Ndërlidhjet

Banac: Angazhimi amerikan në Ballkan – i domosdoshëm


Ivo Banac
Ivo Banac

“Nëse kjo qasje aktuale në Kosovë lejohet të vazhdojë, atëherë do të kemi situatë të njëjtë me atë të Bosnjë e Hercegovinës, aty ku tashmë është e qartë se procesi i Daytonit ka arritur në fund”, thotë Ivo Banac, ligjërues në Universitetin Yale.


RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Banac, ju keni bërë thirrje tek anëtarët e Kongresit amerikan, për të qenë më të angazhuar në Ballkanin Perëndimor, duke thënë se “politika e evropianizimit karshi rajonit nuk ka qenë e suksesshme”. Pse mendoni kështu dhe çfarë mendoni se duhet bërë?

IVO BANAC
Është vërtet e jashtëzakonshme se pas gjithë atyre përpjekjeve për të stabilizuar situatën, ende kemi mekanizmat e një shteti të pamundshëm, të cilin tashmë e kemi parë edhe në Bosnjë.

Burimet e shumta të autoritetit, mungesa e koordinimit, paaftësia për të zgjeruar sistemin e njëjtë të qeverisjes në të gjitha pjesët e një shteti të vetëm dhe, mbi të gjitha, mospajtimet e qarta brenda Bashkimit Evropian, duke qenë se ka ende vende anëtare që nuk e kanë njohur Kosovën. E gjithë kjo, në fakt, nuk flet aq mirë për përpjekje të koordinuara evropiane.

Sipas mendimit tim, nëse kjo qasje aktuale lejohet të vazhdojë, atëherë do të kemi situatë të njëjtë me atë të Bosnjë e Hercegovinës, aty ku tashmë është e qartë se procesi i Daytonit ka arritur në fund dhe ku diçka duhet bërë për ta kthyer prapa situatën, e cila tash është burim i mungesës së një qeverisjeje të mirë.

Kjo formë e lidershipit mund të vijë vetëm nga Shtetet e Bashkuara dhe në fakt qëllimi i takimit të mbajtur në Kongres, ishte për të nënvizuar pikërisht këtë domosdoshmëri, në kohën kur administrata e Obamas është ende duke e shqyrtuar politikën e saj në rajonin e Ballkanit.

Dhe, kjo është pikërisht ajo çfarë ne u përpoqëm të bëjmë.

RADIO EVROPA E LIRË
Kishte ndonjë ide konkrete?

IVO BANAC
Kishte disa, edhe pse ende nuk është e qartë nëse këto ide do të zbatohen. Siç e dini, administrata e zotit Obama ka përfaqësues të posaçëm në Lindjen e Mesme, në Afganistan dhe Pakistan.

Ka diskutime mbi mundësinë e emërimit të një përfaqësuesi të posaçëm, i cili do të ishte përgjegjës për gjithë politikën në Ballkan, sepse është bërë tashmë e qartë se kjo nuk mund të bëhet në vendet veç e veç.

RADIO EVROPA E LIRË

Gjithashtu, keni ngritur edhe çështjen e pakënaqësisë së konsiderueshme në Kosovë midis sovranitetit të kufizuar dhe faktit se Kosova nuk është ende tërësisht e integruar. Cila do të ishte zgjidhja më e mirë?

IVO BANAC
Mendoj se problemet kanë filluar me planin e Ahtisaarit, i cili në fakt ka shumë elemente të pushtetit të dyfishtë. Nuk mendoj fare se kjo është gjë e mirë.

Nuk mendoj se do të jetë e mundshme, marrë parasysh gjendjen aktuale të qeverisjes. Mendoj se problemet kanë filluar me planin e Ahtisaarit, i cili në fakt ka shumë elemente të pushtetit të dyfishtë. Nuk mendoj fare se kjo është gjë e mirë.

Gjëja që duhet bërë, për shembull, është të shmanget situata, në të cilën do të ishin të pranishëm pjesëtarët ende të paguar, por jo aktivë, të policisë serbe, të cilët, në fakt, përpiqen ta vënë në pikëpyetje pavarësinë e Kosovës.

