Ndërlidhjet

EULEX-i neutral (s')kërcënon mandatin e ICO-së


Zyrtarë të Zyrës Civile Ndërkombëtare në Kosovë thonë se veprimi i EULEX-it si mision neutral karshi statusit të Kosovës s'mund të vë në pikëpyetje mandatin e ICO-së. Por, analistët tërheqin vërejtjen për rrezikun e konfrontimit të kornizave ligjore mes tyre.


Zyra Civile Ndërkombëtare në Kosovë hedh poshtë mundësinë e kërcënimit të mandatit të ICO-së nga veprimi i misionit për sundim të ligjit të Bashkimit Europian si mision neutral karshi statusit të Kosovës.

Zyrtarë të Zyrës Civile Ndërkombëtare në Prishtinë thonë se marrëveshja 6 pikëshe Neë York-Beograd-Bruksel për rikonfigurimin e pranisë civile ndërkombëtare në Kosovë është një marrëveshje e përkohshme që shërben për t'i hapur rrugën shtrirjes së misionit EULEX.

Zëdhënësi i ICO-së, Andy McGuffy, thotë se Zyra Civile Ndërkombëtare, pavarësisht veprimit të EULEX-it në kuadër të rezolutës 1244 të OKB-së dhe neutralitetit të tij karshi statusit të Kosovës, do të vazhdojë të mbiqkur zbatimin e dokumentit Ahtisaari.

"Aranzhimet e raportit të sekretarit gjeneral të Kombeve të Bashkuara janë aranzhime të përkohshme që do të lehtësojnë zbarkimin e EULEX-it. Ky është qëllimi të cilin e mbështet ICO. Sidoqoftë, sa i përket mandatit tonë mund të them se ne do ët vazhdojmë bashkëpunimin me Qeverinë e Kosovës për të implementuar dokumentin gjithëprfshirës për statusin e Kosovës të Presidentit Ahtisaari", thotë McGuffy.

ICO e cila do të duhej bashkëpunonte dhe të monitoronte punën e EULEX-it në përputhje me ligjet e Kushtetutës së Kosovës të bazuar në planin e Presidentit Marti Ahtisaari, pas miratimit të deklaratës presidenciale në Këshill të Sigurimit të OKB-së e cila këmbëngul në rezolutën 1244, do të mund të ballafaqohej me probleme sa i përket mbikqyrjes së kornizës ligjore të veprimit të EULEX-it.

Analisti Ilir Deda thotë se tanimë ka filluar të vërehet një zbehje e rolit të ICO-së në Kosovë, por ai mendon se bashkëpununimi në mes të EULEX-it dhe të ICO do të vazhdojë në mënyrë joformale.

"Për këtë arsye ka filluar që të forcohet komponenta e zotit Pieter Feith si Përfaqësues Special i Bashkimit evropian në Kosovë, ndërsa siç duket në këto momente është zbehur roli i tij si Përfaqësues i Zyrës Ndërkombëtare Civile. Çka duhet të bëjmë ne tash është që ta forcojmë si Kosovë rolin e ICO-së", mendon Deda.

Funksionimi i EULEX-it, si mision neutral karshi statusit të Kosovës, mbetet akoma i paqartë në pjesën veriore të vendit ku në bazë të planit 6 pikësh të OKB-së do të vazdhojnë të vlejnë ligjet e administratës së Kombeve të Bashkuara në Kosovë.

Sipas Dedës, Prishtina zyrtare duhet t'i kërkojë Bashkimit Evropian një precizim të mandatit të mekanizmave evropian për këtë pjesë të vendit.

"Është paqartësia se çfarë ligje do të zbatohen në Kosovë e në veri dhe se çfarë do të thotë kjo status-neutral. Ne duhet të kërkojmë si Prishtinë garanca të forta nga Brukseli që të zbatohen vetëm ligjet e Kushtetutës së Kosovës edhe në veri", konsideron ai.

Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara i ka dhënë, ditë më parë, dritën jeshile vendosjes së misionit të BE-së në Kosovë i cili pritet të veprojë nën ombrellën e OKB-së dhe në mënyrë neutrale ndaj statusit të Kosovës. Ky mision pritet të jetë funksional më datën 9 dhjetor të këtij viti.

Ndërkohë, mbetet akoma e mjegullt çështja e bashkëpunimit të EULEX-it me Qeverinë e Kosovës si dhe me Zyrën Civile Ndërkombëtare në pjesë të caktuara të territorit të Kosovës.
XS
SM
MD
LG