Përfaqësues të administratës së Kombeve të Bashkuara në Kosovë thonë se pas përfundimit të procesit të rikonfigurimit të këtij misioni, në fund të muajit qershor, objektivi strategjik i UNMIK-ut do të jetë lehtësimi i proceseve për garantimin e sigurisë dhe të stabilitetit në Kosovë dhe në Ballkan.
Zëdhënësi i UNMIK-ut, Rasell Giki, thekson se roli i ardhshëm i UNMIK-ut do të jetë tërësisht politik dhe do të përfshijë disa përgjegjësi në lidhje me raportet Prishtinë-Beograd.
“Kjo përfshin mbikëqyrjen dhe raportimin me theks të veçantë te bashkëpunimi me të gjitha komunitetet në Kosovë, përfshirë komunitetin serb. Një rol tjetër është promovimi i proceseve për të zgjidhur çështjet praktike ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit”.
“Ky ndryshim nënkupton që misionet tjera ndërkombëtare të jenë më operacionale në Kosovë”, tha Giki, duke rikujtuar bashkëpunimin e deritanishëm ndërmjet UNMIK-ut dhe misionit të Bashkimit Evropian për forcimin e sundimit të ligjit në transferimin e dosjeve.
Mirëpo, Giki thekson se, ndonëse i reduktuar, rëndësia e misionit të OKB-së në Kosovë do të qëndrojë në lehtësimin e, siç shprehet ai, proceseve integruese të Kosovës në mekanizma ndërkombëtarë. Një shembull për këtë lloj integrimi është Interpoli, institucion ky i cili nuk e njeh Kosovën si shtet.
“Nëse e keni fjalën për Interpolin, mund të them se ne e luajmë atë rol, sepse askush tjetër nuk mundet. UNMIK-u ka nënshkruar një memorandum bashkëpunimi me Interpolin. Kjo është diçka që mund të ndryshojë në të ardhmen, por kjo varet nga Interpoli, i cili do të mbajë asamblenë gjenerale në tetor”, theksoi Giki.
Paqartësitë e shumta që ishin krijuar, kohë më parë, rreth përgjegjësive të UNMIK-ut dhe të misioneve të BE-së në Kosovë, vlerësohet të jenë eliminuar pas përfundimit të ristrukturimit të administratës së OKB-së.
Zyrtarë të këtyre misioneve thonë se mandatet e tyre kanë kontura të veçanta në trajtimin e çështjeve të caktuara, ku roli kryesor, sipas tyre, i takon Qeverisë së Kosovës. Mirëpo, edhe vetë koordinimi në sektorin e sigurisë, sidomos në pjesën veriore të Kosovës, duket të jetë i nevojshëm. Zëdhënësi i EULEX-it, Kristof Lamfalusi, sqaron:
“Gjendja aktuale është se UNMIK-u ka zvogëluar praninë e vet në Kosovë dhe kemi takime koordinuese me UNMIK-un në veri, në rajonin e Mitrovicës. Këto takime mbahen për çështje të sigurisë dhe përfshijnë organizatat ndërkombëtare, siç janë KFOR-i, OSBE-ja, UNMIK-u, EULEX-i, por edhe Policinë e Kosovës”, tha Lamfalusi.
Pavarësiht ristrukturimit të UNMIK-ut, autoritetet kosovare i vlerësojnë funksionet e kësaj administrate si inekzistenete duke mirëpritur në gjyqësi, dogana dhe polici mbështetjen e misionit EULEX.