Dhjetë vjet më parë, Rusia ndodhej pranë kolapsit shtetëror, me një president që po vdiste dhe me një ekonomi të sëmurë.
Liderët e rajonit kishin filluar me të madhe t’i përkrahin politikat separatiste, kurse Duma ishte e përçarë.
Vendi, madje, as që e vërejti kur më 9 gusht, 1999, presidenti Boris Jelcin e zgjodhi ish-operativin e KGB-së, Vladimir Putin, kryeministrin e pestë në 18 muajt e fundit.
Kur presidenti Boris Jelcin kishte thënë se dëshironte që president i Rusisë të jetë Vladimir Putin, një njeri jo shumë i njohur për opinionin e atëhershëm, ky vendim kishte shkaktuar habi në sistemin politik rus.
Vendimin për gazetarët e bëri të ditur kryeministri në largim, Sergei Shtepashin.
“Këtë mëngjes, unë vizitova presidentin dhe ai nënshkroi një dekret për dorëheqjen time. Ai më falënderoi dhe më përjashtoi mua. Ai emëroi për kryeministër Vladimir Putinin, sekretar i këshillit të sigurimit dhe drejtor i shërbimit të sigurisë. Ai është një njeri i mirë dhe i respektueshëm. Unë i dëshiroj fat”, pati thënë Shtepashin.
Dhjetë vjet më vonë, Putin, nga kryeministri ishte bërë president, për t’u rikthyer sërish vitin e kaluar në postin e kryeministrit.
Kur Putin filloi të qeverisë vendin, ai u ballafaqua me probleme të shumta. Ekonomia ishte njëri prej tyre, pastaj borxhet ndërkombëtare e deri te situata me militantet çeçenë, që atë kohë kishin filluar me veprime të dhunshme në Dagestanin fqinj.
Rusia u trondit nga një seri sulmesh shkatërruese me bomba në ndërtesa, të cilat ndodhën më 16 shtator, saktësisht një muaj pas konfirmimit të Putinit.
Gati 300 vetë u vranë nga këto shpërthime, për të cilat Qeveria akuzoi kryengritësit çeçenë, por kritikët e Kremlinit thanë se ky ishte një provokim i kryer nga shërbimet e sigurisë për të justifikuar luftën ne Çeçeni.
Më 1 tetor, trupat ruse rihynë në Çeçeni, tre vjet pas përfundimit të luftës së parë në Kaukazin Verior.
Pothuajse në të gjitha aspektet e pushtetit të Putinit gjatë një dekade, opinionet janë të ndara se çfarë lloji të situatës ai trashëgoi nga Jelcini.
Eduard Lukas, autor i veprës “Lufta e re e ftohtë”, thotë se Rusia ka pasur nevojë për një fillim të ri.
“Ka pasur nevojë të madhe për fillim të ri dhe unë mendoj se Putin e ka kapitalizuar. Ai ishte i matur, i kujdesshëm, kompetent dhe i dukshëm”, tha Lukas.
Vladimir Putin, gjatë dekadës në pushtet, kishte ndërmarrë veprime të shumta për të zbutur qëndrimet e partive politike dhe futjen e mediave nën kontroll shtetëror.
Prandaj, kjo mund të jetë sqarim për popullaritetin e Putinit, i cili rregullisht sillet midis 60% - 70%.
Si rezultat i kësaj, shumica e rusëve nuk shohin alternativë ndaj Putinit, thotë Boris Dubin, nga Qendra Hulumtuese Levada.
“Në një masë të madhe, autoriteti i Putinit, njohja e tij dhe vullneti për të mbështetur është propaganduar nga Kremlini, ndërsa mediat masive nën kontrollin e tij kanë punuar shumë për të krijuar një imazh të tillë”, thotë Dubin.