Ndërlidhjet

ISHP: S'ka raste tjera të dyshuara të gripit


Qendra Emergjente në QKUK
Qendra Emergjente në QKUK

Instituti i Shëndetit Publik ka njoftuar se analizat e para të familjarëve të pacientes, për të cilën u dyshua se vdiq nga "gripi i derrave”, kanë rezultuar negative. Instituti thotë se nuk ka dyshime për raste tjera.



Analizat e para të familjarëve të pacientes nga Stublla e Vitisë, të kryera nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik, kanë rezultuar negative.

Rezultate të njëjta kanë dalë edhe në analizat e të gjithë mjekëve dhe teknikëve medicinalë, që kishin pasur kontakte me pacienten tashmë të ndjerë. Ata janë rekomanduar që të mos paraqiten në punë, deri në përfundim të fazës së inkubacionit.

Ndërkohë, janë hedhur poshtë pohimet për rast të ri të “gripit të derrave” në Kosovë. Drejtori i Institutit të Shëndetit Publik, Naser Ramadani, thotë se pas rastit të dyshimtë të “gripit të derrave”, të pacientes nga Stublla, janë marrë masa në tri drejtime, në diagnostifikim, në dezinfektim dhe masa parandaluese, që virusi të mos përhapet nëse eventualisht do të konfirmohej si pozitiv. Po ashtu është hulumtuar edhe vatra eventuale e infeksionit.
Anëtarët e familjes kanë rezultuar si negativë dhe nuk kanë pasur asnjë shenjë të gripit në familje...

“Ekipet e epidemiologjisë së Institutit të Shëndetit Publik kanë shkuar në afat rekord në vatër, kanë përpunuar të gjitha rastet dhe anëtarët e familjes, që kanë rezultuar si negativë dhe nuk kanë pasur asnjë shenjë të gripit në familje, dhe gjithashtu, pas disa orëve, me një shpejtësi rekorde të Departamentit të Mikrobiologjisë, janë bërë analiza nga pacientja dhe rezultatet laboratorike kanë qenë negative”.

“Në këtë kontekst, masat e ndërmarra kanë vazhduar që të bëhen, është mbyllur vatra e infeksionit, janë rekomanduar mjekët dhe personeli që të mbrohen në mënyrë rigoroze me rroba, maska dhe syza dhe është marrë edhe mostra e tretë, që duhet të referohet nga laboratorët e OBSH-së”,
tha Ramadani.

Ai ka thënë se ekipe të Institutit të Shëndetit Publik sërish kanë shkuar sot në Stubëll për të përsëritur analizat mjekësore.

Pamje në Meksikë - vendi ku janë shfaqur rastet e para të të infektuarve me virusin H1N1
“Ekipet sot janë në terren, por duke pasur parasysh një situatë jo të favorshme për ne, sepse pacientja ka përfunduar fatalisht, siç e dini dje, dhe mund të ndodhë se sot është zi apo ceremoni varrimi, mund të ketë problem apo kundërshtime nga anëtarët e familjes që nuk e japin gjakun”.

“Në këto raste nuk insistojmë me çdo kusht, por ekipet e Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik janë në Stubëll, për të marrë gjithë materialin e nevojshëm, që të marrin materiale laboratorike për të gjithë anëtarët e familjes, për të konfirmuar testet e njëjta që i kemi bërë dje”,
u shpreh Ramadani.

Vajza 27 vjeçare nga Stublla e Vitisë ka ndërruar jetë dje, derisa ishin hedhur dyshime se ajo vuante nga i ashtuquajturi “grip i derrave”. E ndjera kishte ardhur në Kosovë një javë më parë nga Zvicra.

Instituti i Shëndetit Publik njoftoi se dy lloje analizash të kryera nga ta, kanë rezultuar të jenë negative. Megjithatë, sipas drejtorit Naser Ramadani, derisa të kryhen analizat edhe nga laboratorët e Organizatës Botërore të Shëndetësisë, rasti vazhdon të trajtohet si i dyshimtë.

“Ne kemi hequr një barrë me analizat tona, por nuk mund të garantojmë pa ardhur analiza e tretë. Kështu që ne vazhdojmë ta trajtojmë si rast të dyshimtë dhe masat që janë ndërmarrë, janë ndërmarrë në këtë drejtim, si rast i dyshimtë. Prandaj, nuk ka pasur kurrfarë rreziku që nga fillimi, që nga vatra, e pastaj edhe kontrolli i anëtarëve tjerë të familjes“, tha Ramadani.

Ndërkohë, Ministria e Shëndetësisë siguron qytetarët se ka ndërmarrë masat e kërkuara nga Organizata Botërore e Shëndetësisë për të parandaluar depërtimin dhe përhapjen e virusit H1N1, që e shkakton të ashtuquajturin “grip të derrave”. Ushtruesi i detyrës së sekretarit të përhershëm në këtë ministri, Haxhi Kamberi, shpjegon:
Kemi siguruar një sasi të terapisë Tamiflu dhe material tjetër shpenzues, në rast të nevojave dhe të shfaqjes së gripit të derrave në Kosovë.

“Po bëjmë atë që është e mundur, që të mos shfaqet gripi i derrave në Kosovë dhe të mos përhapet. Në këtë kuadër, kemi siguruar një sasi të terapisë Tamiflu dhe material tjetër shpenzues, në rast të nevojave dhe të shfaqjes së gripit të derrave në Kosovë”, u shpreh Kamberi.

Zyrtarë të Institutit të Shëndetit Publik thonë se nuk ka indikacione për ndonjë rast tjetër të dyshimtë të infektimit me virusin H1N1, që shkakton atë që njihet me emrin “grip i derrave”. Ky grip ka origjinën nga Meksika, në të cilin vend la të vdekur dhjetëra njerëz. Aktualisht, thuhet se gripi ka prekur 1900 persona në 24 shtete të botës.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG