Ndërlidhjet

Malazezët kërkojnë statusin e pakicës


Përfaqësues të banorëve malazezë në Kosovë u kërkojnë institucioneve shtetërore të Kosovës të kenë trajtim të barabartë me komunitetet e tjera që jetojnë në republikë. Qeveria e Kosovës ka shprehur gatishmërinë për krijimin e kushteve dhe të drejtave të barabarta edhe për malazezët qe jetojnë në Kosovë.


Qeveria e Malit të Zi ka mirëpritur gatishmërinë e Republikës së Kosovës për të zgjidhur çështjet akoma të hapura ndërmjet dy shteteve.

Gjatë një debati me temën "Pozita e malazezve në Kosovë", ku përveç zyrtarëve nga Mali i Zi morën pjesë dhe përfaqësues ët Qeverisë së Kosovës dhe mekanizmave ndërkombëtar që veprojnë në vend u diskutua për gjendjen aktuale të banorëve malazez që jetojnë në Kosovë si dhe për të ardhmen e tyre në shoqërinë kosovare.

Duke aluduar në pozitën e banorëve malazez në Kosovë, çështje kjo për të cilën zyrtarë të Malit të Zi, kohë më parë kishin shprehur pakënaqësitë e tyre duke kërkuar që banorët malazez në Kosovë të kenë statusin e pakicës, nënkryetari i Kuvendit të Malit të Zi, Rifat Rastoder, shpjegoi qëndrimin e tij.

"Nuk duhet të ketë dyshim se mbase çështja më e ndjeshme është pikërisht kjo, e drejta kushtetuese për gjendjen e bashkësisë malazeze në Kosovë dhe krijimi i kushteve për kthimin e të zhvendosurve nga Kosova, që do të thotë krijimi i kushteve për një paqe afatgjatë dhe stabilitet në rajon", tha Rastoder.

Kryetari i Shoqatës së Malazezëve të Kosovës, Sllobodan Vujaçiq, ka thënë se malazezët duan të marrin pjesë në ndërtimin e shtetit të Kosovës, por për një gjë të këtillë, sipas tij, është e domosdoshme që atyre t'u kthehet e drejta kushtetuese të cilën dikur e kanë pasur.

"Koha është që të mos na identifikoni me bashkësinë serbe apo më cilëndo bashkësi tjetër, sepse në këtë mënyrë merrni pjesë në asimilimin e një bashkësie dhe shndërrimin e saj në një tjetër, që është në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës. Koha është të kuptoni se ne kemi emrin dhe mbiemrin tonë dhe nuk pranojmë të jetojmë nën emrin e dikujt tjetër. Qeveria e Republikës së Kosovës e ka për detyrim të na mbrojë nga pretendimet asimiluese. Përgjegjësinë më të madhe për krejt çka po ndodhë dhe çka do të ndodhë në të ardhmen do ta ketë pikërisht Qeveria e Republikës së Kosovës dhe popullata shumicë", tha Vujaçiq.

Qeveria e Kosovës, ndërkohë, ka shprehur gatishmërinë e saj për të mbështetur komunitetin malazez në Kosovë. Ministri i administrimit dhe pushtetit lokal, Sadri Ferati, theksoi se banorët malazez në Kosovë, sikurse komunitetet tjera që jetojnë në republikë, do të trajtohen si pjesë e barabartë e shoqërisë kosovare.

"Për të gjitha kërkesat që do të ketë komuniteti malazez, do ta gjejë mbështetjen, do ta gjejë gatishmërinë e institucioneve të Republikës së Kosovës sikur edhe të gjithat komunitetet tjera. Prandaj edhe integrimi, edhe kthimi dhe të gjitha çështjet e tjera janë tema të hapura dhe gjithmonë brenda mundësive të institucioneve të Kosovës ato do të zgjidhen", theksoi Ferati.

Mali I Zi së bashku me Maqedoninë e ka njohur shtetin e Kosovës në tetor të vitit të kaluar. Aktualisht, të dyja vendet janë në procesin e përpjekjeve për hapjen e ambasadave në Prishtinë dhe Podgoricë.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG