Misioni i Bashkimit Evropian për polici dhe drejtësi, EULEX, duhet të veprojë medoemos në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe rrjedhimisht me pakon e presidentit Martti Ahtisaari, për të mos u shndërruar në një UNMIK të dytë në Kosovë.
Kështu thonë përfaqësues të partive politike në Kosovë, të cilët theksojnë se EULEX-i duhet sa më parë të precizojë veprimin e tij ligjor në Kosovë, marrë parasysh paqartësitë e mëdha që janë krijuar rreth mandatit të tij.
Përfaqësuesi i partisë Aleanca Kosova e Re, Ibrahim Makolli, e quan të papranueshëm veprimin e EULEX-it në korniza të ndryshme ligjore në Kosovë.
"Çdo përpjekje tjetër për të vepruar në bazë të ligjeve të ndryshme, natyrisht se do të shkaktojë përplasje të legjislacioneve, si rezultat i të cilave nuk do të kemi mundësi të kemi një sistem unik në të gjithë vendin, gjë që është absolutisht e papranueshme", thotë Makolli.
Pas qëndrimeve diametralisht të kundërta ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit rreth mandatit të EULEX-it në Kosovë, shtrirja e plotë e këtij misioni u mundësua përmes një deklarate të Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, dokument ky i cili përcakton operimin e EULEX-it nën Rezolutën 1244 dhe nën ombrellën e OKB-së.
Deputeti nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Bajram Kosumi, vlerëson se Rezoluta 1244 nuk duhet të shërbejë si bazë ë veprimit të EULEX-it, ngase në këtë mënyrë rrit rrezikun e kopjimit të misionit të mëparshëm të OKB-së.
"Politizimi i EULEX-it dhe hyrja nën ombrellën e 1244-shit krijon reminishenca të UNMIK-ut të ri dhe kjo do të thotë, para se të fillojë punën, EULEX-i e zbeh vetveten dhe krijohet një humbje e besimit të qytetarëve të Kosovës tek ai", mendon Kosumi.
Qeveria e Serbisë kishte pranuar shtrirjen e EULEX-it në Kosovë me kushtin që ky mision të mos e zbatojë planin Ahtisaari. Por, deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Bujar Bukoshi, mendon se po qe se realizohet një kërkesë e tillë do të binte poshtë i tërë angazhimi për shtrirjen e EULEX-it dhe misioni si i tillë do të humbte kuptimin e vet.
"Atëherë do të ketë probleme, do të ketë konfuzion shumë të madh dhe pa u sqaruar kjo, do të komprometohet misioni dhe do të komprometohet i gjithë investimi i hatashëm që ishte", thotë Bukoshi.
Çështja më problematike rreth punës së EULEX-it është pjesa veriore e Kosovës, ku ky mision kishte hasur në kundërshtime të shumta të banorëve serbë. EULEX-i kishte nisur punën të martën duke dërguar edhe në pjesën veriore të qytetit të Mitrovicës rreth 100 pjesëtarë të këtij misioni.
Operimet e tyre ligjore, ndërkohë, mbesin të paqarta. Mirëpo, sipas deputetit të partisë në pushtet - Partia Demokratike e Kosovës, Xhavit Haliti, nuk i takon EULEX-it të zbatojë Kushtetutën e Kosovës në veri, gjë që, sipas tij, është obligim i institucioneve qeverisëse të Republikës.
"EULEX-i ka ardhur që të ndihmojë Kosovën për të zbatuar Kushtetutën e miratuar. Pra, detyrë e EULEX-it është të na ndihmojë neve në zbatimin e Kushtetutës. Prandaj, ne duhet të zbatojmë Kushtetutën e Kosovës", konsideron Haliti.
EULEX-i aktualisht ka një kapacitet prej 1.400 vetash, të cilët, sipas zyrtarëve evropianë, janë të vendosur në gjithë Kosovën, përfshirë edhe veriun dhe pikat doganore me Serbinë. Ky mision pritet që në javët dhe muajt e ardhshëm të veprojë në Kosovë me kapacitete të plota.