Ndërlidhjet

IAEA: Irani afër bombës bërthamore


Iran - Uzina bërthamore në Natanz
Iran - Uzina bërthamore në Natanz
Raporti i fundit i Agjencisë Ndërkombëtare për Energji Bërthamore (IAEA) thotë se Irani e vazhdon pasurimin e uraniumit, por e ka ngadalësuar zgjerimin e aktiviteteve të veta.



Raporti thotë se Irani ka grumbulluar gjithsejtë 1.010 kg uranium të pasuruar, duke e shtyrë më tej pragun teorik, të cilin e parashihnin ekspertët.

Ata thonë se procesimi i mëtejmë mund t'i japë Teheranit mjaft uranium të pasuruar të prodhojë bombë bërthamore.

Për të dërguarin e Iranit në Agjencinë Ndërkombëtare për Energji Bërthamore, Ali Asghar Soltanieh, raporti më i ri i agjencisë tregon se programi bërthamor i Teheranit është paqësor, në vijë me rregullat e agjencisë.

Megjithatë, për ekspertët e proliferimit, raporti dërgon sinjale tjera.

David Albright, ish-inspektor bërthamor i Kombeve të Bashkuara, është kryetar i Institutit për Shkencë dhe Siguri Ndërkombëtare në Uashington. Albright i tha Radios Evropa e Lirë se raporti është pesimist.

"Për institutin tonë, ky është më shumë se një kryelajm. Irani vazhdon të ecë përpara duke u aftësar për kapacitetin e armëve dhe pritet që ta arrijë atë deri nga mesi i këtij viti", thotë Albright.

Sipas Agjencisë Ndërkombëtare për Energji Bërthamore, Irani kishte prodhuar 839 kg uranium të pasuruar deri në nëntorin e kaluar, dhe prej atëherë edhe 171 kg tjerë.

IAEA
Agjencia vlerëson se Irani ka akumuluar 1.010 kg uranium të pasuruar deri në muajin janar.

Albright thotë se sasia e këtillë është e mjaftueshme për të prodhuar një armë bërthamore të vetme.

Por, edhe në qoftë se Irani vendos të ecë drejt prodhimit të bombës bërthamore, zyrtarët e Kombeve të Bashkuara dhe ekspertët e armëve thonë se ai do të ballafaqohet me pengesa teknike.

Daryl Kimball, drejtor i Asociacionit për Kontrollin e Armatimit në Uashington, i ka thënë të përditshmes britanike "Guardian" se Irani nuk mund të mbetet pa u zbuluar nëse e përdor uraniumin e pasuruar për të prodhuar bombën.

Zyrtarët iranianë vazhdimisht kanë ripërsëritur se aktivitetet bërthamore të vendit të tyre janë vetëm paqësore.

Megjithatë, Teherani ka bërë shumë pak që të bindë bashkësinë ndërkombëtare për vullnetin e mirë lidhur me aktivitetet bërthamore.

Raporti i agjencisë gjithashtu thotë se Irani e ka ngadalësuar procesin e instalimit dhe operimit të centrifugave, të cilat janë kyçe në procesin e pasurimit të uraniumit.

Albright thotë se arsyeja me gjasë është politike, e jo teknike.

"Ata kanë 6 mijë centrifuga, që mund t'i vënë në veprim, dhe prej tyre operojnë vetëm 4 mijë. Por, ata vazhdojnë të ndërtojnë edhe të tjera. Prandaj, nuk do të thosha se e kanë ngadalësuar, por do të thosha se pasurimi i uraniumit është në një nivel më të ulët", pohon Albright.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG