Ndërlidhjet

Mjekët në grevë


Federata Sindikale e Shëndetësisë njofton se në mbarë Kosovën ka filluar një grevë e përgjithshme në të tria nivelet e sistemit të shëndetësisë, me kërkesë të zbatimit në tërësi të marrëveshjes së 14 tetorit të vitit 2008.


Punonjësit e sistemit të shëndetësisë në Kosovë kanë filluar në mëngjes një grevë të përgjithshme, e cila, sipas përfaqësuesve të Federatës Sindikale të Shëndetësisë së Kosovës, do të vazhdojë deri në përmbushjen e kërkesave të sindikalistëve.

Kryetari i Federatës Sindikale të Shëndetësisë së Kosovës, Asllan Bajrami, thotë se arsye e fillimit të grevës, e cila, siç pohon ai, po vazhdon në të tria nivelet e sistemit kosovar të shëndetësisë, janë pakënaqësitë që sindikata që ai drejton ka rreth zbatimit të marrëveshjes në mes të FSSHK-së dhe Ministrisë së Shëndetësisë së Kosovës.

Kjo marrëveshje parasheh rritjen e pagave dhe dhënien e një shujte prej 44 eurosh në muaj për punonjësit e shëndetësisë në Kosovë, por zbatimi i saj nuk është bërë në tërësi, vlerëson Bajrami.

“Kjo grevë është në nivel vendi dhe nga të gjitha raportet që i kam marrë deri më tani nga terreni, greva ka filluar sipas dinamikës së paraparë dhe të miratuar paraprakisht në Këshillin Kombëtar. Në grevë janë të gjithë punëtorët shëndetësorë të të tria niveleve të shërbimeve shëndetësore”, tha Bajrami.

Bajrami njofton për mbajtjen e një takimi, i cili, ditë më parë, është zhvilluar ndërmjet përfaqësuesve të Federatës Sindikale të Shëndetësisë së Kosovës dhe atyre të Ministrisë së Shëndetësisë, por përfundimi i këtij takimi, sipas tij, është zhgënjyes.

“Jemi të zhgënjyer me dinamikën dhe me seriozitetin e zbatimit të marrëveshjes. E vetmja kërkesë është që të zbatohet marrëveshja e nënshkruar në mes të Federatës Sindikale dhe Ministrisë së Shëndetësisë më 14 tetor dhe kërkojmë vetëm zbatimin e plotë të marrëveshjes dhe asgjë më shumë”, theksoi ai.

Përfaqësues të Qeverisë së Kosovës, ndërkaq, u bëjnë thirrje grevistëve të ndërprejnë grevën dhe zotohen që do të zbatojnë në tërësi marrëveshjen e 14 tetorit të 2008-ës. Ministri i Shëndetësisë së Kosovës, Alush Gashi, thotë për Radion Evropa e Lirë se marrëveshja do të zbatohet përgjatë vitit 2009.

Sipas tij, marrëveshja ishte zbatuar në vitin 2008 për punonjësit e nivelit sekondar dhe terciar dhe se një gjë e tillë nuk është bërë dhe për nivelin primar, për shkak të, siç thotë ai, ky nivel është nën kompetencat e kuvendeve komunale.

“Ne zotohemi në realizimin e asaj marrëveshjeje. Unë besoj që edhe Sindikata e Shëndetësisë dhe punëtorët shëndetësorë të vendit tonë i dinë vështirësitë ekonomike në të cilat ndodhet vendi ynë. Jemi marrë vesh që të jetë një mbështetje prej 44 eurosh, e kemi realizuar për sistemin sekondar dhe terciar; kemi filluar ta realizojmë në sistemin primar”,
tha ministri Gashi.

Të hënën, ndërkohë, është nënshkruar një memorandum në mes Ministrisë së Shëndetësisë dhe Ministrisë së Ekonomisë dhe Financave që të bëhet menjëherë pagesa e shujtës për punëtorët shëndetësorë të nivelit sekondar dhe terciar.

Mirëpo, sindikalistët nuk janë shprehur të kënaqur me këtë marrëveshje, e cila, sipas tyre, trajton të hyrat vetanake, të cilat do të shërbejnë për pagesën e shujtës vetëm për punëtorët shëndetësorë të nivelit sekondar dhe terciar, duke i lënë jashtë ata të nivelit primar.
XS
SM
MD
LG