Ndërlidhjet

UNMIK paralajmëron ndryshimin e rolit


Pamje në Prishtinë
Pamje në Prishtinë

Më 9 dhjetor në mesnatë pritet fillimi zyrtar i dislokimit të misionit të Bashkimit Evropian, EULEX në Kosovë, i cili do të zëvendësojë UNMIK-un.

E hëna, 8 dhjetor, është dita e fundit e misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë.

Nuk është paralajmëruar asnjë ceremoni e veçantë për nisjen e punës së EULEX-it, por tranzicioni në heshtje pritet t'i tregojë shenjat e veta në javët dhe muajt e ardhshëm në terren.

Me fillimin e operimeve të misionit më të madh që BE-ja ka pasur në ndonjë vend, pritet që të zvogëlohet roli i deritanishëm i misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë. Këtë e paralajmëroi dhe shefi i UNMIK-ut, Lamberto Zannier.

"Sigurisht që duke filluar nga nesër, UNMIK-u do të jetë shumë ndryshe nga ajo që ka qenë deri më tani", tha Zannier.

EULEX-i në periudhën e parë të veprimit pritet të nisë me kapacitete fillestare, të cilat pritet të plotësohen deri në pranverën e vitit të ardhshëm.

Sfida kryesore me të cilën pritet të ballafaqohen policët, gjykatësit dhe prokurorët evropianë të EULEX-it, do të jetë çështja e veprimit të tyre në terren dhe përcaktimi i operimeve në kuadër të kornizave ligjore në Kosovë, të cilat vazhdojnë të jenë të ndryshme.

Beogradi zyrtar kishte kërkuar që EULEX-i të veprojë në kuadër të Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit, ndërsa Prishtina zyrtare ka këmbëngulur që EULEX-i t'i zbatojë ligjet e Kushtetutës së Republikës së Kosovës, pavarësisht zonave të operimit në vend.

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Dardanisë, Nexhat Daci, thotë se misioni për forcimin e sundimit të ligjit të Bashkimit Evropian duhet t'i zbatojë ligjet e Kushtetutës së Kosovës.

"Roli i UNMIK-ut ka dy-tri vjet që është rol që nuk i është dashur Kosovës dhe qytetarëve tonë. Kemi pasur një stagnim dhe gati recesion ekonomik. EULEX-i duhet të jetë shumë i vetëdijshëm që është i mirëseardhur në Kosovë vetëm në qoftë se e respekton Kushtetutën e Kosovës, përndryshe nuk do të jetë mision që do të dallojë nga ajo dhe ne preferojmë që EULEX-i të jetë krejtësisht diçka ndryshe",
u shpreh Daci.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG