Ndërlidhjet

Kadare: Koha po punon për shqiptarët


Ismail Kadare
Ismail Kadare

Shkrimtari i njohur shqiptar, Ismail Kadare, tha në Prishtinë se koha po punon për Kosovën dhe për shqiptarët. “Një gjë është e vërtetë, që Kosova ecën përpara, kombi shqiptar ecën përpara, koha punon për ta”, ka thënë ai.


Shkrimtari shqiptar me famë botërore, Ismail Kadare, u ka përçuar porosinë shqiptarëve gjithandej, se koha është duke punuar për ta. Për të ardhur deri te këto momente, Kadare ka lënë të kuptohet se nuk ka qenë e lehtë, meqë, siç thotë ai, jo gjithmonë është lehtë të mbrohet e drejta.

Ai i ka bërë këto komente në Prishtinë, pas takimit që pati me presidentin Fatmir Sejdiu.

“Është kënaqësi që të shikoj se si këtu ka njerëz që punojnë për Kosovën, për interesat e saj, i mbrojnë ato interesa, ndonëse nuk është e lehtë që gjithnjë të mbrohen interesat e një populli. Ka një paragjykim, se të mbrosh të drejtën, është e lehtë. Të mbrosh të drejtën është disa herë tepër e vështirë, ashtu sikurse është e lehtë për shtete të tjera që mbrojnë të shtrembrën, mbrojnë mashtrimin. Për fat të keq, kjo ndodh, ne nuk mund të ndryshojmë zakonet e njerëzimit”, tha Kadare.

Por, e rëndësishme, sipas Kadaresë, është që koha është duke punuar për shqiptarët dhe Kosovën.

“Një gjë është e vërtetë, që Kosova ecën përpara, kombi shqiptar ecën përpara, koha punon për ta. Kur koha punon për një popull, jo të gjithë e kanë të lehtë ta kuptojnë që koha punon për ta. Madje, shpesh kujtojnë, kur koha punon për ta, kujtojnë ose u krijohet iluzioni se koha nuk punon për ta – ose e kundërta. Dhe, këtu ndodhin shpesh tragjedi. Kam kënaqësinë ta përsëris që koha punon për Kosovën, koha punon për shqiptarët”, u shpreh Kadare.

Në anën tjetër, presidenti Fatmir Sejdiu e ka quajtur Kadarenë ambasadorin më të mirë të prezantimit të identitetit shqiptar në Evropë.

“E falënderoj për mbështetjen e fuqishme dhe porositë e gjithmonshme në kohën e duhur për ecjet tona dhe përkushtimin në mbështetje të mëtejme për rolin që ka, pasi që është personalitet unikat, dhe duhet ta them misionar dhe ambasador më i mirë në kuptimin e prezantimit të identitetit shqiptar në Evropë. Njeriu që ka shpërthyer në 4 anët e globit në mënyrën më të mirë të mundshme”,
tha presidenti Sejdiu.

Ismail Kadare, lidhjen me Kosovën e ka shprehur në shumë nga librat dhe publikimet e tij, të cilët sensibilizuan opinionin evropian në kohën kur populli shqiptar i Kosovës kalonte nëpër periudha të vështira të mbijetesës.

Kadare po viziton Kosovën me ftesë të Universitetit Amerikan të Kosovës.

Për kontributin që ka dhënë për gjuhën shqipe dhe letërsinë dhe shërbimet tjera bërë kombit shqiptar, Universiteti Amerikan i Kosovës i ka dhuruar zotit Kadare titullin e nderit Doktor i Letërsisë.

“Të marrësh një titull nderi të tillë, në një vend që ka vetëm një vit që ka fituar pavarësinë, është vërtet një gjë e mrekullueshme. Të jesh në një sallë me studentë, të cilët e marrin diplomën e tyre një vit pasi vendi i tyre ka fituar pavarësinë, gjithashtu është një gjë e rrallë. Kështu që nuk është aspak e tepruar nëse unë them këtu se kjo është një ceremoni historike dhe ju jeni studentë historikë”, u shpreh Kadare, pas marrjes së titullit Doktor i Letërsisë në ceremoninë, ku të pranishëm qenë ndër të tjerë edhe kryeministri Hashim Thaçi e ambasadori amerikan, William Walker.

Ismail Kadare jeton dhe vepron në Paris. Ai është shkrimtari shqiptar, librat e të cilit janë përkthyer më së shumti në dhjetëra gjuhë të botës. Kadare është laureat i çmimit Man Booker International dhe disa herë kandidat i çmimit Nobel për letërsi.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG