Udhëheqësit kosovarë i kanë ftuar të gjithë qytetarët, sidomos ata serbë të veriut të Kosovës, që t’i bashkohen festës së njëvjetorit të pavarësisë së Kosovës dhe të heqin dorë nga deklaratat dhe veprimet destruktive që nxiten nga Beogradi.
Presidenti dhe kryeministri i Kosovës, pas takimeve të ndara që zhvilluan sot me ministrin e deleguar të Punëve të Jashtme të Luksemburgut, Nicolas Schmit, u drejtuan mesazhe serbëve të veriut të Kosovës që të distancohen nga politika e Beogradit dhe të fillojnë që të ardhmen e tyre ta shohin në Kosovën e pavarur.
Presidenti Fatmir Sejdiu tha se prapa strukturave që paralajmërojnë dhunë e destabilizim në veri, qëndron Beogradi. Por, ai ua ka tërhequr vërejtjen atyre që paralajmërojnë dhunë dhe djegie të pikave kufitare, se do të ballafaqohen me ligjin dhe organet e rendit.
“Deklarimet e tyre ju i dini, tash e në vazhdimësi. Për vullnetin e personave të tillë, ata do ta digjnin krejt Kosovën. Pra, është një çështje joracionale dhe jashtë kohës në të cilën jetojmë dhe fatkeqësisht mbështeten edhe në qarqe tjera shpeshherë. Për ne është me rëndësi që të dihet shumë qartë se ai dhe të tjerë që janë edhe piromanë, edhe shumëçka të ngjashme, do të ballafaqohen me ata që janë të obliguar të mbajnë rendin dhe stabilitetin e vendit, flas edhe në kuptimin fizik”, tha Sejdiu.
“Ne duam të besojmë se do të kemi një kremtim dinjitoz dhe shumë krenar prej qytetarëve të Kosovës, me rastin e përvjetorit të pavarësisë. Ishte një vend i suksesit të jashtëzakonshëm dhe historik të vendit dhe qytetarëve tanë. Pavarësia e Kosovës është në interesin e gjithë qytetarëve të Kosovës dhe jo vetëm të një etnie, prandaj ftesa ime për të gjithë qytetarët, pa dallim etnie, është që të bashkohen në kremtim”, theksoi Thaçi.
Në anën tjetër, diplomati nga Luksemburgu, Nicolas Schmit, tha se ndihej i kënaqur që Kosova kishte realizuar më në fund ëndrrën e saj për pavarësi. Ai tha se ndiente keqardhje që disa vende të Bashkimit Evropian ende nuk e kanë njohur Kosovën. Por, shprehu bindjen e tij se Kosova është në rrugë të mirë që të ndërtojë një shtet demokratik.
“Ne i mbështesim ambiciet e Kosovës që të jetë pjesë e familjes evropiane, ngase këtë e konsiderojmë si një qëllim të vërtetë, që do të sillte stabilitet, paqe e prosperitet për të gjitha vendet e këtij rajoni”, tha ministri Schmit.
Ndryshe, lidershipi i Kosovës po përgatitet jo vetëm për të organizuar kremten e parë në njëvjetorin e pavarësisë, por edhe për t’u ballafaquar me sfidat eventuale, sidomos në veri, pas paralajmërimeve kërcënuese të disa udhëheqësve serbë në atë pjesë të Kosovës.
* * * * *
Nga ana tjetër, analistët për çështje politike në Prishtinë thonë se Qeveria e Kosovës, deri më tani, është treguar pasive në drejtim të përpjekjeve për shtrirjen e autoritetit në veri të Kosovës.
Ata theksojnë nevojën e krijimit, sa më parë, të një agjende konkrete të veprimit, për të instaluar kontrollin shtetëror në veri të qytetit të Mitrovicës, i cili që nga periudha e pasluftës në Kosovë vazhdon të jetë i ndarë në dysh.
Analisti Ismail Hasani konsideron se ekzekutivi kosovar, përmes bashkëpunimit të të gjitha dikastereve qeveritare, duhet të ndërmarrë hapa konkretë për t’u shtrirë në veri. Për këtë, sipas tij, ekziston një mbështetje e fuqishme e mekanizmave ndërkombëtarë që veprojnë në Republikë.
"Tanimë po shihet se institucionet e Kosovës nuk janë shumë të gatshme që me projekte dhe ndërmarrje konkrete të vënë rregull në atë pjesë të Kosovës, megjithatë përpjekjet nuk duhet të rreshtin. Institucionet e Kosovës duhet ta kultivojnë filozofinë e prezencës së institucioneve të Kosovës në tërë territorin e Kosovës", thotë Hasani.
Mungesa e autoritetit në veri përgjatë pothuaj 10 vijetësh, sipas vlerësimeve të ekspertëve, ka shkaktuar dhe dëme të dukshme financiare për shtetin e Kosovës, të cilat, ndër të tjera, vinin si pasojë e kontrabandës me mallra të ndryshme.
Sundimi i ligjit dhe ekonomia, sipas analistit tjetër Driton Lajçi, janë fushat kryesore, në të cilat duhet të përqendrohet Qeveria e Kosovës, për të rikthyer kontrollin edhe në pjesën veriore të vendit.
Lajçi shprehet kundër bisedimeve me Qeverinë serbe për çështjen e veriut të Mitrovicës, gjë që, siç pohon ai, duhet të zgjidhet përmes dialogut ndërmjet përfaqësuesve të institucioneve kosovare dhe banorëve serbë të pjesës veriore të Mitrovicës.
"Nëse do të duhej të bisedohej me dikë për veriun e Mitrovicës, atëherë duhet të bisedohet me qytetarët serbë të veriut të Mitrovicës, për t'i bindur ata që Prishtina është kryeqyteti i tyre; për të ofruar një pako joshëse për ta, qoftë ekonomike apo të sigurisë, në mënyrë që ata ta ndjejnë Prishtinën si ombrellë të sigurisë dhe të perspektives së tyre", mendon Lajçi.
Veriu i Kosovës që nga paslufta ka qenë pjesa më e ndjeshme e Kosovës, sikurse në aspektin politik, ashtu dhe në atë të sigurisë. Pakënaqësitë e banorëve serbë të veriut rreth shpalljes së pavarësisë së Kosovës në shkurt të vitit të kaluar, ishin manifestuar me protesta të shpeshta dhe veprime të tjera, siç ishin djegia e pikave doganore, uzurpimi i gjykatave dhe të tjera.
Analisti politik, Ismail Hasani, vlerëson se autoritetet kosovare dhe ato ndërkombëtare duhet të kenë kujdes lidhur me atë se çka mund të ndodhë në veri. Ai vlerëson se banorët serbë të Mitrovicës vazhdojnë të jenë të ndikuar nga politika e Beogradit zyrtar.
"Pjesë e përbërjes aktuale politike janë, në një mënyrë apo tjetër, njerëz të cilët kanë qenë bartës të funksioneve të ndryshme në kohën e Millosheviqit, siç është puna e Daçiqit apo e njerëzve të tjerë, të cilët, në situata kur ka ndryshime shoqërore brendapërbrenda Kosovës në drejtim të avancimit, krijojnë turbullira dhe animojnë njerëzit për protesta", thekson Hasani.
Zyrtarë të Qeverisë së Kosovës, kohë më parë, ishin zotuar se përmes menaxhimit politik të situatës, bashkëpunimit me strukturat komunale, pranisë ndërkombëtare dhe organeve të rendit, si dhe punës së përbashkët me popullatën lokale, do t'i paraprijnë zgjidhjes graduale të problemit të Mitrovicës.