Ndërlidhjet

Veteranët dhe invalidët e luftës në grevë


Veteranët dhe invalidët e UÇK-së mbajnë grevë para ndërtesës së Qeverisë së Kosovës, 14 prill '09.
Veteranët dhe invalidët e UÇK-së mbajnë grevë para ndërtesës së Qeverisë së Kosovës, 14 prill '09.

Veteranë dhe invalidë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës janë duke vazhduar grevën para ndërtesës së Qeverisë së Kosovës dhe janë të vendosur të qëndrojnë aty deri në përmbushjen e kërkesave të tyre.


Veteranët dhe invalidët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kanë kritikuar institucionet vendore për neglizhencën e treguar ndaj tyre që nga përfundimi i luftës së fundit në Kosovë.

Ata kërkojnë nga institucionet e Kosovës që të marrin masa për krijimin e kushteve më të mira për jetë dhe trajtim dinjitoz për të gjithë ata që kanë luftuar për pavarësinë e vendit.

Lirim Haxholli, përfaqësues i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave të Luftëtarëve të UÇK-së, thotë se kërkesat e tyre nuk janë të parealizueshme dhe, sipas tij, Qeveria e Kosovës duhet të ketë buxhet që do të mund ta dedikojë pikërisht për këta njerëz.

“Neve na intereson zgjidhja e problemeve tona. Jo vetëm kjo Qeveri, por të gjitha qeveritë kanë anashkaluar veteranët e luftës”, thotë ai.

Kërkesat e veteranëve dhe invalidëve të luftës janë: zbatimi i Ligjit për vlerat e luftës së UÇK-së, strehimi i invalidëve, veteranëve të luftës dhe familjeve të dëshmorëve, shërimi i invalidëve, si dhe disa kërkesa të tjera, si lirimi nga pagesat e rrymës, ujit etj.

Megjithatë, zoti Haxholli shpreson në përmbushjen e këtyre kërkesave nga ana e Qeverisë së Kosovës. Ai thekson se në rast të mospërmbushjes së tyre nga ana e Qeverisë, do të përdorin edhe forma tjera demokratike të protestave, deri në përmbushjen e kërkesave të tyre.

“Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, si duket ka vullnet të mirë për përmbushjen e kërkesave tona. Ai na ka premtuar se do t’i përmbushë kërkesat tona, që, përveç tjerash, janë: zbatimi i Ligjit për vlerat e luftës së UÇK-së dhe përkujdesje për familjet e dëshmorëve dhe invalidëve te luftës”,
pohon Haxholli.

Ndërkaq, një veteran i luftës, i cili dëshiron të mbetet anonim, thotë:

“Që 10 vjet i kemi lënë qeveritarët për t’u kujdesur për familjet e dëshmorëve, veteranët dhe invalidët e luftës. Unë dhe familja ime gjashtë-anëtarësh jetojmë me 72 euro në muaj”.

Në anën tjetër, Faik Fazliu, këshilltar i kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi, thotë se Qeveria e Kosovës është duke bërë përpjekje për krijimin e kushteve më të mira për këtë kategori të shoqërisë në Kosovë, ndërkohë që deri më tani, sipas tij, veteranëve, invalidëve të luftës, si dhe familjeve të dëshmorëve u janë mundësuar paga mujore dhe shërbime falas nëpër institucionet shtetërore.

“Kryeministri Thaçi, pas takimit që ka pasur me grevistët, ka ofruar gatishmërinë e Qeverisë për përmbushjen e kërkesave të tyre, edhe përkundër asaj që shumë prej kërkesave të tyre tanimë janë të përmbushura. Brenda kësaj jave, shpresojmë se në bashkëpunim me shoqatat e luftës dhe përfaqësuesit e komunave, do të arrihet një zgjidhje”, thotë Fazliu.

Ndërkohë, Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut, në një komunikatë të lëshuar për media, thotë se kjo organizatë angazhohet për plotësimin e kërkesave të veteranëve dhe kërkon që Qeveria e Kosovës të ndërmarrë veprime të menjëhershme për përmirësimin e statusit të tyre material dhe atij shoqëror.

“KMDLNJ mendon se për zgjidhjen e statusit të veteranëve të luftës së ish-UÇK-së, për model duhet të merret Kroacia, si dhe Bosnja dhe Hercegovina. Veteranët e luftës së ish-UÇK-së meritojnë trajtim dinjitoz në çdo aspekt, andaj ky obligim i Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe i shoqërisë kosovare duhet të përmbushet sa më parë që të jetë e mundur”, thuhet në komunikatën shpërndarë mediave.

Ndryshe, veteranët dhe invalidët e luftës së UÇK-së thonë se do të vazhdojnë grevën e tyre të urisë, të nisur para ndërtesës së Qeverisë së Kosovës, deri në përmbushjen e kërkesave të tyre.

Ligji është miratuar më 24 shkurt të vitit 2006, por përmbajtja e tij ka vazhduar të jetë temë diskutimesh midis administratës së Kombeve të Bashkuara dhe institucioneve vendore të Kosovës.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG