Pjesëtarët e policisë së misionit evropian për forcimin e sundimit të ligjit, EULEX, edhe të premten kanë shfrytëzuar gazin lotsjellës për të shpërndarë turmën e protestuesve serbë, të cilët kundërshtojnë rindërtimin e shtëpive të disa banorëve shqiptarë në lagjen Kroi i Vitakut, në veri të Mitrovicës.
Përfaqësuesit e komunitetit serb që jetojnë në afërsi të kësaj lagjeje, kanë zhvilluar bisedime me autoritetet e EULEX-it në lidhje me disa kërkesa, përmbushja e të cilave është vënë si kusht për ndërprerjen e protestave të këtij komuniteti.
Sipas këtyre kërkesave, rindërtimi i shtëpive të pronarëve shqiptarë në Kroin e Vitakut duhej të bëhej paralelisht edhe me rindërtimin e shtëpive të banorëve serbë, me një orar të caktuar për të dyja palët.
Sidoqoftë, bisedimet me misionarët e BE-së duket të mos kenë sjellë rezultate. Njëri nga përfaqësuesit e banorëve serbë në këtë lagje, Sinisha Llaziq, fajëson këtë mision për gjendjen aktuale në këtë pjesë të Kosovës.
...nuk kemi arritur asnjë marrëveshje me përfaqësuesit e EULEX-it. Ata janë faktorët kryesorë këtu që të mos zgjidhet situata në mënyrë paqësore...
“Thjesht, nuk po duan ta miratojnë propozimin tonë, prandaj edhe nuk kemi arritur asnjë marrëveshje me përfaqësuesit e EULEX-it. Ata janë faktorët kryesorë këtu që të mos zgjidhet situata në mënyrë paqësore dhe me bisedime në Kroin e Vitakut, por thjesht me dhunë”, tha Llaziq,
Llaziq ka paralajmëruar edhe mundësinë e bisedimeve me administratën e Kombeve të Bashkuara, për të shqyrtuar propozimin e tyre. Por, UNMIK-u ka kaluar tashmë pjesën më të madhe të përgjegjësive te misioni EULEX, zyrtarë të të cilit vlerësojnë se çështja e rindërtimit të shtëpive në veri të Mitrovicës nuk mund të trajtohet nga ky mision, ngase, siç thonë ata, një gjë e tillë nuk përfshihet në mandatin e EULEX-it.
“Qëndrimi ynë është i qartë. Roli ynë është të ofrojmë siguri duke mbështetur Policinë e Kosovës dhe të sigurojmë që çdokush të ketë siguri gjatë kthimit dhe rindërtimit të shtëpive të veta, pa marrë parasysh etninë apo marrëdhëniet ndërmjet komuniteteve”, u shpreh zëdhënësja e EULEX-it, Karin Limdal.
Autoritetet lokale në Mitrovicë, ndërkohë, shprehen të gatshme të marrin parasysh kërkesat e serbëve lokalë, por theksojnë se shtëpitë, të cilat aktualisht janë pronë e serbëve, nuk kanë qenë të tilla para një kohe të caktuar.
Kryetari i Komunës së Mitrovicës, Bajram Rexhepi, thotë se, megjithatë, Komuna e Mitrovicës do të respektojë të drejtën e pronës se serbëve në fjalë, po qe se në mënyrë ligjore verifikohet çështja e pronës së rreth 20 shtëpive të serbëve.
“Në Kroin e Vitakut, në atë pjesë nuk ka pasur pronë të serbëve, ndërkohë ata i kanë blerë disa prona. Mirëpo, si institucione të përgjegjshme, ne e respektojmë edhe të drejtën e pronës. Natyrisht se ne nuk mund të bëhemi pengesë dhe t’ua kontestojmë këtë, nëse këto transaksione janë bërë përmes gjykatave të Kosovës ose të UNMIK-ut në atë kohë”, theksoi kreu i Mitrovicës.
Pavarësisht kësaj, serbët paralajmëruan protesta edhe më të zgjeruara për shkak të pakënaqësive të tyre.
“Nëse kërkesat tona nuk zgjidhen në formë pozitive, atëherë nga e hëna do të nisim protesta më masive dhe në forma të ndryshme dhe nuk do të heqim dorë prej tyre”, tha Llaziq.
Procesi i rindërtimit të shtëpive të pronarëve shqiptarë në lagjen Kroi i Vitakut në Mitrovicë kishte rifilluar afro dy javë më parë.