Kjo natyrisht do të kërkonte garanci nga pala më e fuqishme, ajo shqiptare, e cila, edhe pse më e fuqishme, nuk është duke e ushtruar kontrollin e plotë mbi Kosovën.

Po të mund të vendosnim aranzhmane bashkëpunimi midis shumicës dhe pakicës, do të kishim një shtet, që ekziston kudo në botë, domethënë një shtet ku pakicat nuk do të mund të kenë fuqinë e vetos mbi shumicën.

RADIO EVROPA E LIRË
Në këtë kuadër, a shihni ndonjë rrezik ndarjeje, siç kanë thënë disa, apo mendoni se kjo do të hapte Kutinë e Pandoras në rajon?

IVO BANAC
Unë mendoj se ky është një shqetësim që tashmë është bërë efektiv. Pse njerëzit e diskutojnë fare mundësinë e ndarjes së Kosovës, kur Kosova në fakt tash është e ndarë? Prandaj, nuk do të duhej të flisnim për ndarjen, por duhet të flasim për integrimin.

Është e panevojshme të thuhet se ka njerëz, veçanërisht në Serbi, të cilët kanë edhe disa përkrahës në mesin e shqiptarëve, e që mendojnë se zgjidhja përfundimtare është ndarja e Kosovës.

Unë nuk besoj në këtë koncept dhe nuk mendoj se duhet të jetë rruga përpara. Gjithashtu mendoj se do të kishte pasoja negative për situatat e ngjashme në rajon, si për shembull në Bosnjë.

Është një zgjidhje që preferohet nga njerëzit, të cilët nuk besojnë se kombësi të ndryshme mund të jetojnë nën një çati. Ky është një qëndrim nacionalist, është qëndrim i gabuar dhe i cili ka kontribuuar në masë të madhe tek problemet që ka pësuar rajoni.

RADIO EVROPA E LIRË

Gjatë dëshmisë suaj para Komisionit Amerikan të Helsinkit keni folur edhe për rolin e Rusisë në rajon. Cilat janë pikëpamjet tuaja?

IVO BANAC
Aktualisht, Rusia është duke përjetuar vështirësi të brendshme shumë të mëdha. Por, ky nuk është ndonjë garancion se presioni që kemi parë vitin e kaluar nga ana e Rusisë, nuk do të vazhdojë. Dhe, kur flas për presionin, mendoj në ata që krijojnë telashet në rajon, gjejnë mbështetje tek qëndrimet që mban diplomacia ruse.

Zoti Dodik, për shembull, nga Republika Serbe e Bosnjës, ka arritur t’ia shesë pjesën më të madhe të instalimeve energjetike kompanive shtetërore në Federatën Ruse. Ai udhëton në Moskë për të kërkuar mbështetje për planet e tij mbi ndarjen e Bosnjës. Dhe, në fakt, vetë Moska trimëron diskutimet e këtilla, duke bërë analogji tërësisht falso midis rajoneve në Gjeorgji dhe vendeve në Ballkan.

Ka pasur përpjekje nga administrata e re amerikane dhe ju mbase i dini ato, për të normalizuar marrëdhëniet me Federatën e Rusisë.

Por, unë mendoj se normalizimi i vërtetë mund të ndodhë vetëm atëherë kur Moska heq dorë nga përpjekja për të luajtur rolin e një fuqie udhëheqëse në rajonin e vetëm në Evropë, ku në fakt mund ta ushtrojë një rol të këtillë. Dhe, ky rajon është Ballkani.

Kur mund ta presim një zhvillim të këtillë pozitiv? Nuk jam i sigurt. Megjithatë, nuk kam besim se lidershipi aktual rus është ai që do ta ndërmarrë këtë hap, pikërisht për faktin se ata kanë kontribuuar në masë të madhe në krijimin e disa problemeve në rajon dhe për faktin se përgjithësisht, mendoj se janë duke zbatuar një politikë të brendshme represive, e cila e largon Rusinë nga rruga e një qeverisjeje demokratike.
XS
SM
MD
LG