Ndërlidhjet

Strategjia për Afganistanin


Presidenti Barack Obama tha se "strategjia dalëse" e Shteteve të Bashkuara do të jetë pjesë e politikës së re gjithëpërfshirëse amerikane për Afganistanin dhe Pakistanin.


Presidenti i Shteteve të Bashkuara Barack Obama tha se thirrja e tij për dërgimin e trupave shtesë në Afganistan duhet të jetë pjesë e sartegjisë gjithëpërfshirëse, e cila ka komponenta ushtarakë, ekonomikë dhe diplomatikë.

Obama tha se plani i ri duhet të fokusohet edhe në Pakistanin, dhe duhet të përmbajë një "strategji dalëse" për trupat amerikane të stacionuara në Afganistan.

Obama i bëri këto komente të dielën në emisionin "60 minuta" të rrjetit televiziv amerikan CBS.

"Ajo që nuk mund të bëjmë është që vetëm me qasjen ushtarake në Afganistan të përpiqemi t'i zgjidhim problemet tona. Prandaj jemi duke kërkuar një strategji gjithëpërfshirëse. Por duhet të ketë edhe një strategji dalëse", tha presidenti Obama.

Ai pritet që gjatë kësaj jave ta shpallë strategjinë e administratës për luftimin e militantëve në Afganistan.

Këshilltarët civilë dhe ushtarakë kanë rekomanduar se përpjekjet e Shteteve të Bashkuara në rajon duhet të fokusohen në një prioritet kryesor. Obama tha se duhen një varg ndryshimesh për të arritur këtë.

"Duhet të sigurohemi që Al Kaeda të mos mund të sulmojë territorin e Shteteve të Bashkuara, si dhe interesat tona dhe të aleatëve tanë. Ky është prioriteti numër 1. Në kuadër të kësaj, duhet bërë edhe shumë gjëra tjera. Mund të na duhet ta rritim kapacitetin ekonomik në Afganistan".

"Mund të na duhet t'i përmirësojmë përpjekjet tona diplomatike në Pakistan. Mund të na duhet qasje më rajonale e diplomacisë, apo koordinim më efektiv me aleatët tanë. Por nuk duhet të harrojmë se misioni ynë qendror është po ai mision, të cilin e ndoqëm pas 11 shtatorit, 2001",
tha presidenti amerikan.

Përfaqësuesi special i Obamës për Afganistanin dhe Pakistanin, Richard Holbrooke, tashmë disa muaj po punon për të ndihmuar hartimin e strategjisë së re.

Të shtunën, ai zbuloi se draft plani parasheh rritje të konsiderueshme të numrit të pjesëtarëve të Policisë Kombëtare të Afganistanit. Holbrooke sqaroi se projektimet e administratës Bush, ishin që policia afgane të rritet vetëm për 4.000 oficerë gjatë tre apo katër viteve, duke e çuar në 82 mijë numrin e përgjithshëm të policëve afganë.

"Me të gjithë që biseduam, pa asnjë përjashtim, si afganët, ekspertët e kryengritjes, qeveria apo ushtarakët amerikanë, të gjithë na thanë se kjo nuk është e mjaftueshme. Prandaj, bashkë me aleatët tanë dhe miqtë në qeverinë afgane, po kërkojmë rritje të konsiderueshme të policisë".

"Këtu ka një problem se për momentin, policët nuk janë edhe aq të mirë, dhe kjo paraqet hallkë të dobët në zinxhirin e sigurisë. Prandaj duhet t'i gjejmë mënyrat që ta rritim numrin e policëve, por njëkohësisht t'i bëjmë ata edhe më të mirë",
tha Holbrooke.

Draft plani gjithashtu parasheh që ndihmat ushtarake amerikane për Pakistanin të varen nga bashkëpunimi i duhur kundër ekstremistëve në zonat kufitare pakistaneze afër Afganistanit.

Një rekomandim tjetër është ndarja e informatave të inteligjencës ndërmjet Pakistanit, ushtrisë së Shtetebe të Bashkuara dhe Afganistanit.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG