Ndërlidhjet

Kosova rrezikohet të stagnojë


Lënia e Kosovës anash nga vendet e rajonit në aspektin e lehtësimit të regjimit të vizave ndërmjet Kosovës dhe Bashkimin Evropian është një gjë e pakuptimtë, vlerëson Iniciativa Evropiane për Stabilitet. Ndërkohë, sipas Qeverisë së Kosovës bashkëpunimi jo i mirë Prishtinë-Beograd sa i përket zëvendësimit të pasaportave të dikurshme serbe me ato të Kosovës-si kusht për liberalizim ët vizave, po e pengon procesin në tërësi. Nga Prishtina njofton Edona Peci.


Kosova rrezikon mbetet prapa ekonomikisht dhe politikisht për shkak të mungesës së marrëveshjes për liberalizimin e vizave me Bashkimin Evropian. Këtë vlerësim e jep Iniciativa Evropiane për Stabilitet në raportin e saj të fundit "Projekti Lista e Bardhë" që ka të bëjë me politikat e BE-së për Udhëtimin pa Viza për Ballkanin Perëndimor.

Në krahasim me vendet e rajonit, Shqipërinë, Bosnjë e Hercegovinën, Maqedoninë , Malin e Zi dhe Serbinë të cilat kanë nënshkruar marrëveshjen për lehtësimin e regjimit të vizave me BE-në e cila ka hyrë në fuqi me 1 janar të 2008-tës, Kosova në këtë drejtim është lënë anash, konsideron Verena Knaus Iniciativa Evropiane për Stabilitet duke e quajtur të pakuptimtë një gjë të tillë.

"Nuk ka kuptim, nga këndvështrimi gjeografik, të përjashtohet një territor i vogël i cili gjendet në mes të regjionit nga e drejta për të udhëtuar pa viza në Europë. Kjo ka edhe më pak kuptim, nëse e marrim parasysh që dy pikat kufitare në 1 dhe 31 në veri të Kosovës në kufi me Serbinë për momentin nuk mbikqyren me të vërtetë. Pra, as Serbia e as Kosova, për momentin nuk e përmbushin standardin për menazhimin dhe kontrollimin e kufinjëve", thotë Knaus.

Ndërkohë, përfaqësues të Qeverisë së Kosovës thonë se Kosova ka përmbushur një pjesë të konsiderueshme të kërkesave teknike që Bashkimi Europian i ka vënë vendit lidhur me lehtësimin e regjimit të vizave. Kryeshefi ekzekutiv i Agjensisë për koordinim të zhvillimit dhe integrimit europian në kuadër të qeverisë së Kosovës, Besfort Rrecaj, thekson se kriteret si pasaportat biometruike dhe të tjera janë përmbushur por se pengesat kryesore në këtë drejtim janë të natyrës politike dhe kanë të bëjnë me shtetet që nuk e kanë njohur Kosovën.

Mungesa e bashkëpunimit me Serbinë, sipas tij, ndikon në mosrealizimin e disa kritereve siç është ajo e pasaportave.

"Kjo e vështirëson (procesin), sidomos në kohën kur Serbia nuk është kooperative me Kosovën. Po të kishte një kooperim me Republikën e Serbisë, atëherë ne me një marrëveshje shumë të thjeshtë do të mund të parandalonim këtë çështje, mirëpo Republika e Serbisë e keqpërdor situatën në të cilën gjendemi ne", vlerëson Rrecaj.

Knaus vlerëson se një pjesë e madhe e punës lidhur me liberalizimin e vizave Kosovë-BE, duhet të bëjnë dhe vet institucionet e Kosovës. Bashkëpunimi me shtetet mike europiane në këtë drejtim, sipas saj, do të ishte shumë ndihmues për tërë procesin.

"Hapat e parë që duhet të bëjë Kosova kanë të bëjnë me përmbushjen e marrëveshjes për riatdhesim, pasaportat biometrike, një gamë të gjerë të krijimit të infrastrukturës, ligjet që duhet të miratohen. I takon vet Qeverisë së Kosovës që ti ndërmarr këta hapa dhe t'i shtyejë tani ato shtete mike anëtare të BE-së, të ndihmojnë Kosovën në tejkalimin e problemeve politike që kanë kryesisht të bëjnë me mosnjohjen e Kosovës. Kosova duhet të bëjë përpjekje që këto shtete të bindin shtetet tjera në mënyrë që Kosovës t'i garatohet udhëtimet pa viza së bashku me shtetet tjera rajonale për vitin 2010, 2011 apo më së largu 2012", konsideron Knaus.

Arsye tjetër që po e vështirëson cështjen e liberalizimit të vizave për Kosovësn, sipas ESI-të dhe Agjensisë për koordinim të zhvillimit dhe integrimit europian të Qeverisë së Kosovës, është dhe fakti që Kosova si shtet është akoma i ri.



XS
SM
MD
LG