Ndërlidhjet

Lufta Gjeorgji – Rusi: Realiteti i ri, raportet e vjetra


Gusht, 2008.
Gusht, 2008.

Një vit pas luftës Gjeorgji – Rusi, pak gjë ka ndryshuar në pozicionet e dy palëve….


Një vit pas konfliktit ushtarak ndërmjet Gjeorgjisë dhe Rusisë, që la forcat ruse si okupuese në rajonet e Osetisë Jugore dhe në Abkhazi, tensionet sërish janë në rritje.

Zyrtarët gjeorgjianë, siç është deputeti David Darkiashvili, që kryeson Komitetin për Integrime Evropiane, vazhdojnë të mbështesin shpresat te aftësia e bashkësisë ndërkombëtare për të zgjidhur situatën.

“Bashkësia ndërkombëtare dhe ligji ndërkombëtar janë në anën e Gjeorgjisë. Nuk bën të dëshpërohemi nga provokimet e fundit të palës okupuese ruse. Bashkësia ndërkombëtare gjithnjë do të jetë e aftë për të përballuar aksionet e një shteti agresiv, iracional – pavarësisht nga madhësia e tij”, thotë Darkiashvili.

Por, dilema mbetet e hapur, sepse sanksionet e Bashkësisë Evropiane dhe NATO-s ndaj Rusisë pas luftës ishin afatshkurtra.

Daniel Korski, ekspert në Këshillin e Evropës për Marrëdhënie me Jashtë, thotë se lufta e gushtit nuk i ka ndryshuar shumë gjërat.

“Një vit pas, ne nuk shohim ndonjë ndryshim fundamental, së paku jo ashtu siç kishin supozuar disa”, thotë Korski.

Ai pohon se lufta e vitit të kaluar dëshmoi gatishmërinë e Moskës për të shfrytëzuar forcën kur e konisderon të nevojshme, por edhe shkurtëpamësinë e kësaj politike.

Eduard Lukas, autor i librit “Lufta e re e ftohtë”, pajtohet se nëse Kremlini ka synuar të dërgojë sinjal në qendrat botërore për rëndësinë e territoreve që i konsideron “fqinjësi e afërt”, atëherë ka bërë llogari të gabuar.

“Rusia tash ka filluar ta kuptojë se të kesh mosbesimin dhe frikën e fqinjëve, është disavantazh në realizimin e synimeve përfundimtare”, thotë Lukas.

Ai thotë se lufta e vitit të kaluar ka bërë që fqinjët e Rusisë të fillojnë të kuptojnë se nuk bën të lejojnë varshmëri energjetike nga Rusia.

Daniel Korski pohon se pikërisht ndihma për vendet e Evropës Lindore dhe të Kaukazit për t’u liruar nga varshmëria energjetike, është çështje që duhet çuar përpara.

“Çështja është se si të ndihmohet një numër i vogël vendesh që janë të varura nga dominimi energjetik i Rusisë. Kjo është një sfidë për politikëbërësit evropianë”, thotë Korski.

Sa i përket rolit të Shteteve të Bashkuara, disa thonë se lufta ka treguar se Gjeorgjia nuk është në kreun e listës së prioriteteve të Uashingtonit, pavarësisht faktit që Shtetet e Bashkuara kanë hedhur poshtë pohimet e Rusisë për një lloj sfere speciale të interesit në ish-hapësirën sovjetike.

Zyrtarë amerikanë thonë se “përmirësimi” i marrëdhënieve me Moskën nuk do të shkojë në dëm të vendeve fqinje të Rusisë, siç është Gjeorgjia ose Ukraina. Përkundrazi, ata thonë se Tbilisi dhe Kievi do të përfitojnë nga ky zhvillim eventual.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG