Ndërlidhjet

Arifi: Papunësia mbi 45 për qind


Haxhi Arifi
Haxhi Arifi
Nuk do të jemi vazalë të askujt, por do të jemi oponencë e Qeverisë dhe gjithmonë do ta ruajmë pavarësinë, sepse ia kemi dhënë këtë detyrë vetes që kur jemi themeluar, thotë për Radion Evropa e Lirë Haxhi Arifi, kryetar i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës, në Ditën Ndërkombëtare të Punës.


RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Arifi, sa mbrohen të drejtat e punëtorëve në Kosovë?

HAXHI ARIFI
Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës është duke bërë një punë - si detyrë që e ka për t’i mbrojtur të drejtat e punëtorëve dhe liritë sindikale, por të drejtat e tyre dhe liritë sindikale në një mënyrë janë të kushtëzuara nga ajo se si vepron edhe shteti.

Megjithatë, ne, si BSPK, mendoj se jemi duke e kryer një detyrë, një punë ashtu siç parashihet edhe me programin tonë, me kërkesat që gjithmonë ia parashtrojmë Qeverisë. Mendoj se disa prej kërkesave që i kemi pasur më herët, me sukses i kemi realizuar përmes dialogut, që e kemi pasur si moto “Ne jemi për dialog”.

Normalisht, ne asnjëherë nuk jemi të kënaqur në atë drejtim, sepse ky subjekt gjithmonë ka probleme, jo mujore e vjetore, por të përditshme, sepse në një situatë siç është Kosova, tani në tranzicion, me një numër të madh të të papunëve që kanë mbetur nga privatizimi, të atyre që presin punë, por edhe të atyre që do të largohen.

RADIO EVROPA E LIRË
Në cilin sektor shkelen më tepër të drejtat e punëtorëve, në atë privat apo në atë publik?

HAXHI ARIFI
Këtu shkelje ka në të dy sektorët, por me një theks të veçantë është sektori privat, sepse aty ne nuk e kemi pasur ligjin. Në sektorin privat nuk ka pasur kontrata të punës, nuk ka pasur orar të punës, nuk ka mbrojtje në punë, nuk ka mbrojtje shëndetësore; të gjitha këto kanë qenë ato shkelje, të cilat ne i kemi quajtur si krime që bëhen ndaj punëtorëve.

Por, ky sektor është me theks të veçantë, por mendoj se tashmë me zbatimin Ligjit të punës, ata të cilët do të bëjnë shkelje në këtë drejtim për punëtorin që mos të ketë mbrojtje në punë, të mos ketë të gjitha ato të drejta që i parash ligji, atëherë ata edhe do të dënohen nga inspektorati, i cili duhet të punojë edhe ne do të jemi krah i djathtë i tyre, t’i paraqesim të gjitha problemet që janë nëpër ndërmarrjet private.

RADIO EVROPA E LIRË
Sa është shkalla e papunësisë në Kosovë?

HAXHI ARIFI
Ne kemi statistika që e tregojnë atë shkallë e papunësisë. Ne e kemi thënë me dhjetëra herë deri më tani, se nuk është ajo shkallë sipas statistikave, domethënë 45 për qind, por është edhe më e lartë në këtë moment. Dhe, besoj se në këtë drejtim bashkërisht jemi gjithmonë duke punuar, që ky numër i madh nga statistika e të papunëve, të shkohet drejt zvogëlimi. Por, megjithatë duhet të bëjmë punë më të madhe në këtë drejtim, në mënyrë që të arrijmë ta zvogëlojmë shkallën e papunësisë.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Arifi, në fillim të këtij viti ka filluar të zbatohet Ligji i punës. Cilat janë vështirësitë gjatë zbatimit të tij?

HAXHI ARIFI
Ne kemi pasur fat, që më në fund, pas dhjetë vjetësh, Ligji i punës u aprovua nga Kuvendi i Kosovës. Duhet të them se kjo është bërë edhe me një trysni nga BSPK-ja. Ky ligj, që nga viti i ri ka filluar të zbatohet, por çka është më e rëndësishme, ky ligj ka zgjuar kureshtje edhe te punëdhënësi.

Ne jemi një shtet i ri, i cili duhet të funksionojë një bazë të ligjeve dhe në këto momente edhe Ligji i punës duhet të respektohet në sektorin e punëdhënësve dhe te bizneset, sepse nuk dëshirojmë të ketë njerëz mbi ligjin. Aktualisht, BSPK-ja është si një lloj monitoruesi në zbatimin e ligjit, sepse këtë detyrë duhet ta bëjë Qeveria me mekanizmat e vet, siç është inspektorati i punës.

RADIO EVROPA E LIRË
Në shumë vende të botës 1 Maji shënohet me protesta dhe manifestime nga më të ndryshmet, që organizohen nga mekanizmat sindikalë. Me gjithë pakënaqësitë që ekzistojnë në Kosovë, kërkesat e punëtorëve nuk dëgjohen edhe aq shumë në formë institucionale. Pse?

HAXHI ARIFI
Motoja jonë është se ne jemi për dialog dhe me anë të dialogut t’i zgjidhim problemet. Por, nëse kërkohet që të përdorim edhe mekanizmat që i lejon Kushtetuta e sindikatës, statuti, janë edhe protestat dhe grevat. Në dy vjetët e fundit kemi organizuar protesta, kemi pasur edhe kërkesa.

Në protestën e fundit i kemi pasur dhjetë kërkesa që të plotësohen dhe në këtë drejtim, brenda protestës së një majit të vitit të kaluar, nga dhjetë kërkesat, shtatë janë përmbushur dhe ne si BSPK, konsiderojmë se ka qenë sukses në atë drejtim.

Por, assesi nuk jemi të kënaqur, sepse, siç thashë edhe më herët, është një papunësi e madhe dhe ne pikërisht aty e kemi vënë theksin, te hapja e vendeve të reja të punës. Bashkimi i Sindikatave nuk i bën ato (vendet e punës), por duhet t’i krijojë dikush tjetër, mirëpo ne bëjmë trysni në atë drejtim, e njëkohësisht bëjmë trysni edhe në zbatimin e Ligjit të punës.

Nëse ne e zbatojmë këtë ligj, ashtu sipas neneve e pikave, kemi llogaritur që mund t’i hapim deri në 50 mijë vende të reja të punës. Pse e them këtë? Sepse deri më sot, kur nuk është zbatuar Ligji, një punëtor ka punuar deri në 16 orë dhe pikërisht aty e fitojmë një vend pune, sepse sanksionohet me ligj nëse ai bën më shumë se 40 orë punë në javë.

Ne, kur kemi llogaritur se sa punëtorë punojnë në Kosovë, kemi vërejtur se aty ka vende të lira pune, por vetëm nëse zbatohet dhe respektohet ligji.

RADIO EVROPA E LIRË
Jeni akuzuar shpesh si BSPK se jeni nën ndikime politike. Sa janë të vërteta këto pohime?

HAXHI ARIFI
Nuk na bëjnë përshtypje akuzat e tilla, sepse ato akuza mund t’i bëjnë njerëzit, të cilët nuk punojnë, e që nuk janë subjekte, që mendojnë të drejtat e punëtorëve dhe liritë sindikale. Ne e kemi dhënë provimin në këtë drejtim dhe sigurisht që gjithmonë do të kemi dashakëqij, që do të flasin keq për këtë subjekt, sepse na kanë zili që ne punojmë dhe bëjmë diçka në këtë drejtim.

Derisa të jem unë, jam i bindur se nuk do të jemi vazalë(servilë) të askujt, por do të jemi oponencë e Qeverisë dhe gjithmonë do ta ruajmë pavarësinë, sepse ia kemi dhënë këtë detyrë vetes që kur jemi themeluar. Unë jam njëri nga themeluesit e parë që nga vitet ‘90.

Prandaj, ne kemi edhe diçka tjetër, që mendoj se është e mirë, të zgjedhurit që i zgjedh populli, ne i respektojmë derisa të mos ndërrohen. Ne, me një Qeveri duhet të bisedojmë dhe ajo Qeveri është pikërisht ajo që e zgjedh populli, por assesi kurrë nuk do të biem nën ndikimin e tyre që të na imponojnë se çfarë duhet bërë ne.

Ne jemi të pavarur, për shkak se ne nuk financohemi nga Qeveria, por mbijetojmë me paratë që i ndan anëtarësia e jonë.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG