Përfaqësues të institucioneve shtetërore të Kosovës e quajnë jo të përshtatshëm momentin për të marr ndonjë vendim për heqjen e zonës tokësore apo ajorre të sigurisë në kufirin Kosovë-Serbi.
Kryetari i Komisionit parlamentar për siguri dhe punë të brendshme, Rrustem Mustafa, mendon se situata aktuale e sigurisë në vend, e cila sipas tij vazhdon të jetë e brishtë dhe e rrezikuar nga Serbia, duhet të merret si parametër për të mos hequr zonën ushtarake të sigurisë në kufirin e Kosovës me shtetin serb.
"Besoj plotësisht se ata (NATO) dinë të vlerësojnë momentin dhe kohën se si është situata e sigurisë në vendin ku po jetojmë ne. Ka mundësi të shqyrohet dhe ekzistojnë të gjiotha kapacitetet për të bërë një gjë të tillë, por perderisa ne shohim aktivitete përafërsisht militare në rajon nga Serbia në këtë rast, unë e di që nëse e vlerësojmë momentin drejt nuk është momenti për të bërë ndryshime", tha Mustafa.
Sipas të dhënave, zona tokësore e sigurisë përfshin hapësirën prej rreth 1.920 kilometrash katrorë përgjatë kufirit 384 kilometërsh Kosovë-Serbi.
Marrëveshja Teknike e Kumanovës, e cila nëntë v jet më parë, i dha fund fushatës ajrore të NATO-s kundër Serbisë, e kishte detyruar këtë të fundit që t'i largojë 25 kilometra forcat motorike nga kufiri i Kosovës dhe t'i mbajë 5 kilometra larg forcat e këmbësorisë.
Eskperti për çështje të sigurisë, Ramadan Qehaja, vlerëson se heqja e zonës tokësorëe të sigurisë mund të ndikojë negativisht në situatën e sigurisë në Kosovë marrë parasysh dhe ndikimin e zhvillimeve politike në republikë. Sipas Qehajës, vendi i cili do të kërcënohej nga një ndryshim i tillë eventual, do të ishte veriu i Kosovës.
"Faktori ndërkombëtar e ka bërë të veten, kështu që jemi në një pat-pozicion për momentin dhe në qoftë se edhe më tej shtrohen çështje si kjo e gjashtë-pikëshit që ka të bëjë kryesisht me pjesën veriore të Kosovës, atëherë vërtet heqja e zonës së sigurisë tokësore do të ndikonte negativisht në situatën e sigurisë", thekson Qehaja.
Përveç zonës tokësore të sigurisë, Marëveshja e Kumanovës përcakton dhe zonën ajore të sigurisë të vendosur në vitin 1999, e cila fillimisht ishte 25 km, më pas u zvogëlua në 10 km dhe tani është 5 km.
Eksperti Qehaja mendon se heqja e zonës tokësore të sigurisë është më e rrezikshme se sa ajo ajrore.
"Unë mendoj se më e rrezikshme është heqja e zonës së sigurisë tokësore prej 5 kilometrash, edhe pse ajo në njëfarë mënyre ka qenë e zbutur. Sa i përket zonës së sigurisë ajrore nuk kisha me thënë se ka të bëjë me ne, ngase ëshët çështje e NATO-s", u shpreh Qehaja.
Kërkesa për ndryshimin e Marrëveshjes së Kumanovës ishte përmendur në vitin 2008 nga zyrtarë të Serbisë. Shefi i shtabit të ushtrisë serbe, gjenerali Zdravko Ponosh, ia kishte përcjellur një këkesë të tillë, që përfshin heqjen e zonës së sigurisë përgjatë kufirit Kosovë-Serbi, komandantit të Forcave të Bashkuara të NATO-s, admiralit Mark Fitzgerald.
Ndërkohë, ditë më parë, sekretari i përgjithshëm i NATO-së, Jaap De Hoop Scheffer, kishte deklaruar se është i gatshëm të shqyrojë kërkesën serbe për heqjen e zonës së sigurisë në kufirin Kosovë-Serbi.