Ndërlidhjet

Perrit: Separatizmi po nxitet nga Beogradi


Henri Perrit
Henri Perrit

“Po t'i ndalonte Beogradi ndërhyrjet dhe po të ndalonin së kërcënuari banditët nacionalistë, me kohë do të ketë gjithnjë e më shumë serbë që do të integrohen në institucionet e Kosovës”, thotë Henri Perrit Jr., profesor në Kolegjin Kent të Çikagos.


RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Perrit, si një shtet i pavarur që prej 18 muajsh, Kosova vazhdon të përballet me disa çështje të pazgjidhura, në mesin e të cilave situata në veri mbetet sfidë serioze. A shihni ndonjë zgjidhje të kësaj çështjeje?

HENRI PERRIT
Mendoj se zgjidhja më e mirë është që Bashkimi Evropian ta përmbushë zotimin që i ka bërë pavarësisë së Kosovës. Madje, duhet të marrë një qëndrim që Serbia të mos pranohet në Bashkimin Evropian, derisa të pajtohet me faktin se Kosova është shtet i pavarur.

RADIO EVROPA E LIRË
Por, a mendoni se Bashkimi Evropian mund ta përmbushë atë zotim? Disa analistë kanë tërhequr vërejtjen se meqë pesë vende anëtare nuk e kanë njohur Kosovën, atëherë kjo mund të paraqesë problem…

HENRI PERRIT
Padyshim që është problem, por Bashkimi Evropian duhet të dëshmojë se ka kapacitet për të vepruar në mënyrë të arsyeshme dhe të besueshme në skenën ndërkombëtare.

Dhe, meqë shumica e fuqishme e vendeve anëtare të BE-së kanë njohur pavarësinë e Kosovës, atëherë lidershipi i Bashkimit Evropian duhet të insistojë tek pesë vendet anëtare që të paktën të mos veprojnë në formë aq penguese, madje edhe nëse nuk pajtohen me zgjidhjen që është bërë.

Mendoj se është çështje lidershipi dhe udhëheqja e Bashkimit Evropian, zëvendësimi i Havier Solanës, duhet të përmbushë zotimin që shumica e vendeve anëtare të bllokut evropian ka bërë.

E di që do të jetë e vështirë për pesë vendet tjera anëtare, sepse ato s’janë domosdoshmërisht të lidhura me vendimin e shumicës, por nëse ato duan të jenë anëtare konstruktive të BE-së, atëherë nuk duhet të sillen në formë kaq penguese.

Lidershipi i Bashkimit Evropian duhet të zbatojë atë që shumica e këtij blloku ka vendosur.

RADIO EVROPA E LIRË
Disa kanë tërhequr vërejtjen se veriu rrezikon të shndërrohet në një “konflikt të ngrirë”. A do të pajtoheshit?

HENRI PERRIT
Unë mendoj se ky rrezik ekziston dhe në fakt mendoj se ka qenë një lloj i konflikt të ngrirë që prejse NATO-ja dhe Kombet e Bashkuara nuk vepruan me forcë menjëherë pas fushatës ajrore të NATO-s. Pra, mendoj se kjo pjesë ka qenë “de-fakto” e ndarë nga pjesa tjetër e Kosovës që prej vitit 1999.

Njëkohësisht, mendoj se një pjesë e madhe e serbëve të Kosovës me kohë do të pranojë se e ardhmja e tyre gjendet tek shteti i pavarur i Kosovës.

Po t’i ndalonte Beogradi ndërhyrjet tek e ardhmja e tyre dhe po të ndalonin së kërcënuari banditët nacionalistë kur serbët e Kosovës tentojnë të marrin pjesë në institucionet e Kosovës, mendoj se me kohë do të ketë gjithnjë e më shumë serbë që do të integrohen në institucionet e Kosovës.
Unë mendoj se problemi i separatizmit është duke u nxitur nga Beogradi, si nga Qeveria e Serbisë, në masë të madhe edhe nga banditët nacionalistë.

RADIO EVROPA E LIRË
Profesor, përmendët më parë integrimin evropian. Shumëkush e sheh këtë proces si një rrugë për t’i ndërtuar raportet midis Kosovës dhe Serbisë. Cila mendoni se do të duhej të ishte qasja e duhur?

HENRI PERRIT

Gjëja më e rëndësishme për Bashkimin Evropian është ta bëjë të qartë se Serbia nuk do të pranohet derisa ta njohë pavarësinë e Kosovës. Gjëja tjetër e rëndësishme është që Bashkimi Evropian të hartojë rrugën për anëtarësimin e Kosovës.

Mendoj se ishte gabim i madh që Kosova u la jashtë regjimit të liberalizimit të vizave.

Nuk besoj se Kosova dhe Serbia duhet të jenë saktësisht në orarin e njëjtë; kjo mendoj se do të varet nga përparimet që bëjnë të dyja vendet, por dera nuk do të duhej të ishte aq e hapur për Serbinë sa është tani dhe të mos jetë aq vendosmërisht e mbyllur siç është për Kosovën.

RADIO EVROPA E LIRË
Ndërkohë, Kosova përballet me një betejë ligjore në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, mbi ligjshmërinë e deklaratës për pavarësinë e saj. Çfarë mund të pritet nga ky proces?

HENRI PERRIT
Ajo që mund të pritet është se e gjithë kjo do të zgjasë shumë, sepse proceset në GJND gjithmonë zgjasin shumë. Nuk besoj se dikush mund të japë ndonjë parashikim të besueshëm mbi vendimin e Gjykatës, sepse ne ende nuk i kemi parë dokumentet ligjore që janë deponuar nga të dyja palët.

Mendoj se këto dokumente do të bëhen publike nga Gjykata atëherë kur edhe fillojnë argumentimet - në vjeshtë.

Sidoqoftë, mendoj se më e rëndësishme se vetë procesi në GJND është që lidershipi evropian të jetë më efektiv në qëndrimin tashmë të miratuar nga shumica e vendeve të Bashkimit Evropian.

Gjithashtu, sërish më e rëndësishme se procesi në GJND, është që lidershipi në Kosovë të jetë sa më i vendosur dhe aktiv në zgjidhjen e çështjeve të politikës së brendshme, duke nisur nga krijimi i vendeve të punës, ndërtimi i infrastrukturës, veçanërisht në pjesën që i takon Kosovës në rrugën deri në Durrës.

RADIO EVROPA E LIRË
Sapo përmendët sfidat e brendshme të Kosovës. Çfarë mendoni për gjyqësorin në Kosovë? Ky sistem ka qenë mjaft i kritikuar deri më tash…

HENRI PERRIT
Sistemi gjyqësor është një turp. Siç e tregojnë edhe sondazhet e ndryshme të opinionit publik, sistemi gjyqësor dhe gjykatat gëzojnë nivelin më të ulët të besimit në Kosovë, në krahasim me cilindo institucion tjetër. Dhe, mendoj se publiku ka të drejtë në perceptimin e tij mbi sistemin gjyqësor.

Përmirësimi i kësaj çështjeje duhet të jetë prioritet urgjent i Qeverisë, por edhe i opozitës.

Një prej çështjeve shqetësuese është se përkundër debatit të ashpër që po zhvillohet midis Qeverisë Thaçi dhe opozitës së Haradinajt, aty nuk ka substancë. Ai debat duhet të shndërrohet në një substancë mbi ekonominë apo korrupsionin dhe jo të jetë hedhje balte sipërfaqësore kundër njëri-tjetrit.

Mendoj se cilido prej tyre mund ta bëjë këtë debat më thelbësor, qoftë Thaçi dhe Qeveria e tij, qoftë Haradinaj dhe opozita e tij. Deri më tash nuk ka pasur ndonjë debat substancial mbi politikat që duhet zbatuar në ekonomi ose krijimin e vendeve të reja të punës, sikur që nuk ka pasur debat të vërtetë as për gjykatat.

Do të ishte shumë më mirë për të ardhmen e Kosovës dhe demokracinë e saj nëse liderët fillojnë të flasin për thelbin dhe jo personalitetin e njëri-tjetrit.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG