RADIO EVROPA E LIRË
Misioni i Bashkimit Evropian është vendosur në Kosovë nën ombrellën e Kombeve të Bashkuara. Si e shihni ju këtë zhvillim?
JANUSZ BUGAJSKI
Janë dy mënyra për ta shikuar atë. Ai mund të interpretohet në mënyrë pozitive dhe negative.
Ana negative është se nën ombrellën e Kombeve të Bashkuara, ky mision mund të krijojë një autoritet të OKB-së në Kosovë, që eventualisht mund të çojë te një lloj i statusit special për palën serbe, e ndoshta edhe në ndarje.
Ana pozitive mund të argumentohet se përfundimisht EULEX-i është brenda nën mandatin e Kombeve të Bashkuara, që do të thotë se është legjitim dhe bota e ka pranuar si mision implementues legjitim dhe kjo do t'i ndihmojë Kosovës, që të arrijë anëtarësim eventual në Kombet e Bashkuara.
RADIO EVROPA E LIRË
Zyrtarë të EULEX-it thonë se misioni do të punojë në gjithë Kosovën, përkundër kundërshtimeve të serbëve të Kosovës në veri, që thonë se do ta injorojnë këtë mision. Sipas jush, çka do të ndodhë?
JANUSZ BUGAJSKI
Mendoj se nuk mund ta injorojnë misionin EULEX, përderisa UNMIK-u filloi ta tërheqë autoritetin e tij dhe personelin në Kosovë.
EULEX-i do ta plotësojë këtë tërheqje në të gjitha pjesët e Kosovës dhe është i përkushtuar që të jetë në Mitrovicë dhe që të jetë nën një autoritet. Pra, nuk mendoj se serbët aktualisht do ta injorojnë atë, vetëm nëse nuk dëshirojnë që të kenë konflikt me Bashkimin Evropian në të ardhmen.
RADIO EVROPA E LIRË
Siç u tha, ky mision është nën ombrellën e Kombeve të Bashkuara, përfshirë edhe planin e Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së. Institucionet e Kosovës thonë se ato janë kundër këtij plani, pasi ai mund të çojë te ndarja. Por, zyrtarët ndërkombëtarë e thonë të kundërtën. Si e shihni ju këtë situatë?
JANUSZ BUGAJSKI
Unë përpiqem të jem optimist. Unë nuk kam shumë besim në Bashkimin Evropian, por jam shumë i kënaqur që amerikanët janë aty.
Kjo tregon se Shtetet e Bashkuara janë të përkushtuara që ta mbajnë Kosovë si një shtet dhe mendoj se nuk do të jenë tolerantë ndaj çfarëdo plani për ndarje. Varet se sa efektiv është EULEX-i në terren.
Prandaj, është shumë e rëndësishme për Qeverinë e Kosovës dhe për organizatat joqeveritare për t'i vëzhguar monitoruesit. Me fjalë të tjera, ata duhet ta monitorojnë suksesin apo dështimin e EULEX-it.
RADIO EVROPA E LIRË
Siç e përmendët, në EULEX marrin pjesë edhe Shtetet e Bashkuara. Lidhur me këtë, çka mendoni për politikën për Kosovën të administratës së ardhshme amerikane?
JANUSZ BUGAJSKI
Mendoj se administrata e ardhshme Obama do të jetë e përkushtuar së pari për ta rindërtuar aleancën, pastaj për t'i kompletuar misionet, për të cilat Shtetet e Bashkuara janë shumë të përkushtuara, përfshirë qartazi edhe Kosovën, dhe së treti, që të ndihmojë në zgjerimin e komunitetit euroatlantik dhe për konsolidimin e tij.
Shpresojmë se kjo eventualisht do të thotë hyrje e Kosovës në NATO dhe marrëdhënie më të ngushta të sigurisë me Shtetet e Bashkuara.
RADIO EVROPA E LIRË
Në Kosovë është e vendosur edhe Zyra Civile Ndërkombëtare, që është e angazhuar në monitorimin e implementimit të planit Ahtisaari, që shërbeu si bazë për pavarësinë e Kosovës. Nga ana tjetër, është thënë se EULEX-i do të jetë status neutral. Çfarë mendoni për këtë kundërthënie?
JANUSZ BUGAJSKI
Nuk mendoj se cilido mision mund të jetë status neutral. Ju ose e pranoni pavarësinë e Kosovës, ose nuk e pranoni.
Megjithëqë nën ombrellën e Kombeve të Bashkuara, EULEX-i është nën autoritetin e Bashkimit Evropian, ku shumica e vendeve e kanë pranuar pavarësinë e Kosovës.
Mendoj se pashmangshëm, ato duhet ta zbatojnë planin Ahtisasri, që po ashtu është pranuar edhe me Kushtetutën e Kosovës. Pra, ju mund të thoni gjëra të ndryshme, por, përfundimisht, EULEX-i do të jetë përgjegjës për implementimin e planit Ahtisaari në Kosovë.