Ndërlidhjet

Rashiq: Integrimi më i vështirë sesa vetë kthimi


Sasha Rashiq
Sasha Rashiq

“Çka do të bëjnë njerëzit pasi që të kthehen, si do të integrohen? Për mua kthimi i qëndrueshëm është pjesa më e vështirë", thotë për radion Evropa e Lirë, Sasha Rashiq, ministër për Kthim dhe Komunitete.




RADIO EVROPA E LIRË
Në çfarë projektesh është duke punuar aktualisht Ministria për Kthim dhe Komunitete?

SASHA RASHIQ
Ministria për Kthim dhe Komunitete është në fazën e realizimit të tri projekteve, e këto janë: kthimi në Llapna Sellë, ku po ndërtohen 60 banesa, pastaj kthimi në fshatrat e Novobërdës, ku po ndërtohen 21 shtëpi, dhe kthimi në fshatin Sinajë në Komunën e Istogut, ku po ndërtohen 20 shtëpi.

RADIO EVROPA E LIRË
Ministër, tashmë është miratuar buxheti për vitin 2009. Sa para ka marrë Ministria e Kthimit?

SASHA RASHIQ
Ministria për Kthim dhe Komunitete ka marrë gjithsej 7.5 milionë euro për investime kapitale. Një pjesë e tyre do të shkojë në projektet e vjetra, në mënyrë që ato të përfundojnë, ndërsa për projekte të reja do të mbesin edhe 5. 3 milionë euro.

RADIO EVROPA E LIRË
A janë këto para të mjaftueshme, që, sipas vlerësimit tuaj, kthimi të jetë i suksesshëm, ashtu si ju konsideroni se duhet të jetë i suksesshëm?

SASHA RASHIQ
Natyrisht që nuk janë të mjaftueshme, sepse, siç e dimë të gjithë, janë rreth 200 mijë të zhvendosur që duhet të kthehen dhe rrjedhimisht duhen shumë më shumë mjete.

RADIO EVROPA E LIRË
Por, si është puna me kthimin në qytete? Këtu keni probleme, apo jo?

SASHA RASHIQ
Nuk di nëse ka probleme, por deri tash nuk ka pasur kthim të organizuar nëpër qytete të Kosovës. Ekziston një plan që po pret fondet, e ky është kthimi në Prizren, në pjesën e quajtur Te Kalaja.

Ai është pak më i shtrenjtë sesa projektet e rëndomta, meqë shtëpitë kanë qenë të llojit tjetër, të them të kohërave të vjetra, dhe tani duhet të përshtaten me rrethinën. Mendoj që ky plan duhet së pari të realizohet.

RADIO EVROPA E LIRË
Përse nuk ka kthim në qytete, por edhe në mjediset tjera, meqë ekziston një perceptim që e kanë thënë edhe vetë zyrtarë të ministrisë, se pas pavarësisë ka pasur një stagnim. A qëndron kjo? Cilat janë problemet e kthimit në qytete dhe në përgjithësi cilat janë problemet - të sigurisë, të ekonomisë, perspektivës, meqë serbët mund të jenë integruar atje ku jetojnë jashtë Kosovës?

SASHA RASHIQ
Nuk duhet gjeneralizuar nëse serbët apo të zhvendosurit e komuniteteve tjera janë integruar apo jo. Për ne është i mirëseardhur secili që dëshiron të kthehet në Kosovë.

Është e vërtetë se pas shpalljes së pavarësisë, më 17 shkurt, perceptimet e njerëzve sigurisht se kanë ndryshuar. Ka pasur rënie të kthimit. Shpresojmë se me punën e përditshme, pa marrë parasysh në situatën e re, do të ndryshojmë perceptimet e të zhvendosurve, do t’u ofrojmë kushte dhe do të varet nga ta nëse dëshirojnë të kthehen.

Për mua kthimi nuk është pjesa më e vështirë. Është integrimi. Çka do të bëjnë njerëzit pasi që të kthehen, si do të integrohen? Për mua kthimi i qëndrueshëm është pjesa më e vështirë. Pasiguria ekonomike apo politike - për mua këto paraqesin problem më të madh, sesa vetë kthimi.

RADIO EVROPA E LIRË
Atëherë çka do të bëni, meqë thoni se ekzistojnë të gjitha këto probleme, ndër të parat ekonomike? Çka do të bëni ju si ministër i Kthimit që kjo gjendje të ndryshojë?

SASHA RASHIQ
Procesi i kthimit është aq kompleks sa nuk varet vetëm nga Ministria për Kthim dhe Komunitete; një pjesë e saj varet nga Ministria e Punëve të Brendshme sa i përket sigurisë fizike, Ministria e Ekonomisë, Industrisë dhe partnerët tjerë të interesuar.

Sigurisht se ajo që unë do të bëj, është të vendos bashkëpunim pozitiv të ministrisë sonë me të tjerat, në mënyrë që të ketë qëndrueshmëri të këtij kthimi dhe në kuptimin e integrimit më të lehtë, sikur që është edhe situata ekonomike e të kthyerve.

RADIO EVROPA E LIRË
Pas pavarësisë, meqë kanë ndryshuar rrethanat, a keni ndonjë strategji të re, vizion të ri politik, meqë siguria nuk është problemi kryesor, por qëndrueshmëria ekonomike?

SASHA RASHIQ
Së bashku me Komisionin Evropian, përkatësisht me Agjencinë Evropiane për Rindërtim, po e ndërtojmë strategjinë për vitin 2009 dhe për pesë vjetët e ardhshëm. Kjo strategji duhet të shkojë në drejtim të stabilizimit të komuniteteve dhe kthimit, që i përfshin dy procese - të mbajë dhe të pengojë ikjen e njerëzve.

Sipas mendimit tim, është më lehtë dhe ekonomikisht më lirë të mbajmë njerëzit këtu, sesa të lejojmë që të shkojnë e pastaj t’i kthejmë.

Dhe, sigurisht, procesi tjetër është kthimi në mjediset urbane. Me mjedise urbane nënkuptohen mjediset ku ekziston infrastruktura dhe institucionet, e me vetë këtë integrimi do të jetë më i lehtë.

RADIO EVROPA E LIRË
Kohë më parë është nënshkruar një marrëveshje në mes të ministrisë suaj, Qeverisë, UNDP-së dhe Komisionit Evropian. Paratë janë ndarë, por në ç’fazë është projekti?

SASHA RASHIQ

Po, është e saktë. Para disa muajsh është nënshkruar marrëveshja mes Komisionit Evropian, UNDP-së, ministrisë dhe kryetarëve të komunave të Fushë Kosovës, Pejës, Istogut, Gjilanit, ku edhe do të kthehen njerëz në një periudhë prej 21 muajsh.

Projekti që shtrihet në katër komuna, do të zbatohet nga UNDP-ja. Në fazën e përgatitjes parashihet kthimi i mbi 300 familjeve në këto katër komuna.

RADIO EVROPA E LIRË
Çka prisni ju nga qeveritë komunale?

SASHA RASHIQ
Që të lehtësojnë punën, që grupet punuese të kalojnë nëpër procedura më të lehta, të përpilohen listat e shfrytëzuesve të projekteve të caktuara, çka do të thotë që të sigurojmë më lehtë dokumentacionin, kryesisht të kadastrës, e me këtë edhe sigurimi më i lehtë i lejeve për ndërtim.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG