Ndërlidhjet

FSK - të gatshme agjendën për aktivizim


FSK
FSK

Forca e Sigurisë së Kosovës do të jetë e gatshme në afatin e caktuar kohor, thonë zyrtarë të Ministrisë së FSK-së, të cilët njoftojnë se do të publikojnë dhe një agjendë për aktivizimin e kësaj strukture të sigurisë.




Ministria e Forcës së Sigurisë së Kosovës zotohet t’i ketë bërë të gjitha përgatitjet e duhura për fillimin e veprimit të FSK-së, e cila, sipas zyrtarëve të Aleancës Veri-Atlantike, do të nisë punën më 21 janar.

Drejtori i zyrës për informim në Ministrinë e FSK-së, Ibrahim Shala, njofton se lidhur me këtë, Ministria e Forcës së Sigurisë do të publikojë të premten Agjendën mbi Deaktivizimin e TMK-së dhe Aktivizimin apo Themelimin e FSK-së.

"Natyrisht se janë bërë të gjitha përgatitjet e duhura që në datën e caktuar gjithçka të jetë gati dhe të aktivizohet FSK-ja", thotë Shala.

Sipas planit të presidentit Martti Ahtisaari, dokument që përbën bazën e Kushtetutës së Kosovës, Forca e Sigurisë e Kosovës do të ketë 2500 pjesëtarë të armatosur lehtë me 500 rezervistë, të cilët reflektojnë përqindjen etnike të Kosovës.

Struktura organizative e FSK-së i mundëson komandantit të kësaj force që të ketë një zëvendës nga komuniteti serb, mirëpo akoma nuk është bërë e ditur se a ka pasur deri më tani aplikantë për këtë post. Sipas Ministrisë së FSK-së, interesimi i pjesëtarëve të komunitetit serb për t’u anëtarësuar në këtë mekanizëm, vjen kryesisht nga radhët e ish-pjesëtarëve të Trupave Mbrojtëse të Kosovës.

"Ka pasur interesim të madh nga minoritetet; ka informacione se ka pasur interesim edhe nga minoriteti serb, mirëpo nga minoritetet tjera ka qenë interesimi më i madh. Në këtë rast, aplikantë kanë qenë të gjithë ata që kanë qenë pjesëtarë të TMK-së", thekson Shala.

Pjesa dërrmuese e serbëve kosovarë, pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt të vitit 2008, kishin braktisur vendet e tyre të punës në institucionet shtetërore të Republikës - dukuri e theksuar sidomos brenda strukturave të Policisë së Kosovës.

Mirëpo, eksperti për çështje të sigurisë, Nuredin Ibishi, mendon se problemet që ishin shkaktuar nga serbët protestues brenda strukturave policore në Kosovë, nuk do të përsëriten medoemos dhe në FSK.

"Forca e Sigurisë së Kosovës ka një specifikë të veçantë, që zinxhiri komandues do të jetë shumë i përcaktuar dhe nuk ka mundësi të vijë deri te mospërfillja e tij; ashtu që duhet lënë mundësia e kyçjes së mëvonshme, në mënyrë që përmes bisedimeve të ndërlidhura apo të ndërtueshme, ata (serbët) me një propagandë të mirëfilltë më vonë të kyçen. Pra, këtë duhet ta bëjë edhe Qeveria, por edhe shoqëria civile si dhe bashkësia ndërkombëtare", shprehet Ibishi.

Forca e Sigurisë së Kosovës pritet të ketë një armatim të lehtë dhe fillimisht do të jetë përgjegjëse në fusha si reagimi ndaj krizave, mbrojtja civile dhe demontimi i lëndëve shpërthyese.

Eksperti për çështje ushtarake, Fadil Kajtazi, mendon se Forca e Sigurisë së Kosovës, e trajnuar nga trupat e NATO-s në Kosovë, do të jetë një bazë e qëndrueshme për ushtrinë e shtetit të Kosovës.

"Ajo nuk do të jetë ushtri, por do të jetë bërthamë e një ushtrie. Procesi i krijimit të ushtrive është proces i gjatë; nuk mund të krijohet një ushtri ashtu ad hoc. Procesi i krijimit të ushtrive zgjat nga 4 deri në 12 vjet. Në këtë rast, përjashtim ka bërë ushtria kroate, e cila është krijuar në një afat të shkurtër dhe ka qenë befasuese ngase është krijuar për 4 vjet e gjysmë. Krijimi i ushtrisë së Kosovës do të jetë proces i gjatë për vetë faktin që Kosova është shtet i pavarur dhe një ditë do ta ketë ushtrinë, mirëpo për krijimin e një ushtrie është e nevojshme bërthama", mendon Kajtazi.

FSK tashmë ka përzgjedhur imazhin e pjesëtarëve të saj, të cilët do të jenë të uniformuar me uniforma që janë donacion nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës - të ngjashme me uniformat e armatës amerikane.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG