Ndërlidhjet

Feith: S'ka zgjedhje – tash për tash


Pieter Feith
Pieter Feith

"S'mund të përjashtohet mundësia e mbajtjes së tyre. Mund të ketë zhvillime të reja që mund ta nxisin presidentin të caktojë zgjedhjet", thotë Pieter Feith për Radion Evropa e Lirë.



RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Feith, një çështje e cila është shndërruar në diskutime të “nxehta” është ajo e zgjedhjeve të përgjithshme. Opozita pohon se vendimi i institucioneve qeverisëse, i mbështetur edhe nga zyra juaj, është në kundërshtim me Kushtetutën dhe pakon e Ahtisaarit njëkohësisht. Cila do të ishte përgjigja juaj?

PIETER FEITH
Do të doja të bëj një vijë ndarëse midis përgjegjësive të presidentit të Kosovës dhe përgjegjësive të mia. Presidenti Sejdiu natyrisht është personi që përgjigjet në çështjet që kanë të bëjnë me Kushtetutën, kurse unë flas për planin gjithëpërfshirës për zgjidhjen e statusit.

Ju siguroj se pas konsultimeve që kam zhvilluar me palët e angazhuara, me ekipin e negociatorëve të presidentit Ahtisaari që kanë qenë të përfshirë deri më 2007, përfshirë këtu edhe periudhën e mbajtjes së zgjedhjeve dhe pas bisedimeve që kam zhvilluar me presidentin dhe kryeministrin, është arritur një pajtueshmëri e përgjithshme dhe këtu nuk ka ndryshim në qëndrime se - kërkesa që ka dalë nga pakoja gjithëpërfshirëse, neni 11, i cili thotë se zgjedhjet duhet të mbahen nëntë muaj pas hyrjes në fuqi të planit, është përmbushur me mbajtjen e zgjedhjeve më 2007.

Kjo është përgjegjësi e imja, presidenti e ka marrë këtë në konsideratë gjatë diskutimeve që kam zhvilluar me të dhe me kryeministrin dhe kjo është e gjitha që mund të them. Pjesa tjetër i takon presidentit Sejdiu të shpjegojë.

RADIO EVROPA E LIRË
A është vendimi i kthyeshëm?

PIETER FEITH
Sa më përket mua, ajo që e thashë është pikëpamja ime dhe autoriteti që më është dhënë në kuadër të pakos gjithëpërfshirëse dhe Kushtetutës. Më është besuar përgjegjësia për të qenë autoriteti përfundimtar në zbatimin e planit dhe kështu do të mbetet.

Mendoj se do të mund të ndihmojë fakti nëse them diçka tjetër, çka do të thotë e gjithë kjo, vendimi i presidentit, vendimi im…

Nuk do të ketë zgjedhje tash për tash. Nuk mund të përjashtohet mundësia e mbajtjes së tyre prej tash e deri në përfundim të mandatit katërvjeçar të Kuvendit dhe Qeverisë.

Natyrisht, mund të ketë zhvillime të reja që mund ta nxisin presidentin të caktojë zgjedhjet. Por, kjo është diçka e cila duhet të dalë nga Kuvendi, prandaj do të doja t’i trimëroj të gjithë që ta kthejnë debatin aty ku e ka vendin, në Kuvendin e Kosovës.

Dhe nëse opozita siguron mbështetje të mjaftueshme për synimin e tyre që të mbahen zgjedhjet, atëherë natyrisht kjo është diçka tjetër.

Por, aktualisht jemi këtu ku jemi dhe për momentin besojmë se kjo është mënyra më e mirë për të ecur përpara dhe ndihmon në spastrimin e spekulimeve që kanë dalë javët e fundit.

RADIO EVROPA E LIRË
Ka pasur diskutime kohët e fundit edhe për bisedimet e reja Prishtinë-Beograd. Ju keni thënë se ICO-ja është e gatshme t’i ndihmojë këto bisedime. A mund të jeni më specifik? Cili do të ishte formati i këtyre bisedimeve dhe çështje të ngjashme?

PIETER FEITH
Nuk kam thënë se ICO-ja është e gatshme të mbështesë, e kam pasur më shumë fjalën për Përfaqësuesin e Posaçëm të Bashkimit Evropian.

Mendoj se kontaktet midis Prishtinës dhe Beogradit duhet shikuar në kontekstin e perspektivës evropiane që i është dhënë të dyja vendeve. Për Bashkimin Evropian është e rëndësishme që vendet e ndryshme, në rrugëtimin e tyre drejt anëtarësimit, kanë raporte të mira fqinjësore, edhe nëse nuk e njohin njëra tjetrën.

Duhet të ketë të paktën kontakte teknike, për të mundësuar zbatimin e ligjeve dhe rregulloreve.

Siç e dini, Bashkimi Evropian ka të bëjë me lirinë e qarkullimit të të mirave dhe shërbimeve. Prandaj, ka disa arsye pse ne duhet të kërkojmë nga vendet që duan të jenë më afër Bashkimit Evropian të kenë kontakte me njëra tjetrën, edhe nëse nuk njihen mes vete.

Në kuadër të kësaj perspektive kam ofruar mbështetjen time dhe Brukseli gjithashtu do të ndihmojë. Natyrisht, është e rëndësishme që Qeveria të jetë tërësisht e përfshirë në çdo kontakt të mëtutjeshëm dhe agjenda duhet të varet nga çështjet të cilat të dyja palët i shohin si mundësi përfitimi.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Feith, a përballet misioni juaj me ndonjë vështirësi për të bashkëpunuar me EULEX-in, marrë parasyshë kornizat e ndryshme ligjore mbi të cilat funksiononi?

PIETER FEITH
Jo, nuk ka asnjë vështirësi. Mund të them se kemi një bashkëpunim të ngushtë me misionin e EULEX-it.

Siç e dini, nën Planin e Përbashkët të Veprimit, më është besuar përgjegjësia për të ofruar udhëzime politike vendore udhëheqësit të misionit. Gjenerali de Kermabon natyrisht e kupton këtë dhe është në kontakte të afërta me mua mbi çështje të ndryshme.

Ai e mbështet misionin duke këshilluar mbi një sërë çështjes ligjore dhe teknike.

RADIO EVROPA E LIRË
Por, a nuk ndikon zbatimi i Rezolutës 1244 në zbatimin e pakos së Ahtisaarit?

PIETER FEITH
Unë vetëm mund të them se mandati i EULEX-it është përcaktuar me Planin e Përbashkët, i arritur nga Bashkimi Evropian dhe ai parasheh një numër detyrash të cilat mund t’i lexoni në këtë dokument.

Pa dashur të jap ndonjë etiketë të caktuar, mendoj se mandati sjellë përfitime për Kosovën në përgjithësi, ofron siguri më të madhe për komunitetet dhe natyrisht, sforcon edhe sundimin e ligjit, duke ndihmuar autoritetet në ndërtimin e një sistemi shumëkonbësh dhe modern të drejtësisë.

Në këtë kuptim ne bashkëpunojmë jashtëzakonisht mirë.

RADIO EVROPA E LIRË
Cilat do të ishin prioritetet tuaja gjatë këtij viti në zbatimin e pakos së presidentit Ahtisaari?

PIETER FEITH
I kam nënvizuar tashmë prioritetet e mia dhe kam përdorur tre fjalë, një është siguria, e cila është në mandat të EULEX-it; dy të tjerat janë pajtimi dhe reformat.

Do të donim tani ta shihnim Qeverinë duke lëvizur përpara, veçanërisht në decentralizim, edukim, në hartimin e kurikulave për komunitetet dhe së treti duam të shohim më shumë përparim në mbrojtjen e trashëgimisë kulturore.

Presim pra të bashkëpunojmë me Qeverinë në këtë drejtim. Kryeministri do të shpjegojë qasjen dhe politikat e tij me më shumë hollësi në javët e ardhshme.

RADIO EVROPA E LIRË
Po në veri? Pakoja e Ahtisaarit kundërshtohet ashpër atje dhe ju sapo përmendët pajtimin…

PIETER FEITH
Supozoj që shumë shpejtë, prania e EULEX-it do të ndikojë në situatën në veri, veçanërisht në fushat ku ka mungesë të rendit dhe ligjit.

Në këtë drejtim, fjalën e kam posaçërisht në marrjen e përgjegjësive nga EULEX-i për të menaxhuar gjykatën në Mitrovicë dhe duke punuar në pikat kufitare 1 dhe 31, duke filluar grumbullimin e taksave doganore.

Pas funksionalizimit të plotë të EULEX-it dhe ata janë ende në fazën e ndërtimit, mendoj se mund të presim më shumë vetëbesim dhe ndjenjë sigurie tek njerëzit që jetojnë në veri, një qarkullim më të lirshëm tek lumi Ibër dhe me kohë, shpresoj se komuniteti serb do të jetë i trimëruar për t’u integruar plotësisht në shoqërinë kosovare.

RADIO EVROPA E LIRË
Në raportin Kosovë-Serbi, kohët e fundit është ngritur edhe çështja e bllokadës ekonomike që Serbia dhe Bosnia ia kanë imponuar Kosovës. A mund të bëjë diçka në këtë drejtim faktori politik ndërkombëtar në Kosovë?

PIETER FEITH
Po mundemi, sepse kjo është një çështje që po e brengos Komisionin Evropian. Një nga parimet kyçe të Bashkimit Evropian, e përmenda më herët, është promovimi i qarkullimit të lirshëm të të mirave dhe shërbimeve.

Veprimet që janë ndërmarrë nuk janë në pajtueshmëri me kërkesat e Bashkimit Evropian. Kosova tash është ankuar tek CEFTA dhe shpresojmë se me këtë do të rregullohen formalitetet, për të mundësuar qarkullimin e të mirave.

RADIO EVROPA E LIRË
Një prej synimeve të misionit tuaj, është mbështetja e integrimit evropian të Kosovës. Sa afër apo sa larg është Kosova në këtë proces?

PIETER FEITH
Mendoj se Kosova po bën përparime të mira. Në raportin e fundit, Komisioni Evropian ka vënë në pah megjithatë se ka ende dobësi.

Ekonomia duhet të reformohet dhe modernizohet dhe në këtë drejtim, presim hapa thelbësorë nga Qeveria, privatizimin e sektorëve kyçë, duhet ruajtur disiplina fiskale dhe do të donim të shihnim zbatim efektiv të ligjeve që janë miratuar.

Kësisoji do të siguronim respektim të plotë të të drejtave të pakicave dhe një zhvillim të mëtutjeshëm të një shoqërie shumëkombëshe. Sërish, përparimi ka qenë i mirë, por ende ka shumë punë për të bërë.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG