Ndërlidhjet

Prishtina: S’ka devijim nga Plani i Ahtisaarit


Presidenti Sejdiu dhe kryeministri Thaçi
Presidenti Sejdiu dhe kryeministri Thaçi

Presidenti dhe kryeministri i Kosovës kanë hedhur poshtë idenë e ndryshimeve të mundshme në Planin e Ahtisaarit, siç propozon Fondacioni për Marrëdhënie Ndërkombëtare dhe Dialog të Jashtëm, me seli në Madrid.


Kosova nuk do të shmanget nga zbatimi i Planit të Ahtisaarit, thanë sot udhëheqësit e institucioneve të Kosovës.

Presidenti dhe kryeministri i Kosovës thanë se Plani i Ahtisaarit paraqet një marrëveshje, por edhe kompromis që Kosova ka bërë për të arritur shtetësinë e saj.

Ndërkaq, duke iu referuar një analize të bërë nga Fondacioni për Marrëdhënie Ndërkombëtare dhe Dialog të Jashtëm, me seli në Madrid, që Plani Ahtisaari duhet të zëvendësohet me një plan alternativ, presidenti Fatmir Sejdiu tha se kjo çështje tashmë është e mbyllur dhe se Kosova po zbaton dhe do të vazhdojë ta zbatojë Planin e Ahtisaarit, në marrëveshje me miqtë e saj ndërkombëtarë.

“Kosova mendon ashtu siç ka menduar Evropa bashkë me Kosovën. Ne kemi kapërcyer një proces të madh, të gjatë kohor dhe shumë të vështirë të kompromiseve të mëdha dhe në bazë të këtij projekti, doli deklarata e njohjes së Republikës së Kosovës, ku nënvizohet Projekti Ahtisasri. Ne jemi besnikë se do ta realizojmë, jemi zotuar, nuk e kemi me hile”, ka deklaruar Sejdiu.

Ndërkohë, edhe kryeministri Hashim Thaçi tha se Plani i Ahtisaarit i ka hapur rrugën pavarësisë së Kosovës, e cila sot është njohur nga vendet më të fuqishme botërore dhe e cila synon që të jetë pjesë e integrimeve euroatlantike.

“Plani i Ahtisaarit është ai që është dhe plani për Kosovën evropiane është vizion i institucioneve të Kosovës, është vullneti i popullit dhe është mbështetje ndërkombëtare, që Kosova të jetë pjesë e NATO-s dhe Bashkimit Evropian”, ka thënë Thaçi.

Ndërsa kanë përjashtuar mundësinë e shmangies nga zbatimi i Planit të Ahtisaarit, udhëheqësit kosovarë edhe sot i kanë kundërshtuar shkrimet dhe akuzat kundër luftës së ish-UÇK-së për, siç thuhet, krimet e bëra gjatë kohës së konfliktit, sidomos në zonën e Kuksit në Shqipëri.

Kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi, tha se edhe institucionet e Kosovës krahas EULEX-it janë të interesuara të zbardhen këto akuza, për të vërtetuar, siç tha ai, pastërtinë e luftës së UÇK-së.

“E gjithë kjo është në shërbim të një propagande që ka qenë e drejtuar jo vetëm gjatë, por edhe para luftës ndaj të gjitha atyre forcave politike që kanë luftuar për pavarësinë e Kosovës”, pohon Krasniqi.

Ndërkohë, kryeministri Hashim Thaçi i ka cilësuar akuzat si shpifje jo vetëm kundër UÇK-së, por edhe kundër sukseseve që kanë arritur këto vitet e fundit shqiptarët në përgjithësi.

“Sot, Shqipëria është në NATO, kurse NATO është në Kosovë. Kështu që natyrisht se jo çdokush i gëzohet këtij suksesi, sepse shqiptarët janë bërë faktor i stabilitetit në rajon. Vlerat e UÇK-së janë vlerat e të gjithë shqiptarëve, prandaj këto janë sulme qëllimkëqija në kohën e progresit të jashtëzakonshëm dhe historik të shqiptarëve”, thotë Thaçi.

Udhëheqësit kosovarë edhe sot nuk e kanë përjashtuar mundësinë që akuzat ndaj luftës së UÇK-së mund të kenë si synim zbehjen e pozicionit të Kosovës para fillimit të procesit në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, ku pritet që të jepet një mendim këshillëdhënës në lidhje me shpalljen dhe njohjen e pavarësisë së Kosovës.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG