Komisioni Evropian ka nënshkruar sot një marrëveshje me Kosovën, në kuadër të Instrumentit të Paraanëtarësimit në Bashkimin Evropian, me të cilën ndan një shumë prej 60 milionë eurosh për zhvillimin e infrastrukturës në Kosovë.
Bëhet fjalë për një pjesë të donacioneve që BE-ja i ka premtuar Kosovës në Konferencën e Donatorëve.
Shuma prej 60 milionë eurosh të ndara sot, ka destinim ndërtimin e Pallatit të Drejtësisë, përmirësimin e furnizimit me ujë të Prishtinës dhe projekte të tjera.
Kryeministri Hashim Thaçi tha se nënshkrimi i kësaj marrëveshjeje dëshmon edhe një herë perspektivën evropiane të Kosovës. Ai u zotua se do të angazhohet që të ketë transparencë të plotë për të gjitha paratë e evropianëve që do të shpenzohen për rindërtimin dhe rimëkëmbjen ekonomike të Kosovës - si shteti më i ri që aspiron drejt integrimit në BE.
“Qeveria e Kosovës është duke i bërë të gjitha reformat adekuate për të përshpejtuar përmbushjen e standardeve për t’u integruar në Bashkimin Evropian. Asistenca financiare, ndihmë përmes procesit të paraanëtarësimit, është duke i ndihmuar jashtëzakonisht Kosovës, që të përmbushen sa më shpejtë gjitha kriteret për anëtarësim”, tha Thaçi.
Ndërkohë, shefi i Zyrës së Komisionit Evropian në Prishtinë, Renzo Davidi, tha se BE-ja do të mbështesë zhvillimin e demokracisë dhe infrastrukturës në Kosovë. Një përkushtim i veçantë, siç tha Davidi, mbetet çështja e sundimit të ligjit në Kosovë.
Këta 60 milionë euro do t’i shërbejnë shumë Kosovës në përmirësimin e infrastrukturës së përgjithshme. Këtu vlen të theksohet ndërtimi i pallatit të drejtësisë...
“Këta 60 milionë euro do t’i shërbejnë shumë Kosovës në përmirësimin e infrastrukturës së përgjithshme. Këtu vlen të theksohet ndërtimi i pallatit të drejtësisë. Ky objekt do t’i përmirësojë kushtet e punës për gjykatësit, prokurorët dhe profesionistët e tjerë të angazhuar në këtë sektor, si dhe do të mundësojë një qasje shumë më të mirë të drejtësisë për të gjithë qytetarët e Kosovës”, tha Davidi.
Në Konferencën e Donatorëve, Bashkimi Evropian kishte premtuar një ndihmë prej 508 milionë eurosh, të cilat do të realizohen në periudhën kohore deri në vitin 2011.
Ndërtimi i shtetit dhe demokracisë në Kosovë, sipas kryeministrit Thaçi, po bëhet në harmoni me kriteret evropiane, në mënyrë që Kosova të zë hapin me vendet tjera, që besojnë se perspektiva e tyre është integrimi në strukturat e Bashkimit Evropian dhe NATO-s.