Banorët serbë të qytetit të Mitrovicës duhet të heqin dorë nga këmbëngulja e tyre për zbatimin e planit 6-pikësh të Kombeve të Bashkuara për policinë, gjykatat, doganat dhe të tjera, në mënyrë që të lehtësojnë integrimin e pjesës veriore të qytetit si dhe funksionimin e institucioneve shtetërore atje.
Kështu thonë përfaqësues të pushtetit lokal të Mitrovicës, të cilët thonë se, ndër të tjera, idetë e serbëve për zbatimin e planit 6-pikësh të OKB-së mbeten një pengesë në integrimin e tyre në shoqërinë kosovare.
Kryetari i Komunës së Mitrovicës, Bajram Rexhepi, e quan të vdekur planin 6-pikësh, por kërkon dhe mbështetjen e institucioneve ndërkombëtare dhe atë të pushtetit qendror për ta bindur popullatën serbe për këtë gjë.
"Nuk kanë zgjidhje tjetër. Ata do të mundohen maksimalisht që nëpërmjet planit 6-pikësh të jenë faktorë vendimmarrës, por realisht ata duhet të dinë se Kosova është shtet i pavarur dhe sovran dhe se plani 6-pikësh është i pazbatueshëm", thekson Rexhepi.
Opozita kosovare, ndërkaq, vlerëson se përpjekjet e Qeverisë së Kosovës, sikurse edhe ato të bashkësisë ndërkombëtare, për të shtrirë autoritetin në veri, nuk kanë qenë të mjaftueshme.
Nënkryetari i parë i Lidhjes Demokratike të Dardanisë, Berim Ramosaj, vlerëson se për të mundësuar rifunksionalizimin e tërësishëm të institucioneve të caktuara në veri, duhet të ekzistojë një vendosmëri më e madhe e faktorit vendor dhe ndërkombëtar.
"Sikur të ishte bashkësia ndërkombëtare, në fillim UNMIK-u dhe tash EULEX-i, apo edhe Qeveria e Kosovës, më e vendosur në respektimin e ligjit, mendoj se edhe bashkësia serbe do të integrohej shumë shpejt, sepse e kishin parë se nuk kanë rrugë tjetër përveç respektimit të ligjit dhe shtetit juridik", tha Ramosaj.
Ramosaj vlerëson se pjesë e, siç i quan ai, gabimeve që mekanizmat vendorë dhe ndërkombëtarë janë duke bërë në veri, është dhe qasja ndaj planit 6-pikësh të OKB-së, si dhe interpretimi i këtij plani tek banorët e Kosovës në përgjithësi.
"Bashkësia ndërkombëtare është duke luajtur me dy opsione. Për pjesën shqiptare, ku funksionojnë ligjet dhe Kushtetuta e Kosovës, thuhet se nuk ka plan 6-pikësh, ndërsa për pjesën veriore dhe komunat e banuara me shumicë serbe thuhet në vazhdimësi se ekziston plani 6-pikësh", shprehet Ramosaj.
Udhëheqësit e banorëve serbë të pjesës veriore të Kosovës, ndonëse nuk e dinë se çka realisht përmbajnë gjashtë pikat e planit të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki Moon, theksojnë nevojën e zbatimit sa më parë të këtij plani.
Kryetari i Këshillit Ekzekutiv të Këshillit Nacional Serb për Mitrovicën, Nebojsha Joviq, konsideron se puna e parë që duhet bërë, është njoftimi i qytetarëve me përmbajtjen dhe masat e parapara me këtë plan.
"Të them të vërteten, nuk e di realisht se si është ai plan dhe sa mund të realizohet në terren, ndërsa më e keqja është se askush nga ne nuk e di se çfarë ka në atë plan", thotë Joviq, duke theksuar se problemet mund të zgjidhen me marrëveshjen në mes të përfaqësuesve të shqiptarëve dhe serbëve.
Ai mendon se me masat e parapara në këtë plan, zbatimi i të cilit, siç mendon ai, nuk ka filluar ende, duhet të njihen jo vetëm nga njerëzit që merren me politikë, por edhe qytetarët e thjeshtë.
"Çdo plan, pavarësisht se nga cila anë vjen, duhet të jetë i mirë për të dyja anët, kuptohet edhe për bashkësitë e tjera, të cilat jetojnë në Kosovë", thotë Joviq.
Plani 6-pikësh i OKB-së për rikonfigurimin e pranisë civile ndërkombëtare në Kosovë përcakton aranzhime të reja për fushat si policia, doganat, gjyqësia, transporti e telekomunikacioni dhe të tjera.
Prishtina zyrtare ka hedhur poshtë këtë plan, ndërsa Beogradi zyrtar vazhdon të këmbëngulë në zbatimin e tij.