Ndërlidhjet

UNMIK-u (s’) do shuhet shpejt


Zyrtarët kosovarë thonë se shuarja e misionit të OKB-së në Kosovë duhet të shkojë paralel me shuarjen e Rezolutës 1244. Kjo gjë, sipas analistëve, do të jetë e pamundur për shkak të qëndrimeve aktuale të shteteve anëtare të OKB-së karshi pavarësisë së Kosovës.


Përfaqësues të Qeverisë së Kosovës shprehin bindjen se me realizimin e kërkesës së tyre drejtuar Organizatës së Kombeve të Bashkuara për shuarjen e misionit të këtij mekanizmi në Kosovë, duhet t’i përfundojë afati dhe Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit.

Zëvendësministrja e Punëve të Jashtme të Kosovës, Vlora Çitaku, thekson se Rezoluta 1244, sikurse UNMIK-u, janë të panevojshme në Kosovë, ngase, siç pohon ajo, Kosova po funksionon përtej kësaj rezolute.

“Mandati i UNMIK-ut është i tejkaluar tashmë, Rezoluta 1244 është e tejkaluar dhe Kosova dhe institucionet e saj funksionojnë përtej kufijve të kësaj rezolute. Gjithsesi, UNMIK-u është produkt i Rezolutës 1244, por edhe njërës, edhe tjetrës, tashmë i ka kaluar afati”, thotë Çitaku.

Kërkesa e Prishtinës zyrtare për shuarjen e misionit të OKB-së në Kosovë ka ardhur disa muaj pasi gjatë procesit të rikonfigurimit të pranisë civile ndërkombëtare në Kosovë, misioni i Bashkimit Evropian për forcimin e sundimit të ligji, EULEX, kishte nisur veprimin e tij në Kosovë.

Në kuadër të procesit të rikonfigurimit, UNMIK-u ka paralajmëruar zvogëlimin e stafit të tij, i cili deri në verën e këtij viti pritet të arrijë në një numër prej 500 vetash.

Shefi i Grupit Ndërkombëtar të Krizave për Kosovën, Peter Palmer, mendon se me largimin eventual të UNMIK-ut, që, sipas tij, nuk do të ndodhë shumë shpejt, nuk do të shuhet dhe Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit të OKB-së.
Rezoluta 1244 vazhdon të jetë e vlefshme, për shkak se anëtarët kyçë të Këshillit të Sigurimit insistojnë që ajo të mbetet e tillë.

“Nuk mendoj se UNMIK-u do të largohet në një të ardhme të afërt. Dhe, realisht, Rezoluta 1244 vazhdon të jetë e vlefshme, për shkak se anëtarët kyçë të Këshillit të Sigurimit insistojnë që ajo të mbetet e tillë. Kjo është një gjë për të cilën Qeveria në Prishtinë nuk ka kontroll dhe, në fakt, as vendet që kanë mbështetur Kosovën dhe që e kanë njohur pavarësinë e saj, nuk mund të ndikojnë në këtë gjë”.

“Pra, përderisa anëtarët e përhershëm të Këshillit të Sigurimit vazhdojnë të këmbëngulin në vazhdimin e vlefshmërisë së 1244-shit, kjo rezolutë do të ketë një vlefshmëri në kuptimin teorik, por ajo që është me rëndësi, ka të bëjë me atë se çka po ndodh në terren”, shprehet Palmer, duke theksuar se Rezoluta 1244 nuk do të duhej të kishte ndonjë ndikim në praktikë dhe se UNMIK-u, sipas tij, do të duhej të kishte një rol të kufizuar politik.

Dislokimi i EULEX-it në Kosovë ishte mundësuar përmes një deklarate të Këshillit të Sigurimit të OKB-së - dokument ky që e ka futur misionin e BE-së për polici dhe drejtësi nën ombrellën e Rezolutës 1244. Kjo gjë, sipas Palmerit, nuk duhet të ndikojë në punën e EULEX-it, veprimet e të cilit bazohen dhe në mandatin e Bashkimit Evropian.

“Çështja e mandatit të EULEX-it është kundërthënëse. Është e vërtetë se rikonfigurimi i UNMIK-ut dhe zbarkimi i EULEX-it u mundësua nga Këshilli i Sigurimit; sidoqoftë, EULEX-i ka gjithashtu një mandat nga Bashkimi Evropian që daton nga marsi i vitit 2008 dhe që lidhet dhe me kërkesën e Qeverisë së Kosovës. Pra, mendoj se prezenca e EULEX-it këtu nuk do të duhej të vihej në pyetje”, thotë ai.

Ndryshe nga analistët ndërkombëtarë, analistët politikë në Prishtinë mendojnë se kërkesa e Qeverisë kosovare për shuarjen e UNMIK-ut është e qëlluar dhe ka ardhur në kohën e duhur.

Analisti Lulzim Peci nuk mund të japë një vlerësim se kur, në mënyrë definitive, mund të largohet administrata e OKB-së nga Kosova. Sidoqoftë, pritjet e tij janë se UNMIK-u, përgjatë muajve të ardhshëm, do të shndërrohet në mision të lehtë, mandati i të cilit do të përfundojë me përfundimin e Rezolutës 1244.

“Rezoluta mund të bëhet e pavlefshme në momentin kur Kosova bëhet anëtare e Kombeve të Bashkuara dhe kur një numër më i madh shtetesh do ta njohin Kosovën. Atëherë, sekretari gjeneral mund të shpallë përfundimin e operacioneve të UNMIK-ut këtu”, konsideron analisti Lulzim Peci.
XS
SM
MD
LG