Shenjat e para të krizës ekonomike u paraqitën në gusht të 2007-ës, por 2008-ta ishte viti i krizës së vërtetë financiare, e cila e futi ekonominë e Shteteve të Bashkuara, Evropës dhe Japonisë në recesion, për herë të parë pas Luftës së Dytë Botërore.
Viti 2008, pos tjerash, i dha fund Wall Street-it, të atillë siç e njohim, si një nga institucionet më të mëdha financiare, që u gjunjëzua nën barrën e humbjeve të mëdha nga kreditë, gjë që nxiti rënien e çmimit të naftës.
Viti 2008 do të mbahet në mend edhe për masat e papara radikale të autoriteteve, në përpjekje për të zbutur krizën.
Fjalët kolapsi kreditor dhe stimulet fiskale u bënë pjesë e fjalorit të përditshëm.
Në fillim të janarit, autoritetet amerikane e pranuan se ekonomia ka nevojë për shtytje, por fjalët e presidentit George Bush, kur kërkoi stimule financiare, ishin shumë të qeta.
"Ne mund të marrim një injeksion në krah që ekonominë fundamentale ta mbajmë të shëndoshë. Kjo do t’u ndihmojë sektorëve ekonomikë që janë trazuar, si tregu i shtëpive, të mos i prekin pjesët tjera të ekonomisë sonë”, tha Bush.
Por, kriza i kishte rrënjët shumë më të thella. Shumë njerëz kishin marrë hua për shtëpitë e tyre pa mundësi për t’i kthyer.
Kur shumë prej tyre dështuan, huadhënësit filluan të kolapsojnë. Bankat paraqiten humbje të mëdha në sistemin e sigurimeve që ndërlidhet me kreditë e shtëpive.
Kjo bëri që bankat të ngurrojnë t’u japin para bizneseve dhe bankave të tjera. Vështirësitë e krijuara bënë që të ndjehet era e recesionit. Pyetja ishte se sa do të jetë i rëndë dhe sa do të ndjehet larg Shteteve të Bashkuara.
Në mars ranë viktimat e para. Bear Stearns, një nga firmat më të mëdha të Wall Street-it, u ble nga rivali Morgan Chase për një pjesë të vogël të vlerës së saj.
Në korrik ra kompania e madhe kreditore Indymac. Në këtë muaj, nafta arriti 147 $/fuçi, ndërsa një euro vlente 1.60 $.
Dhe erdhi 7 shtatori.
"Fannie Mae dhe Freddie Mac janë aq të gërshetuara në sistemin tonë, saqë dështimi i tyre do të shkaktonte turbullira të mëdha në tregjet financiare”, tha Sekretari i Thesarit, Henry Poalson, duke shpallur planet e Qeverisë për të shpëtuar dy huadhënësit e mëdhenj.
Ngjarjet rrodhën shpejt në ditët dhe javët në vijim. Më 15 shtator kolapsoi Lehman Brothers, një nga bankat më të mëdha investuese në botë, ndërsa Merrill Lynch u mor nga një bankë tjetër.
Të nesërmen, Thesari shpalli një plan emergjent miliarda dollarësh, për të shpëtuar gjigantin e sigurimeve AIG.
Rënia e bankave tjera bëri që në kulmin e krizës të lindë plani 700 miliardë dollarësh i qeverisë, për të blerë borxhet e këqija. Kjo ndodhi sepse kriza shkaktoi reaksione vargore në sistemin financiar, të cilat, sipas financierit të njohur George Soros, e futen sistemin financiar në "arrest kardiak".
Dështimi i Lehman Brothers ua vështirësoi bizneseve madje edhe pagat e punëtorëve.
Howard Davies është drejtor i Shkollës Ekonomike në Londër dhe ish-rregullator financiar në Mbretërinë e Bashkuar.
"Në të kaluarën, doktrina ishte se një bankë komerciale mund të kolapsojë, por tregu mund ta përballonte. Por, në rastin e Lehman Brothers pamë se efektet e ndryshme u krijuan në mbarë globin”, thotë Davies.
Deri në këtë kohë, Evropa e shihte krizën vetëm si punë të Amerikës, por nga fundi i shtatorit kriza e kaloi Atlantikun. Në Britani filloi nacionalizimi i dy huadhënësve, Bradford dhe Bingley, ndërsa në Holandë, Belgjikë dhe Luksemburg i grupit të sigurimeve Fortis.
Gjendja më dramatike ishte në Islandë, ku kolapsoi sistemi bankar dhe shpëtimi u kërkua nga Fondi Monetar Ndërkombëtar.
Kriza filloi të ndjehet shumë edhe në tregjet e Rusisë. Investitorët filluan të ikin, ndërsa tregjet e bursave në Moskë i zuri paniku dhe disa herë u mbyllën.
Kryeministri Vladimir Putin i fajësoi Shtetet e Bashkuara, ndërsa presidenti Dmitry Medvedev paralajmëroi një epokë të re.
"Koha e dominimit të një ekonomie dhe një valute ka perënduar njëherë e përgjithmonë”, tha Medvedev.
Pavarësisht nga shkaqet e krizës, ajo e dominoi fushatën presidenciale amerikane. Në dhjetor u konfirmua se ekonomia amerikane tashmë një vit ka qenë në recesion.
Në listën e vendeve që kërkonin ndihma nga FMN-ja, Islandës iu bashkëngjitën Hungaria, Letonia, Ukraina, Bjellorusia dhe Pakistani.
Në Amerikë, Departamenti i Thesarit vazhdoi me një hap të paparë, duke ulur shkallet e interesit praktikisht në zero. Por, kjo deri tash ka dhënë pak efekte.
Ndërkohë, Qeveria amerikane vazhdoi me përpjekjet e saj, të cilat deri në fund të vitit vlerësohet se kapën shumën prej 8.500 miliardë dollarësh.
Shqetësim të madh paraqet mundësia e kolapsit të industrisë së automjeteve, të cilës qeveria i ndau 17.4 miliardë dollarë.
Por, kriza nxori në pah edhe një pyetje fundamentale: A duhet qeveritë të ofrojnë ndihmën e tyre, ndërsa barrën e rëndë të borxhit t’ua lënë gjeneratave të reja?