Në orët e hershme të mëngjesit të ditës së shtunë, në pjesën veriore të qytetit të Mitrovicës kanë ndodhur dy incidente të ndara të shkaktimit të rrezikut të përgjithshëm, njofton Policia e Kosovës.
Kështu, në afërsi të lokalit të quajtur "Viva", në rrugën që shpie drejt spitalit në pjesën veriore të Mitrovicës ka ndodhur një shpërthim, si pasojë e të cilit janë dëmtuar rreth 8 vetura civile, ndërsa në mesnatën e së shtunës u është dhënë flaka dy shtëpive me pronarë shqiptarë në veri.
Zëdhënësi i Policisë rajonale në Mitrovicë, Besim Hoti, thotë se si pasojë e shpërthimit të zjarrit janë lënduar 6 persona, zjarrfikës, ndërsa motivet për të dyja incidentet dhe kryesit e veprave nuk dihen akoma.
"Policia për momentin nuk ka të dyshuar në lidhshmëri me rastin. Kjo është faza preliminare e hetimeve, me ç’rast policia është e obliguar të fillojë fazën e hetimeve për identifikimin e personave të dyshuar", u shpreh Hoti.
Hoti njofton se pas këtyre incidenteve, situata e sigurisë në Mitrovicë është e qetë dhe nën kontroll të mekanizmave kosovarë dhe ndërkombëtarë të sigurisë.
"Situata e sigurisë është nën kontroll dhe është vënë shumë shpejt nën kontroll me ndihmën e KFOR-it dhe forcave të Policisë së EULEX-it. Që nga vënia e situatës nën kontroll, nuk është shënuar për incidente të tjera", shtoi ai.
Ditët e fundit kanë qenë mjat sfiduese për situatën e sigurisë në rajonin e Mitrovicës, e cila siç duket vazhdon të jetë e brishtë.
Incidentet në Mitrovicë i kanë dënuar edhe udhëheqësit e institucioneve të larta shtetërore të Republikës. Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, përmes një kumtese për media u ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve të vendit që t'u shmangen provokimeve të ndryshme dhe t'u ndihmojnë institucioneve të rendit për ruajtjen e stabilitetit dhe të qetësisë.
"Aktet e tilla të dhunshme, pa marrë parasysh motivet dhe autorët që qëndrojnë prapa tyre, nuk i shërbejnë perspektivës së qytetarëve të Republikës së Kosovës", ka theksuar presidenti Sejdiu, i cili u ka bërë thirrje institucioneve përgjegjëse për sigurinë në vend, KFOR-in, Policinë e Kosovës dhe organet e hetuesisë që t'i ndërmarrin të gjitha masat e nevojshme për zbardhjen e këtij rasti, në mënyrë që personat përgjegjës të dalin para drejtësisë.
"Institucionet e Republikës së Kosovës janë të përkushtuara për sundimin e rendit dhe të ligjit, për ndërtimin e një shoqërie të lirë e demokratike, që u krijon mundësi të barabarta të gjithë qytetarëve të saj dhe nuk do të lejojnë që aktet e tilla ta vënë në rrezik të ardhmen euroatlantike të vendit", ka shtuar presidenti Sejdiu.