Organizata Ndërkombëtare e Punës tha se më shumë se 50 milionë vende pune do të mbyllen në mbarë botën deri nga fundi i këtij viti.
Ndërkohë, Fondi Ndërkombëtar Monetar parashikoi se ekonomia globale do të stagnojë, në nivelin më të ulët që nga Lufta e Dytë Botërore.
Organizata Ndërkombëtare e Punës (ILO), thotë se bota po ballafaqohet me krizën e papunësisë.
Organizata parashikon se deri në fund të vitit 2009, do të mbyllen të paktën 18 milionë vende pune.
Kjo shifër mund të arrihet vetëm nëqoftëse qeveritë ndërmarrin një varg masash përfshirë paketat stimuluese financiare. Në të kundërtën, deri 51 milionë vende pune do të mbyllen deri në fund të këtij viti.
Lawrence Johnson është autori i raportit "Trendet Globale të Punësimit" .
"Ne po shikonim vlerësimet që nga viti 1991 për të bërë krahasimet e masave të punësimit dhe doli se kjo është rritja më e madhe e numrit të të papunëve. Në vitin 2007, përqindja globale e rritjes së papunësisë ishte 5. 7 ndërsa nëse gjërat shkojnë në drejtim të gabuar mund të arrijë shifrën 7.1 %", thotë Johnson.
Në rajonin që përfshin Evropën Qëndrore dhe Juglindore si dhe vendet e ish Bashkimit Sovjetik, organizata thotë se papunësia është rritur deri në 9.8 %.
Këto shifra mund të shënojnë rritje për shkak se migrantët kthehen në shtëpitë e tyre pas humbjes së vendeve të punës në shtetet ku aktualisht punojnë.
"Ne e dijmë se shumë njerëz mund të humbin punët në pjesë tjera të Evropës dhe të kthehen në shtëpitë e tyre për të kursyer paratë. Lëvizja e papunësisë në këtë rajon nga 8.5 deri 9.8 % është alarmante. Kjo don të thotë se nga 15 milionë të papunë numri po arrin në 18 milionë", thotë Lawrence Johnson.
Në shumë vende të zhvilluara, të papunët mund të marrin ndihma financiare nga shteti, mirëpo një gjë të tillë nuk e gëzojnë edhe banorët e vendeve të varfëra.
Pikërisht për këtë arsye, Organizata Ndërkombëtare e Punës thekson se do të rritet numri i të ashtuquajturave punë të "pambrojtura". Deri në fund të këtij viti, një e katërta e punëtorëve të Evropës Lindore do të bëjnë këso lloj punësh që janë të pasigurta dhe të pambrojtura.
Neil Shearing, ekonomist nga Londra, thotë se papunësia në vendet Baltike mund të arrijë në 15 %.
Bullgaria, Rumania dhe Ukraina gjithashtu janë në gjendje të vështirë.
"Fillimisht sektorët e ndërtimtarisë dhe prodhimtarisë do të goditen më së shumti. Industria tashmë absolutisht ka kollapsuar duke tkurrur kërkesat në Evropën Perendimore. Por mendoj se recesioni do të gëlltisë tërë ekonominë e rajonit", thotë Shearing.
Fondi Monetar Ndërkombëtar ditë më parë bëri të ditur se ekonomia globale është e mundur të dërrmohet gjatë këtij viti.