Ndërlidhjet

Pakicat dhe Gjykata Kushtetuese


Anëtarë të Komisionit të posaçëm për përcaktimin e kandidatëve për gjyqtarë të Gjykatës Kushtetuese thonë se ka kandidatë serbë që kanë aplikuar për postin e gjyqtarit në këtë institucion. Ekspertët, ndërkohë, tërheqin vërejtjen se mund të ketë zvarritje shtesë deri në funksionalizmin e tërësishëm të Gjykatës Kushtetuese, marrë parasysh ecurinë momentale të këtij procesi.


Me gjithë qasjen kundërshtuese të një pjese të madhe të subjekteve politike serbe si dhe të banorëve serbë karshi institucioneve shtetërore të Kosovës, duket se gjatë procesit për përcaktimin e gjyqtarëve për Gjykatën Kushtetuese të Kosovës do të përfshihen dhe serbët, ku për postin e gjyqtarit njoftohet se kanë aplikuar dy kandidatë nga komuniteti serb.

Anëtari i Komisionit parlamentar përgjegjës për përpilimin e listës së kandidatëve për gjyqtarë të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, Ibrahim Makolli, thotë se lista përfundimtare, e cila, ditë më parë, i është dorëzuar Kryesisë së Kuvendit të Kosovës, përbëhet nga gjithsejtë 21 kandidatë, prej të cilëve 17 shqiptarë, 2 nga komuniteti serb, si dhe 2 nga komunitetet tjera pakicë.

“Në këtë listë janë gjithsejtë 21 kandidatë; 17 janë shqiptarë, prej të cilëve zgjidhen 4 gjyqtarë për Gjykatën Kushtetuese, ashtu siç e parasheh Kushtetuta dhe ligji; 2 kandidatë janë të pakicës kombëtare serbe, prej të cilëve përzgjidhet njëri; ndërsa, 2 kandidatë të tjerë janë nga radhët e komuniteteve pakicë, prej të cilëve përzgjidhet po ashtu njëri”, njoftoi Makolli.

Sipas Kushtetutës dhe ligjit, gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese duhet të jenë juristë të shquar dhe personalitete me moralin më të lartë, si dhe të kenë jo më pak se dhjetë vjet përvojë profesionale përkatëse.

Makolli thotë se Komisioni intervistues për gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese tanimë ka përmbyllur mandatin dhe se, tash e tutje, çdo gjë do të varet nga Kuvendi i Kosovës, i cili me dy të tretat e votave duhet të votojë strukturën e gjyqtarëve për institucionin në fjalë.

Mirëpo, njohësit e së drejtës kushtetuese në Prishtinë kanë qëndrime kritike karshi procedurave të zbatuara nga Komisioni intervistues për Gjykatën Kushtetuese. Eksperti për çështje ligjore, Ismet Salihu, thotë se është dashur të ngrihen kriteret në mënyrë që të ngushtohet rrethi i kandidatëve potencialë për Gjykatën Kushtetuese.

“Ka mundur të eliminohet gati gjysma e këtyre aplikuesve, për shkak se do nuk do t’i përmbushnin këto kushte. Paneli intervistues, pastaj, do ta ngushtonte rrethin prej 10-15 që kanë mbetur në së paku 2 dhe mandej të procedohet”, theksoi Salihu.

Ai thotë se çështja e përzgjedhjes së 6 gjyqtarëve nga këta kandidatë mund të bëhet problematike për shkaqe të shumta.

“Të shkohet me rreth 20 kandidatë në Parlament dhe të votohet atje me dy të tretat e votave në këtë atmosferë dhe në këtë mënyrë, pothuaj është e pamundur, duke pasur parasysh edhe interesat e ndryshme të partive politike”, tha Salihu.

Lista përfundimtare e kandidatëve për Gjykatën Kushtetuese i ishte dorëzuar të hënën Kryesisë së Kuvendit të Kosovës, e cila, në mbledhjen e fundit, kishte vendosur të mos e fusë në rend të ditës të seancës plenare të 14 majit këtë çështje.

Makolli mendon se për këtë temë si dhe për çështjen e Ombudspersonit duhet të ketë një seancë të veçantë plenare.

“I kam propozuar Kryesisë së Kuvendit që të organizohet një seancë e veçantë për përzgjedhjen e gjyqtarëve për Gjykatën Kushtetuese dhe të Avokatit të Popullit, në mënyrë që këto çështje të mos përzihen me pikat e tjera të rendit të ditës”, tha Makolli.

Gjykata Kushtetuese e Kosovës do t’i ketë 9 gjyqtarë, prej të cilëve 4 shqiptarë dhe 2 minoritarë, si dhe 3 ndërkombëtarë, të cilët do të përzgjidhen nga Zyra Civile Ndërkombëtare në Kosovë. Vendimet e Gjykatës Kushtetuese janë të detyrueshme për gjyqësorin dhe të gjithë personat dhe institucionet e Republikës së Kosovës.
XS
SM
MD
LG