RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Palmer, një vit më parë Kosova miratoi Kushtetutën e saj - të parën si shtet i pavarur. Cilat mendoni se janë problemet me të cilat aktualisht po përballet Kosova në zbatimin e kësaj Kushtetute?
PETER PALMER
Mendoj se sfida e parë, për të cilën të gjithë janë të vetëdijshëm, është se Qeveria e Kosovës akoma nuk ka kontroll mbi të gjithë territorin e saj. Integrimi i territorit dhe integrimi i serbëve në jetën politike dhe sociale në Kosovë janë sfidat më të mëdha të pazgjidhura.
Sigurisht se zbatimi i Kushtetutës, ndërtimi i institucioneve shtetërore, si dhe krijimi i një qeverisjeje efektive - janë procese të gjata, të cilat nuk mund të arrihen plotësisht përgjatë natës. Këto kanë qenë procese të gjata në të gjitha vendet në tranzicion, që kanë kaluar nga komunizmi.
Në rastin e Kosovës, duhet të them se është një shtet i ri dhe se sfidat janë më të mëdha, sesa në cilindo shtet që ka kaluar përgjatë periudhës së tranzicionit. Pra, ka akoma shumë për të bërë, në mënyrë që të ndërtohet shtetësia e Kosovës, por mendoj se ka zhvillim të duhur në drejtim të duhur në shumë fusha.
RADIO EVROPA E LIRË
Përmendët zbatimin e Kushtetutës në veri të Kosovës. A po e rrit ky problem, siç thuhet, rrezikun e ndarjes së Kosovës?
PETER PALMER
Mendoj se thjesht nuk do të vijë deri te ndarja. Mendoj se mund ta përjashtojmë këtë mundësi, sepse kurrë nuk do të fitojë mbështetjen ndërkombëtare. Por, duke pasur një ndarje de fakto për një periudhë të tejzgjatur, përbën një dëm për vetë banorët në veri, për Kosovën, për marrëdhëniet e Kosovës me Serbinë dhe normalizimin e këtyre marrëdhënieve.
Me këtë gjë duhet marrë në vazhdim. Realisht, nuk po i kushtohet vëmendja e duhur kësaj çështjeje. Kosova nuk do të mund ta integrojë veriun shumë shpejt. Mendoj se duhet të bëhen hapa të vegjël në këtë drejtim.
Mendoj se do të ndodhin ndryshime në veri, në momentin kur do të ndodhin ndryshime politike në radhët e serbëve dhe udhëheqësve serbë në veri. Kur të ndodhë kjo - dhe kjo do të ndodhë - atëherë do ta ndryshojë situatën atje dhe do t’i lehtësojë gjërat.
RADIO EVROPA E LIRË
Edhe pse Kosova këto ditë shënon njëvjetorin e miratimit të Kushtetutës, Rezoluta 1244 mbetet ende në fuqi. A përbën kjo gjë një pengesë për punën e Qeverisë së Kosovës?
PETER PALMER
Nuk mendoj se duhet të fokusohet shumë mbi këtë gjë. Fakt është që realizimi i shtetësisë së Kosovës ka ndodhur në një mënyrë dhe në rrethana që definitivisht nuk kanë qenë ideale dhe për të cilat nuk ka shpresuar askush në Kosovë, e as në arenën ndërkombëtare.
Kosova ka shpallur pavarësinë, por nuk është njohur gjerësisht sa ka pritur. Nuk është njohur nga Kombet e Bashkuara. Fakti që anëtarët kyçë të Këshillit të Sigurimit të OKB-së nuk e kanë njohur atë, përbën një problem të madh për Kosovën. Dhe, përderisa ekziston kjo situatë, Rezoluta 1244 do të mbetet në fuqi.
Sido që të jetë, do të thosha se Kosova, me gjithë këto sfida dhe kundërshtime rreth shtetësisë së saj, do të mund të vazhdojë të ndërtojë shtetësinë e saj në praktikë, në terren. Fakti që Rezoluta 1244 është akoma valide dhe se vazhdon të ketë një prani të UNMIK-ut, mund të pranohen nga Kosova, e cila duhet të vazhdojë të punojë në mënyrë normale.
