Kosova pritet që përgjatë muajve të ardhshëm të hap 12 ambasada të tjera në botë.
Kështu thonë zyrtarë të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kosovës, të cilët njoftojnë se 10 ambasadave kosovare në botë, pritet që gjatë valës së dytë të hapjes së ambasadave t’u shtohen dhe 12 ambasada të tjera si dhe 7 apo 8 Zyra Konsulore, të cilat do të jenë të përqendruara kryesisht në shtetet ku ka një numër më të madh të emigrantëve kosovarë.
Zëdhënësja e Ministrisë së Punëve të Jashtme, Albana Beqiri, thotë se ambasadat e reja të shtetit të Kosovës do të hapen në Maqedoni, Malin e Zi, Kroaci, Slloveni, Çeki, Bullgari, Suedi, Holandë, Japoni, Kolumbi, Portugali dhe Hungari.
"Tashmë është marrë një vendim politik edhe për 12 ambasada të tjera, 11 kanë qenë tash është shtuar dhe një ambasadë-bëhet fjalë për Hungarinë. Pritet shumë shpejt dekretimi nga Presidenti i të 12 ambasadave. Ndërkohë, në Ministri është duke punuar për aktet nënligjore që rrjedhin nga Ligji për Shërbimin e Jashtëm të Kosovës, i cili është miratuar nga Kuvendi i Kosovës në fund të vitit që lamë pas", tha Beqiri.
Që prej mesit të tetorit të vitit 2008, Republika e Kosovës ka hapur dhjetë ambasadat e para të saj në botë.
Kosova ka hapur ambasadat e saj në Uashington, në Londër, në Bruksel, në Paris, në Berlin, në Vjenë, në Romë, në Bernë, në Ankara dhe në Tiranë- vende këto ku tanimë janë vendosur të ngarkuarit me punë për ambasadat e shtetit të Kosovës.
Zëdhënësja Beqiri njofton se për postin e ambasadorëve në 10 ambasadat ekzistuese si dhe për 12 ambasadat e tjerat pritet që të publikohet një konkurs.
"Nuk do të shkohet më me modulin e të përzgjedhurve politikë, do të thotë me konsensus politik, por do të priten konkurset. Në ambasadat ekzistuese, për vendet vakante të ambasadorëve do të shpallen konkurset për 10 ambasadorët e 10 ambasadave ekzistuese të Kosovës si dhe për 12 ambasadat e tjera", shtoi ajo.
Opozita kosovare, ndërkohë, vlerëson se ekzekutivi kosovar është dashur t’i ketë bërë gati më herët të gjitha çështjet që lidhen me shërbimin diplomatik të Kosovës jashtë vendit. Përfaqësuesi i partisë Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Ardian Gjini, thekson se çështjet procedurale për emërimin dhe përcaktimin e ambasadorëve të shtetit të Kosovës në botë është dashur të fillonin qysh në fillim të vitit të kaluar.
"Procedurat e parapara me ligj duhet të ndiqen, por sidoqoftë, të gjitha këto çështje është dashur të parashihen shumë më herët; është dashur të parashihen në fillim të vitit të kaluar, është dashur që menjëherë në qershor të hapen konkurset në mënyrë që të mos jemi në situatën ku edhe një herë duhet të kalohet përgjatë kësaj procedure", vlerëson Gjini.
Kosovën, gjer më tani, e kanë njohur 54 shtete nga arena ndërkombëtare.
Buxheti i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kosovës për vitin 2009 është diku rreth 25 milionë euro, andaj sipas zyrtarëve qeveritarë, është vendosur që ambasadat e Kosovës në botë të fokusohen në shtetet më të mëdha si dhe që një pjesë e këtyre ambasadave të mbulojnë më shumë se një shtet.