind.
Shumë vëzhgues e shohin iniciativën e Medvedevit si një përpjekje për të ndikuar fushatën dhe zgjedhjet. Andro Barnov është shef i Institutit për Strategji dhe Zhvillim në Tbilisi.
“Kjo është një përpjekje për të bërë një ndërhyrje direkte dhe të fuqishme në politikën e brendshme të Ukrainës. Kjo është një përpjekje e hapur që politika agresive e Rusisë të ndikojë në rezultatin e zgjedhjeve të ardhshme. Rusia ka shumë më shumë burime dhe ndikim në Ukrainë, sesa në Gjeorgji, prandaj nuk përjashtohet mundësia që kjo politikë ruse të jetë e suksesshme”, tha Barnov.
Marek Siviec, anëtar polak i Parlamentit Evropian, mendon se letra paraqet fillimin e përfshirjes ruse në procesin zgjedhor të Ukrainës.
“Mendoj se gjuha e politikave imperialiste njihet mirë në Evropë. Rusët duan të jenë aktivë në procesin zgjedhor dhe ata thjesht e demonstrojnë këtë”, tha Siviec.
Por, ish-presidenti i Ukrainës, Leonid Kravçuk, hedh poshtë këto shqetësime, duke thënë se janë votuesit, e jo Kremlini, ata që vendosin se kush do jetë president i ardhshëm i Ukrainës.
“Populli i Ukrainës do të votojë për presidentin. Kjo është e drejta jonë dhe Rusia duhet ta pranojë këtë, sikur që pranojmë ne atë që ndodh në nivelet e larta të politikës ruse”, tha Kravçuk.
Ndërsa shumë vëzhgues i marrin sinjalet e Medvedevit me më shumë seriozitet, analisti politik rus, Dmitri Oreshkin, mendon se krejt kjo ndodh për konsum të brendshëm politik.
“Në vitet e fundit, në mënyrë konstante, jemi inkurajuar që të urrejmë ndonjë armik, qoftë Estoninë, Gjeorgjinë, Bjellorusinë, apo tani Ukrainën”, thotë Oreshkin.