Italia kërkon organizimin e samitit të shefave të shteteve dhe të qeverive të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian, të cilët, së bashku me Shtetet e Bashkuara, do të jepnin nxitje konkrete dhe të qartë për anëtarësim të vendeve të Ballkanit në BE, tha ministri i Jashtëm italian, Franko Fratini.
“Italia fuqishëm mbështet proceset integruese të vendeve të Ballkanit Perëndimor. Italia ishte i vetmi vend nga ‘pjesa perëndimore’, ndër anëtarët e BE-së, që me shkrim ka insistuar që për qytetarët e rajonit të hiqet regjimi i vizave”, i tha zoti Fratini gazetës beogradase, Veçernje Novosti.
Duke u shprehur për heqjen e vizave për qytetarët e Serbisë, prej fillimit të vitit të ardhshëm, ministri italian, Fratini, theksoi se BE-ja i vazhdon bisedimet me autoritetet në Beograd, në mënyrë që të gjendet një zgjidhje e pranueshme për dhënien e pasaportave për serbët, që jetojnë në Kosovë.