Ndërlidhjet

Ebadi: Në Iran duhen zgjedhje të reja


Shirin Ebadi
Shirin Ebadi

Fituesja e Çmimit Nobel për Paqe, Shirin Ebadi, i tha Radios Evropa e Lirë se autoritetet iraniane do të duhej të mbanin zgjedhje të reja, të cilat do të monitoroheshin nga vëzhgues ndërkombëtarë.



Në ditët e kaluara, Irani është tronditur nga protesta të dhunshme kundër rizgjedhjes së presidentit Mahmud Ahmedinexhad.

Opozita ka akuzuar qeverinë se ka bërë mashtrim masiv në këto zgjedhje, ndërkohë që Ahmedinexhad vazhdon të theksojë se rezultati i zgjedhjeve reflekton dëshirën e popullit.

Si i sheh këto zhvillime fituesja e Çmimit Nobel për Paqe?

“Populli iranian po shfaq dyshimet dhe po vë në pikëpyetje rezultatet zgjedhore. Me miliona njerëz kanë dalë në rrugë për të shprehur kërkesat e tyre në mënyrë paqësore. Kërkesat e tyre paqësore, fatkeqësisht, kanë hasur në reagime të dhunshme. Janë së paku tetë njerëz të vrarë në rrugë dhe disa të tjerë në Universitetin e Teheranit. Ka edhe shumë të plagosur”, thotë ajo.

Teheran
Ebadi pohon se masat e dhunshme të autoriteteve kanë qenë aq intensive, sa shkaktuan zemërim dhe dilema edhe në radhët e anëtarëve të Parlamentit.

Ndërkohë, Këshilli Mbrojtës shprehu gatishmëri për të rinumëruar votat, por reformatorët dhe protestuesit kanë kërkuar më shumë.

Cilat duhet të jenë, sipas Ebadit, hapat e ardhshëm të institucioneve iraniane në këtë drejtim?

“Së pari, ata që janë arrestuar në ditët e fundit, duhet të lirohen menjëherë dhe pa kushte. Duhet të shtrohet gjithashtu pyetja se përse janë arrestuar? Vetëm pse kanë shprehur pakënaqësitë në mënyrë qytetare dhe paqësore”, pyetet fituesja e Çmimit Nobel.

Ajo thotë se janë shumë të arrestuar dhe pothuaj të gjithë i përkasin krahut reformator, si p.sh. ish-zv/presidenti Abdol Fatah Soltani dhe reformatori i njohur, Saed Hajarian, i cili është në gjendje të rëndë shëndetësore.

Shtrohet pyetja se cilat masa do të mund t’i zgjidhnin kërkesat e protestuesve. Ebadi këmbëngul se ekziston vetëm një zgjidhje: zgjedhjet e reja.

“Besoj se rinumërimi i votave në kushtet aktuale nuk do të zgjidhte asgjë. Zgjedhje të reja duhet të mbahen tani dhe këto zgjedhje duhet të monitorohen nga organizata ndërkombëtare, në mënyrë që të gjithë pjesëmarrësit të jenë të bindur me votimin e drejtë”,
tha për Radion Evropa e Lirë, Shirin Ebadi, fituese e Çmimit Nobel për Paqe.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG