Ndërlidhjet

Ivanoviq: KS përgjegjës për 6-pikëshin


Oliver Ivanoviq
Oliver Ivanoviq

“Këshilli i Sigurimit është përgjegjës në qartësimin e çështjes së zbatimit të planit 6-pikësh të Kombeve të Bashkuara në Kosovë”, thotë sekretari shtetëror në Ministrinë serbe për Kosovën, Oliver Ivanoviq.





RADIO EVROPA E LIRË

Zoti Ivanoviq, bashkëpunimi i komunitetit serb me misionin EULEX ishte kushtëzuar nga implementimi i planit 6-pikësh të Kombeve të Bashkuara. Pasur parasysh kundërshtimin e institucioneve kosovare, a mendoni se mund të zbatohet ky plan?

OLIVER IVANOVIQ

Fillimisht, këtë kusht serbët nuk ia kanë vënë EULEX-it, por ky ka qenë një kusht, i cili i është vënë Këshillit të Sigurimit. Pas miratimit të Këshillit të Sigurimit për zbarkimin e EULEX-it në të gjithë territorin e Kosovës, nuk ka më paqartësi për këtë. Kjo është mënyra e vetme se si mund të zhvillohen gjërat.

Nëse EULEX-i do që të jetë i shtrirë në tërë territorin e Kosovës dhe të bashkëpunojë me të gjitha komunitetet, atëherë EULEX-i duhet t’i bindet vendimit të Këshillit të Sigurimit. Pra, kjo çështje nuk i takon serbëve, por Këshillit të Sigurimit.

RADIO EVROPA E LIRË
A mendoni se EULEX-i veç ka filluar implementimin e planit 6-pikësh të OKB-së në zonat e banuara me serbë, ashtu siç thonë disa?

OLIVER IVANOVIQ
Është vështirë të thuhet kjo dhe nuk jam i sigurt ngase EULEX-i së fundi ka filluar punën. Kam përshtypjen se EULEX-i po ballafaqohet me disa vështirësi në rekrutimin e njerëzve; për këtë arsye, EULEX-i po merret vetëm me disa çështje dhe ka një vëllim të punëve në një nivel më të ulët.

RADIO EVROPA E LIRË

Mirëpo, është thënë se në gjykatat në veri, EULEX-i ka filluar zbatimin e 6-pikëshit duke aplikuar ligjet e UNMIK-ut...

OLIVER IVANOVIQ
Ky është kushti kryesor për pjesëmarrjen e serbëve në çfarëdolloj jete institucionale. Pra, të mos ketë zbatim të ligjeve të Kosovës, por të ketë një zbatueshmëri të rregulloreve të UNMIK-ut, të lëshuara nga UNMIK-u më 1999 deri më sot.

RADIO EVROPA E LIRË
A prisni qartësi mbi këtë çështje nga mbledhja e radhës e Këshillit të Sigurimit për Kosovën? Cili skenar do ta qartësonte këtë gjë?

OLIVER IVANOVIQ
Fillimisht, Këshilli i Sigurimit do të merret me situatën e sigurisë në Kosovë. Kjo është gjëja kryesore, ngase për çdo tre muaj Përfaqësuesi Special i sekretarit gjeneral të OKB-së në Kosovë i raporton Këshillit të Sigurimit për gjendjen në Kosovë. Diskutimet e mëvonshme mund ta hapin për debat këtë çështje.

Jam i sigurt se çdokush e kupton se EULEX-i është shtrirë në Kosovë pasi që Këshilli i Sigurimit unanimisht ka vendosur të miratojë zbarkimin e misionit EULEX në Kosovë.

Tani, Këshilli i Sigurimit është vetë përgjegjës pas vendimit të tij, andaj mendoj se zgjidhja, e cila është ofruar në formën e planit 6-pikësh, duhet të zbatohet. Nuk shoh zgjidhje tjetër se si mund të ketë sundim të ligjit në tërë Kosovën.

RADIO EVROPA E LIRË
A mund ta detyrojë Këshilli i Sigurimit Prishtinën zyrtare të zbatojë 6-pikëshin?

OLIVER IVANOVIQ

Marrë parasysh faktin që Shtetet e Bashkuara dhe shtetet tjera që cilësohen si aleate të shqiptarëve të Kosovës e kanë miratuar këtë, atëherë ata kanë një pjesë të përgjegjësisë, duke përfshirë zyrat e tyre diplomatike në Kosovë, siç është zyra diplomatike amerikane, ajo britanike, ajo franceze apo të tjerat.

Këta duhet t’i bëjnë shqiptarët ta kuptojnë këtë gjë dhe në fund të fundit kjo do të jetë në favor të shqiptarëve të Kosovës gjithashtu, sepse zbatimi i planit 6-pikësh është e vetmja mënyrë për të mbushur vakumin legal, i cili ekziston për momentin.

RADIO EVROPA E LIRË
A mund ta zgjidhë plani 6-pikësh dhe çështjen e integrimit të serbëve, marrë parasysh bojkotimin e tyre ndaj institucioneve kosovare?

OLIVER IVANOVIQ
Le të kemi së pari sundimin e ligjit në çdo kënd të Kosovës - kjo është ajo që presim shumë shpejt pas kësaj. Do t’i kemi funksionale gjykatat, do t’i kemi operacionale stacionet policore prapë. Pra, serbët kosovarë nuk do të hezitojnë të ndihmojnë, të asistojnë dhe të jenë pjesë e tyre. Këtë gjë po e pres për momentin, për më tepër do të shohim në vazhdim.

RADIO EVROPA E LIRË
Ka pasur disa protesta të serbëve kosovarë këto ditë. Si duhet të veprohet për t’i reduktuar këto protesta?

OLIVER IVANOVIQ
Shpresoj se nuk do të ketë më shumë protesta dhe shpresoj se shqiptarët e Kosovës do të kuptojnë se çfarë loje të rrezikshme janë duke luajtur. Shpresoj që Shërbimi Policor i Kosovës të jetë operacional në mënyrën e duhur, duke përfshirë serbët e Kosovës.

Përndryshe, jam i shqetësuar për përplasjet e mundshme në mes të protestuesve dhe pjesëtarëve të Shërbimit Policor.

Me përjashtim të rastit në Shillovë, ku ka pasur një përplasje direkte, të gjithë protestat tjera kanë qenë të qeta. Shpresoj që Korporata Energjetike e Kosovës të kuptojë se muaji shkurt nuk ka qenë momenti i duhur për të iniciuar bisedimet për pagimin e faturave të rrymës për energjinë e shpenzuar.

RADIO EVROPA E LIRË
A mund të ketë qenë politika arsye e këtyre protestave, tani para mbajtjes së mbledhjes së Këshillit të Sigurimit?

OLIVER IVANOVIQ
Do të thosha diçka tjetër. Do të thosha se presioni mbi serbët është i motivuar politikisht; ka një presion direkt mbi serbët e Kosovës, i cili po bëhet për t’i lënë ata të nënkuptojnë se nuk kanë vend në Kosovë.

RADIO EVROPA E LIRË

Presioni nga kush?

OLIVER IVANOVIQ
Nga ana e shqiptarëve të Kosovës.
XS
SM
MD
LG