RADIO EVROPA E LIRË
Përveç UNMIK-ut, në Kosovë janë të angazhuar edhe EULEX-i, edhe ICO-ja. Sa ndikon prania e tyre në qeverisjen e Kosovës?
PETER PALMER
Pasojë e asaj që pavarësia e Kosovës nuk është pranuar nga të gjithë dhe se nuk ka konsensus ndërkombëtar për këtë çështje, është tani kjo përbërje e komplikuar ndërkombëtare, me organizata të ndryshme ndërkombëtare - gjë që nuk është pritur.
Pritjet ishin që UNMIK-u të tërhiqet dhe ICO-ja të bëhet organizata më e lartë ndërkombëtare në Kosovë, mirëpo realiteti është se UNMIK-u është ende këtu dhe ICO-ja është në një pozitë më të dobët, sesa që është shpresuar të jetë.
Suksesi i EULEX-it, ndërkaq, qëndron në faktin se është shtrirë në të gjithë Kosovën, por, megjithatë, ky mision duhet të punojë ende në një operim më efektiv, veçanërisht në zonat e banuara me serbë dhe në veri. Ekzistojnë dhe disa pyetje në lidhje me llojet e ligjeve, të cilat i zbaton EULEX-i, pyetje këto të cilat janë shmangur deri më tani, por që nuk mund të shmangen përgjithmonë, por duhet të adresohen.
Ndërsa, sa i përket prapë ICO-së, mendoj se ky mekanizëm ka një rol të rëndësishëm në këshillimin dhe asistimin e Qeverisë së Kosovës. Kjo mënyrë e bashkëpunimit me Qeverinë e Kosovës është shumë e rëndësishme - gjë në të cilën duhet të përqendrohet ICO-ja.
RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Palmer, Gambia ishte shteti i 57-të që njohu Kosovën. Si e vlerësoni procesin e njohjeve në tërësi? Çfarë mendoni se kanë bërë Qeveria dhe institucionet e Kosovës në këtë drejtim?
PETER PALMER
Mendoj se do të ketë një rrymë të vazhdueshme të njohjeve për Kosovën nga vendet si Gambia, të cilat, me gjithë respektin për Gambian, nuk janë në partner ndërkombëtar domethënës për Kosovën. Ajo që është e rëndësishme, është se ato shtete që kanë një ndikim në Kosovë dhe janë të rëndësishme për Kosovën, duhet ta njohin Kosovën. E kam fjalën për pesë shtetet anëtare të Bashkimit Evropian që nuk e kanë njohur Kosovën, e kam fjalën gjithashtu për Rusinë, si dhe shtete të rëndësishme islamike.
Diplomacia kosovare, megjithatë, është shumë e re dhe në formim e sipër. Sigurisht se mund të bëhet më shumë, por nuk do të duhej të kishte një koncentrim aq të madh te ato vende, të cilat janë të prira për ta njohur Kosovën dhe ato që tanimë kanë njohur atë.
Do të duhej të kishte një koncentrim më të madh te ato vende, të cilat ndonëse kanë njohur Kosovën, vazhdojnë të jenë të rezervuara në mbështetjen e Kosovës, e të cilat mund të jenë të buta dhe tolerante karshi Serbisë.
Po ashtu, mund dhe duhet të bëhet më tepër në lidhje me vendet që ende nuk e kanë njohur Kosovën. Edhe pse Kosova nuk mund të ketë marrëdhënie normale diplomatike me Greqinë, Spanjën dhe Rusinë, ajo mund të bashkëpunojë me këto shtete.
Disa shtete që nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, kanë zyra në Kosovë dhe kontaktet me këto vende janë të mundshme. Do të rekomandoja që Qeveria e Kosovës të përdorë mënyra më origjinale në diplomaci, për t’i përmirësuar marrëdhëniet dhe për të depërtuar te ato shtete, si dhe për të përçuar një përshtypje pozitive te ato shtete.
