Ndërlidhjet

Varfëria dhe pasojat e saj


Pamje në Prishtinë
Pamje në Prishtinë
Lufta kund varfërisë në Kosovë vazhdon të mbetet një ndër sfidat më të mëdha për institucionet vendore, thotë Ali Dragusha, nënkryetar i Konfederatës së Sindikatave të Lira të Kosovës. Ai thotë se një ndër faktorët që ndikojnë në standardin e ulët dhe në shkallën e lartë të varfërisë, është numri i madh i të papunëve.

Për një vend të lirë pune konkurrojnë 55 qytetarë, thotë ai, për të shtuar se ky fakt pasqyron më së miri gjendjen e vështirë socio-ekonomike të qytetarëve kosovarë. Ndërsa, organet kompetente nuk kanë qenë të përkushtuara sa duhet në zgjidhjen e këtij problemi, vlerëson Dragusha.

“Fatkeqësisht, nuk kemi vërejtur një seriozitet, edhe pse ka iniciativa, edhe pse ka përpjekje. Por, ajo shkalla që dëshirojmë ne si përfaqësues të Konfederatës së Sindikatave të Lira të Kosovës, ende nuk është arritur”.

“Mendojmë se ka forma të ndryshme për zbutjen e papunësisë, por, në rend të parë, ne mendojmë se duhet të jetë një plan-program për çështje sociale”,
thotë Dragusha.

Ai pohon se varfëria është një fenomen shumëdimensional me pasoja të dëmshme dhe të palakueshme për individët, të cilët gjenden në situatë të tillë. Të ardhurat e ulëta apo minimale të një familjeje të varfër, sipas tij, ndikojnë drejtpërdrejt dhe në emancipimin e familjes, si në edukim, po ashtu edhe në arsimim.

“Mund të them se bazuar në këtë shkallë, pasojat janë shumëdimensionale, duke filluar prej çështjeve personale, familjare, por edhe në nivel të shoqërisë. Dhe, në këtë drejtim, mendoj se shoqëria jonë nuk mund të rrijë indiferente apo gjysmë-indiferente”.

“Si organe kompetente duhet të ndërmarrin hapa drejt zbutjes së kësaj çështjeje apo në njëfarë forme të përpjekjes për zbutjen e shkallës së papunësisë dhe varfërisë”,
shprehet Dragusha.

Ndryshe, sipas statistikave të Bankës Botërore, 45 për qind e popullsisë jetojnë në varfëri, 15 për qind në varfëri të skajshme, ndërkaq 18 për qind të qytetarëve të tjerë janë të rrezikuar nga varfëria.

Përfaqësues të institucioneve kosovare thonë se po bëjnë përpjekje të vazhdueshme për të luftuar varfërinë në Kosovë, edhe pse kjo betejë, siç thonë, është shumë e vështirë.

Gjergj Dedaj, zëvendësministër i Punës dhe Mirëqenies Sociale, thotë se në bazë të projekteve të ndryshme, Qeveria e Kosovës po mundohet të zbusë shkallën e varfërisë, në mënyrë që të ulen dhe pasojat e saj.

“Jemi në presion të vazhdueshëm nga ana e Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale që ta zbusim shkallën e papunësisë në Kosovë, që është enorme, është tepër shqetësuese. Dhe, kjo po ndikon drejtpërdrejt në çështjet e varfërisë”.

“Për këtë arsye, Ministria e Punës, si dizajnuese e politikave të punësimit, do të bëjë krejt çfarë është e mundshme në kompetencat e saj, në radhë të parë që të ndërtojë marrëveshje bashkëpunimi me ministritë homologe, me qeveritë e vendeve të ndryshme në aspektin e punësimit dhe të çështjeve sociale”,
pohon Dedaj.

Për të zbutur sado pak gjendjen e qytetarëve që jetojnë në kushte të vështira socio-ekonomike, Ministria e Punës, deri në maj të këtij viti, në skemën e ndihmave sociale ka të regjistruar mbi 35.000 mijë familje me mbi 155.000 anëtarë, që marrin nga 35 deri në 65 euro në muaj, varësisht nga numri i anëtarëve.

Sidoqoftë, sipas vlerësimeve të organizatave ndërkombëtare, varfëria mbetet një ndër shqetësimet kryesore të kosovarëve, të cilët mendojnë se situata e rëndë ekonomike e kërcënon edhe stabilitetin e vendit
XS
SM
MD
LG