Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, gjatë një konference për media, ka deklaruar se me shumicën e votave të Bordit të Guvernatorëve të Bankës Botërore, Kosova është bërë anëtare e këtij institucioni të rëndësishëm ndërkombëtar financiar.
“Me anëtarësimin në Bankën Botërore, Kosova do të mund të tërheqë edhe më shumë resurse dhe do të ketë edhe një rejting më të fuqishëm ndërkombëtar, edhe në kuptimin e marrjes së kredive. Anëtarësimi rrit besimin tek investitorët e huaj, krijon siguri më të madhe, si dhe rrit interesimin e tyre për të investuar në Kosovë”, tha kryeministri Thaçi.
Ai bëri të ditur se Kosova ka fituar mbështetje për anëtarësim në Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe në Bankën Botërore edhe prej vendeve që janë në procedurë të njohjes së shtetit të Kosovës.
“Anëtarësimi i Republikës së Kosovës në Bankën Botërore është një hap përpara në arritjen e objektivit tonë për të qenë shtet demokratik, i zhvilluar, me perspektivë të sigurt për integrim në strukturat e Bashkimit Evropian”, deklaroi Thaçi.
Pas anëtarësimit të Kosovës në FMN dhe në Bankën Botërore, kryeministri Thaçi tha se pret anëtarësimin e plotë edhe në Bankën Evropiane për Rindërtim e Zhvillim. Sipas Thaçit, këto zhvillime do të kenë efekte të drejtpërdrejta edhe në njohjet e reja të shtetit të Kosovës.
"Me anëtarësimin në Bankën Botërore dhe në FMN dhe së shpejti në Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, do të kemi shumë alternativa dhe shumë mundësi për zhvillimin e ardhshëm të Kosovës, për zbutje të papunësisë dhe mirëqenie më të mirë për qytetarët”, u shpreh kryeministri kosovar.
Sipas kryeministrit Thaçi, anëtarësimi i Kosovës në institucione monetare paraqet edhe përgjegjësi më të mëdha për vendin në zhvillimin ekonomik, por edhe angazhim të shtuar në luftimin e dukurive negative.
Nënshkrimi i marrëveshjes për anëtarësim të Kosovës në Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe në Bankën Botërore, sipas ministrit të Ekonomisë dhe Financave, Ahmet Shala, pritet të bëhet në javën e dytë të këtij muaji.
“Kosova do të përfaqësohet në grupin e drejtorëve ekzekutivë nga shtetet mike të Kosovës. Përcaktimin për një grup shtetesh apo për shtetin që do të përfaqësojë, do ta bëjë konform bisedave, mundësive reale në sferën ekonomike dhe politike botërore”, tha Shala.
Ndryshe, më 9 maj të këtij viti, Kosova u bë anëtarja e 186-të e Fondit Monetar Ndërkombëtar. Pro anëtarësimit të Kosovës në FMN kishin votuar 96 shtete, 38 kishin abstenuar, kurse 10 vende ishin kundër.
Për anëtarësimin e Kosovës në Bankën Botërore, kusht ishte anëtarësimi paraprak në FMN, si dhe miratimi nga Kuvendi i Kosovës i Ligjit për Anëtarësimin e Kosovës në këto dy institucione financiare.