Një shembull për këtë mund të jenë shkëmbimet kulturore. Greqia, ta zëmë, është aktive në Kosovë dhe është një fqinj i afërt. Mundësia për shkëmbime kulturore që përfshijnë vizitat e akademikëve, biznesmenëve, specialistëve të fushave të ndryshme dhe të tjera, është e madhe dhe në fakt është një ide e mirë.
Pse të mos i shfaqet vullneti Zyrës ruse në Prishtinë për të pasur një festival rus të muzikës apo të kulturës në përgjithësi? Këto dhe shumë gjëra të tjera do të ndihmonin zhvillimin dhe përmirësimin e lidhjeve me këto shtete. Ndoshta janë mënyra modeste, por do të mund të ishin ndihmuese nëse Kosova fillon të mendojë për këtë rrugë më origjinale.
RADIO EVROPA E LIRË
Fakti që pesë shtetet anëtare të Bashkimit Evropian ende nuk e kanë njohur Kosovën, a po e rrit të ashtuquajturin rrezik që Kosova të quhet një “tregim i dështuar i BE-së”?
PETER PALMER
Nuk mendoj që në një periudhë afatgjate Kosova të jetë një tregim i dështuar i Bashkimit Evropian, por jam i bindur që Kosova do të jetë një ndër sfidat kryesore të BE-së dhe kjo sfidë bëhet edhe më e madhe kur shtetet anëtare të BE-së nuk janë aq të bashkuara, sa do të duhej, në lidhje me çështjen e Kosovës.
Kosova, sikurse të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, duhet të përfshihet në procesin e integrimit, në procesin e stabilizim-asociimit dhe eventualisht në procesin e anëtarësimit në BE. E tërë strategjia e Bashkimit Evropian për të stabilizuar Ballkanin Perëndimor ka qenë përmes procesit të integrimit dhe do të ishte dëmtuese për këtë strategji, po qe se do të ketë vende në rajon që nuk janë në gjendje të marrin pjesë në këtë proces, për shkak të ndarjeve politike në mesin e shteteve anëtare të BE-së.
Kosova është një rast i tillë, ngase nuk është në gjendje të marrë plotësisht pjesë në procesin e integrimit në BE, pikërisht për shkak të ndarjeve politike në radhët e shteteve anëtare të BE-së.
Kjo, deri diku, ka një ndikim dhe në Maqedoni, sepse kundërshtimi i Greqisë karshi emrit të këtij vendi, pamundëson dhe anëtarësimin e Maqedonisë në BE. Këto ndarje brenda BE-së po e vënë në rrezik stabilitetin e rajonit. Këtë gjë nuk mund t’ia lejojë Bashkimi Evropian vetes, sepse ka nevojë të ketë një qasje dhe politikë koherente karshi Kosovës dhe karshi rajonit, në mënyrë që të mos ngelë prapa askush.
RADIO EVROPA E LIRË
Kosova dhe Serbia do të kenë një ndeshje diplomatike, siç quhet, në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë. Cili vlerësoni se do të jetë rezultati i këtij procesi?
PETER PALMER
Nuk e di se cili do të jetë përfundimi në këtë gjykatë. Sidoqoftë, jam i sigurt se pa marrë parasysh se çfarë do të jetë ai, rezultati në terren nuk do të ndryshojë - çfarëdo që ndodh në GJND. Ky është një realitet politik. Kosova ekziston dhe nuk ka gjasa për Serbinë që të rikthejë kontrollin mbi Kosovën.
Pra, pa marrë parasysh se me cilat sfida do të përballet Kosova dhe pavarësisht se sa do të marrë kohë derisa ajo të mund të themelojë vendosmërisht pozitën e vet në bashkësinë ndërkombëtare, shtetësia e Kosovës është e sigurt.